Kompleksi i Sulejman Pashës- Tirana e vjetër

Nga Roald A. HYSA

Vendndodhja: Në qendrën e vjetër të Tiranës, sot monumenti i “Partizanit të panjohur”

(1614-1950)*

Në qendër të këtij kompleksi ka qenë xhamia e Sulejman Pashës, ose siç njihej nga të gjithë tiranasit, Xhamia e Vjetër. Ajo deri vonë ka mbajtur mbi vete edhe gurin themelues mbi të cilin të gjithë studiuesit i janë referuar për datën, si data e themelimit jo vetëm e xhamisë, por edhe e qytetit të Tiranës. Pavarësisht nga legjendat e thurura për themelimin e Tiranës, elementët kryesorë dallues, të cilët janë marrë për bazë, kanë qenë xhamia e ndërtuar nga Sulejman Pashë Bargjini, varri ose tyrbja e tij, furra, hamami dhe hani. Pra, kemi të bëjmë me një kompleks të tërë arkitektonik, qytetar dhe imaret, i cili i dha jetë qendrës së qytetit të ardhshëm të Tiranës, së bashku me Pazarin e Vjetër, si zemrën ekonomike të tij. Kjo relikte shumë e rëndësishme për historinë e qytetit tonë nuk ia doli t’i mbijetojë Luftës së Dytë Botërore dhe në ditët kur ushtria gjermane po tërhiqej nga Tirana, ajo u dëmtua rëndë dhe në vitin 1950 prishen edhe ato pak gjurmë që kishin mbetur nga ajo, për t’u zëvendësuar me monumentin e “Partizanit të Panjohur”. Në bazë të gurit themelues i vendosur në portalin e saj të brendshëm jepet data “viti 1023 hixhri” (1614). Ndërkaq furra dhe hamami janë prishur në vitin 1938, gjatë kohës së regjimit të mbretit Zog, për arsye urbanistike, ndërsa hani i këtij kompleksi u prish në vitin 1958, vit kur fillon edhe prishja e Pazarit të Vjetër, për t’i lënë vend ndërtimit të Pallatit të Kulturës. Në vitin 1844 kjo faltore ka pësuar disa meremetime dhe adaptime të rëndësishme, duke i bërë zbukurime si ato në xhaminë e Et’hem Beut, të bëra këto nga Abdurrahman bej Toptani. Të gjithë tiranasit e vjetër e kujtonin me mall këtë xhami. Në Xhaminë e Vjetër është falur namazi i xhumasë së parë pas Kongresit të Parë Mysliman të vitit 1923. Pranë kësaj xhamie ka qenë edhe ndërtesa e Komunitetit Musliman, e cila nuk ekziston më.

Përshkrimi i xhamisë

“Disa qiparisa që rrethojnë Xhaminë e Vjetër ndihmojnë për t’i dhënë kësaj pjese të qytetit një pamje piktoreske të kohëve të dikurshme, sidomos të enjteve, ditën e pazarit, ku pranë kangjellave të xhamisë ekspozohen për shitje qilima e kuverta me ngjyra të gjalla.” Këto janë kujtimet e një udhëtari të huaj të lëna për Xhaminë e Vjetër.

Xhamia e Vjetër kishte në plan një zgjidhje drejtkëndore, me brinjë 16 x 13m. Sipërfaqen më të madhe, gati dy të tretat, e zinte salla e lutjeve dhe pjesën që mbetej sofaja ose portiku, që në formë L-je, asimetrikisht, përqafonte fasadat lindore dhe veriore të objektit. Volumi ishte një paralelpiped, më shumë i shtrirë sesa i lartë, i ngritur nga toka afro 9 metra.

Fasada ishte formuar nga një arkadë e dyfishtë, e përbërë nga harqe të plota në katin përdhe, ndërsa të shtrira dhe të lehta në katin e sipërm, mbështetur në 15 kolona guri njëcopësh, prej të cilave 4 kishin kapitele korintike dhe 11 të stilizuara. Pjesa tjetër, e përbërë nga dritare të vogla me hark e kafaze, kapte fasadën e sallës së lutjeve. Harqet ishin mbyllur me xhamllëqe e pjesërisht edhe me grila hekuri, të marra, sipas Degranit, nga pallatet e djegura të feudalëve.

E gjithë fasada e xhamisë, harqet, timpani, pjesa e mureve të portikut dhe pjesa e sipërme e sallës së lutjeve, nga jashtë e tërësisht nga brenda, ishte zbukuruar me afreske shumëngjyrëshe, me motive lulesh e frutash si dhe me peizazhe, që paraqisnin pamje të Stambollit. Në krahun e djathtë të fasadës, ngjitur me murin, ishte minarja, vendosur mbi një bazament prizmatik tetëkëndor, prej gurësh të latuar me kujdes. Kazani (sherefeja), mbështetur mbi një lloj konsoli, formuar nga disa rrathë gurësh të dhëmbëzuar, në formë triglifesh, ishte së bashku me bazamentin dhe kësulën konike prej llamarine që e përfundonte, një nga detalet më të goditura të arkitekturës të saj.

Lartësia e minares sikurse dhe përmasat e tjera të saj, nuk njihen. Përafërsisht, mbështetur në krahasimet grafike, mund të thuhet se nuk i kalonte të 25 metrat. Minarja u ndërtua nga Ahmet Pasha, biri i Sulejmanit (Bargjinit). Kishte një çati katërujërash, mbuluar me tjegulla vendi. Strehët sipas traditës vendase dhe kushteve mikroklimatike, ishin të dala e të gjera, të lakuara nëpër qoshet dhe nga poshtë të veshura me dërrasa të zdruguara, në formë tavani, zbukuruar anash me nga një kornizë të vogël dhe të dhëmbëzuar.

Pjesë përbërëse e xhamisë ishte oborri i rrethuar e i formuar nga gjelbërimi i selvive shekullore. Në oborr ishin gjithashtu çezma për larjet rituale dhe varreza. Prapa xhamisë në krahun jugor, ishte i vendosur varri (tyrbja) i Sulejman Pashës[1]. * Marrë nga libri “Xhamitë e Tiranës” – me autor Roald A. HYSA


[1] Miho, Koço. Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 8 Nëntori, Tiranë 1987, fq. 90-92.