Corona virus kufizon faljet edhe në xhamitë e kryeqytetit

Pas një takimi të kryeministrit Rama me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri këta të fundit kanë lëshuar udhëzimet përkatëse drejt institucioneve vartëse. Kryetari i KMSH-së H. Bujar Spahia i është drejtuar Myftinive me një njoftim të posaçëm mbi masat parandaluese ndaj virusit Covid 19. Katër janë pikat që do të zbatohen në të gjitha xhamitë e Shqipërisë për të shmangur efektet e këtij virusi, natyra e të cilit nuk njihet akoma, porse format e karantinës e kufizojnë përhapjen e tij. Ndërsa dy prej tyre i prekin drejtpërdrejt besimtarët dhe faljet e përbashkëta, qoftë të xhumasë, qoftë edhe të pesë vakteve ditore. Qarkorja e Kryetarit të KMSH-së kërkon anullimin e menjëhershëm të tubimeve masive si ligjërata e kurse, po ashtu edhe tubimet e faljes së xhumasë, ndërsa disi më i liruar duket vendimi i faljes së vakteve, ku ju sugjerohet imamëve, ku të pesë kohët e namazit të falen në mënyrë jo të organizuar. Më i rreptë është udhëzimi i dhënë nga Myftiu i Tiranës Lauren Luli, i cili prerë dhe shumë shkurt në vendimin e tij është shprehur, për anullimin e faljes së xhumasë, dhe anullimin e faljeve me xhematë për pesë kohët. Praktikisht xhamitë do të mbyllen dhe kjo ka shkaktuar shqetësim të madh te besimtarët për vetë faktin, se kjo ndalesë nuk ka një afat.