Një shkresë e shpërndarë edhe në media tregon se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të marrë në shqyrtim kërkesën e Presidentit Ilir Meta për shfuqizimin e ligjit që i hap rrugën projektit të Teatrit të ri Kombëtar, duke e kaluar çështjen në seancë plenare.
Për këtë, Gjykata Kushtetuese iu është drejtuar me shkresë 5 institucioneve, duke kërkuar që deri më datë 22 janar 2020 të dërgojnë argumentet e tyre mbi këtë çështje.
Shkresat u janë dërguar para disa ditëve Ministrisë së Financave, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, ku theksohet se argumentet e këtyre institucioneve çmohen si të domosdoshme për zhvillimin korrekt të gjykimit.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, teksa protestoi dje përpara Bashkisë së Tiranës duke kërkuar transparencë informimi për ligjin mbi Teatrin.
Bashkia, nga ana e saj, ka paralajmëruar se në janar do të nisë prishja e Teatrit Kombëtar për t’i hapur rrugë projektit të ri.