Ish-kryeministri kroat Ivo Sanader dënohet me burg për çështjen e korrupsionit të naftës

Zagreb- Një gjykatë kroate e ka dënuar ish-kryeministrin kroat, Ivo Sanader, me 6 vjet burgim, për pranimin e një ryshfeti prej disa miliona dollarësh kur ishte në detyrë.

Gjykata e shpalli fajtor, pasi sipas aktakuzës, ai mori 10 milionë euro ryshfet nga ana e kompanisë hungareze të naftës MOL. Kompania hungareze mori nën kontroll 50% të pronësisë së kompanisë kroate të gazit INA, raporton  “Radio Europa e Lirë”.

Gjykata e Zagrebit dënoi edhe kreun ekzekutiv të MOL-it, Zsolt Hernadi, me dy vjet burgim për dhënie ryshfeti. Hernadi nuk ishte i pranishëm në Gjykatë gjatë shpalljes së vendimit. Kreu i gjykatës, Ivan Turudic, tha se ishte lëshuar një urdhër-arrest i Bashkimit Evropian, teksa  i bërë thirrje Hungarisë të “veprojë sipas rrethanave”.

Aktvendimet mund të apelohen. Sanader, 66 vjeç, ish-kryeministër i Kroacisë nga viti 2003 deri në vitin 2009, shërbeu gjithashtu  si drejtues i Partisë në pushtet, Unioni Demokratik Kroat, nga viti 2000 deri në vitin 2009.

Nëse aktgjykimi merr formën e prerë, Ivo Sanader do t’i paguajë 10 milionë euro shtetit kroat.

Ish-kryeministri largua nga Kroacia më 2010, pasi u gjet fajtor në dy raste korrupsioni. Ai u arrestua në Austri dhe u ekstradua në Kroaci një vit më pas. Ky dënim u abrogua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015. Sanader ishte dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim në vitin 2018 për përfitime nga lufta dhe u urdhërua të shlyente rreth 570,000 dollarë për ryshfetet që kishte marrë nga “Hypo Bank”.