Kompleksi i xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë

Nga Roald A. HYSA

Vendndodhja: Qendra e re e Tiranës (1821-)*

Xhamia e Et’hem Beut është nga xhamitë e vjetra të Tiranës që ka arritur t’i mbijetojë kohëve dhe ndryshimeve më të rëndësishme historiko-politike që përjetoi kryeqyteti shqiptar. Fillimisht ishte vetëm Xhamia e Vjetër. Më pas, rreth fillimit të shekullit XVIII, me pak diferencë kohore nga njëra-tjetra u ndërtuan Xhamia e Karapicit dhe ajo e Stërmasit, të emërtuara kështu prej familjeve që financuan ndërtimin e tyre. Më pas u ndërtua edhe ajo që sot njihet xhamia e Et’hem Beut. Molla Beu, i ati i Et’hemit ishte një pasues i familjes Mulleti dhe pretendonte postin e udhëheqësit të qytetit. Një nga mënyrat për të fituar simpatinë e popullit ishte edhe ndërtimi i një xhamie të bukur, ndaj puna për ta realizuar atë nisi në vitin 1789. Vdekja e Molla Beut bëri që me punën e nisur të merrej i biri, Et’hem Beu. Pas disa vitesh, ai arriti ta realizonte ëndrrën e të atit, duke u bërë drejtues i qytetit. Por familja Toptani u tregua më e fortë dhe mbas pesë vjet sundimi të tij, ia mori përfundimisht pushtetin nga dora. Gjatë gjithë kohës që udhëhoqi, Et’hem beu mblodhi mjeshtra nga e gjithë Shqipëria dhe realizoi një nga monumentet më të bukura të qytetit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.

Më 1794 filluan punimet e xhamisë nga Molla beu me origjinë nga Petrela, por që u ndërprenë gjatë viteve 1795-1796. Më pas punimet u vazhduan nga i biri, Et’hem beu, që sipas mbishkrimit në portalin e saj përfundoi minaren, kubenë dhe zbukurimet murale. Dy të parat sipas mbishkrimit përfunduan më 1821, ndërsa zbukurimet dhe peizazhet përfunduan më 1823. Menjëherë pas mbarimit të këtyre punimeve Haxhi Et’hem beu ndërtoi pirgun e sahatit të madh të Tiranës, por që pjesa e sipërme e tij është ndryshuar vite më vonë.

Në nëntor 1944, gjatë luftimeve në Tiranë prishet pjesa e sipërme e minares. Shumë ustallarë nuk e morën përsipër rregullimin e minares, për shkak të vështirësisë që paraqiste ajo. Atë e rregulloi në vitin 1945 mjeshtri plak Adem Mata, që tregoi një kujdes të posaçëm gjatë rregullimit të minares, duke përzgjedhur edhe llojin e gurit që u përdor në rindërtimin e saj. Guri me të cilin u ndërtua minarja është marrë në Tufinë. Punimet rregulluese u financuan nga besimtari Abdulla Kaimi, që kishte lënë me testament shumën prej 6,000 frangash për ngritjen e minares së shembur. Gjithashtu po ky besimtar kishte lënë edhe 1,000 franga për xhaminë e fshatit Surrel pranë Tiranës[1]. Ndërkaq po të vërehet me vëmendje xhamia, asnjëra nga anët e saj të jashtme nuk është njësoj, gjë që tregon aftësinë e arkitektit që e projektoi atë.

Xhamia u ruajt gjatë të gjithë regjimit monist si monument kulture dhe shumë pak veta e kanë pasur fatin gjatë kësaj kohe që ta vizitojnë atë. Xhamia e Et’hem beut u rihap dhe filloi nga funksionimi i rregullt më 18 janar 1991, ku në hapjen e saj morën pjesë një turmë e madhe qytetarësh tiranas. Pas kësaj date janë bërë restaurime dhe ndërhyrje të ndryshme nga Instituti i Monumenteve nëpërmjet specialistëve të vet dhe me ndihmën e financuesve privatë.

Në vitin 1834 u ndërtua po nga Haxhi Et’hem Beu një medrese, për të cilën dihet vetëm se ishte vendosur aty ku sot janë shkallët e jashtme të Pallatit të Kulturës. Më pas vendin e saj e ze medreseja e ndërtuar nga Abdurrahman Pashë Toptani, i cili themeloi gjithashtu një bibliotekë modeste me 158 libra. Pra, siç mund të vërehet lehtë në këtë kompleks kemi pas ndërtimit të xhamisë, fillimisht Kullën e Sahatit e më pas ndërtohet medreseja po nga Et’hem Beu, e më pas rindërtohet një tjetër nga Abdurrahman Pashë Toptani, i cili themeloi gjithashtu edhe një bibliotekë modeste. Këtu mund të futen edhe varrezat e atyre që banonin rreth kësaj xhamie dhe u varrosën aty në vitet në vijim. Nga zhvillimet e ndryshme urbanistike, nga i gjithë ky kompleks arkitektonik ka mbetur vetëm Xhamia, varri i Et’hem Beut (edhe ky i dëmtuar) e i Belkizes në hyrje të saj dhe Kulla e Sahatit.

 

Përshkrimi i xhamisë

Ndërtesa e kësaj xhamie përbëhet nga salla e lutjeve, nga portiku me harqe ose nga sofaja, nga minarja, nga pusi për larjet, nga dy varre në hyrje, nga gjelbërimi e oborri i rrethuar, i cili nga fillimi i shekullit të kaluar ishte më i madh dhe përfshinte, veç gjelbërimit, dhe varrezat.

Xhamia ka një planimetri të thjeshtë drejtkëndëshe, me përmasa 17,50 x 15,00 metra dhe me një sipërfaqe të përgjithshme  prej rreth 260 m2, prej të cilave gati gjysmën e zë salla e lutjeve. Pjesën e mbetur e zë portiku në formën e germës L, vendosur përpara sallës në drejtim verior dhe anash në atë lindor. Salla e lutjeve ka planimetri kuadrate me brinjën e brendshme 7,75 m.

Sipër tij, mbi një tambur tetëkëndësh, është vendosur kupola qorre, me një diametër prej rreth 8 metrash, mbuluar me llamarinë plumbi. Ky mjedis ndriçohet nëpërmjet disa dritareve mjaft të vogla, vendosur në lartësi të ndryshme e në dy radhë. Ato janë të zbukuruara me arkivolte false e me majë të mprehtë. Nga brenda, në lartësi, kubi i faltores e tavani i suvatuar i kupolës shkrihen e formojnë gati një gjysmëhemisferë të plotë.

Portiku paraqet një korridor relativisht të gjerë, asimetrik si kundrejt boshtit të sallës ashtu edhe kundrejt planimetrisë vetë. Fasada e tij është drejtuar nga veriu, sikurse gjithë fasada e xhamisë dhe përbëhet nga 15 harqe të plota, mbështetur mbi kolona të larta, 2,90 metra, guri, një cope, me diametër të njëllojtë, me kapitelë të stilizuar e të ndryshëm nga njëri-tjetri, me lartësi 0,60 dhe bazë 0,45 metra, të profiluar e të mbështetur në një xokol guri. Nga këto arkada, katër janë në fasadën veriore, shtatë në fasadën lindore dhe tri në atë perëndimore. Pak metra pas fasadës, në një aks me sallën e lutjeve, vijnë njëri pas tjetrit, portali i hyrjes kryesore, i ngushtë e i ulët dhe ai i sallës, gati po me ato përmasa. Tavani është i ndërtuar gjithashtu prej dërrasash të vendosura thjesht njëra pas tjetrës. Çatia është katërujërash, shfrytëzuar pjesërisht deri te kubi i sallës. Midis arkadave janë vendosur grila të shtizuara prej hekuri të rrahur.

Sipas traditës vendase, djathtas, në këndin veriperëndimor të kubit, është vendosur trupi i minares. E gjithë minarja është ndërtuar me gurë gëlqerorë, të gdhendur jashtë e brenda. Ajo ka një lartësi të përgjithshme 33.44 m dhe një diametër të brendshëm prej rreth 1,40 m. Minarja ka formën e një kolone të rrumbullakët, me diametër që shkon lehtësisht duke u zvogëluar në lartësi. Ajo rreth e rrotull është formuar prej 15 kanale-urash, si ato të kolonave dorike. Kazani është zbukuruar dhe është mbështetur në një brezore që del disi në formë të një konsoli të lehtë. Për t’u ngjitur deri aty nga salla e lutjeve, nëpërmjet një deriçke të vogël, janë gjithsej 90 shkallë elikoideale në formë trekëndëshi, mbështetur në një bosht pingul, të vendosur në mes të trupit. Po nëpërmjet kësaj shkalle, në pjesën e poshtme të saj, dilet edhe në një galeri të vogël, që është vendosur në sallën e lutjeve dhe është vendi i faljes për gratë.

Si çdo xhami tjetër, edhe ajo e Haxhi Et’hem Beut, kishte kopshtin e saj përpara në hyrje të portikut dhe në të dyja anët varret e themeluesit dhe të së shoqes së tij (Et’hem Beut dhe Belkizes). Më tej, shpërndarë sa andej këndej, ishin edhe varrezat e parisë, të gjelbëruara prej selvive, ullishtave dhe muri rrethues i zbukuruar nga grila hekuri, mbi një bazament jo shumë të lartë prej gurësh lumi. Varrezat duhet të jenë hequr në vitet 1923-1926, ndërsa rrethimi në vitin 1930. Me prishjen e kopshtit, u rregulluan rruga e sheshi, në një kuotë më të ulët, kështu që dyshemeja e xhamisë u ngrit diçka më lart, në atë nivel që është sot, masë që e bën atë të qëndrojë si mbi një bazament. Brenda sallës së lutjeve, në lartësi të ndryshme janë vendosur mbishkrime të ndryshme në arabisht, që i përkasin vargjeve të Kuranit. Sipër vendit të hytbes, nga e djathta në të majtë, fillon me “Bismilahi Rrahmani Rrahim”, sureja nr. 48 e Kuranit, Fet’h, e cila është shkruar në të katër muret e xhamisë. Përreth kupolës janë shkruar të 99 emrat dhe cilësitë e Allahut të Madhëruar. Ndërsa në majë të kupolës, në formë spirale është e shkruar Ajetul Kursia, Bekare 255.

Kjo xhami është shpallur monument kulture dhe si e tillë ruhet e mbrohet nga shteti[2].

 

Përshkrimi i Kullës së Sahatit

Sipas traditës Kullën e Sahatit e filloi ndërtimin e saj me shpenzimet e veta Et’hem Beu dhe e përfundoi me ndihmën e qytetarëve tiranas. Për kullën nuk dihet se kur u hodhën themelet dhe se kur u mbarua me saktësi, por dihet që punimet filluan pasi ishte mbaruar xhamia. Kulla e Sahatit ndodhet 20m në të majtë të xhamisë, nga ana juglindore dhe ka një planimetri katërkëndëshe (3,68 x 3,60 m). Ajo është e ndërtuar me gurë të skalitur njësoj si ato të xhamisë. Hapësira e brendshme e shkallëve është 1,72 x 1,71m dhe është e lartë gati sa xhamia (30m). Trupi i kullës ndahet në dy pjesë, pjesa e poshtme nga bazamenti e deri te ballkoni, e cila është e pajisur me dritare nga merr dritë dhe nga ballkoni ku ndodhej sahati e deri në majë, që është 6,37m. Ballkoni lidhet me shkallët e brendshme me anë të katër dyerve. Më 1928, pjesa e sipërme e kullës pësoi një rindërtim që ia ndryshoi pamjen e mëparshme dhe duke i vënë një mekanizëm të ri sahati, i cili u montua nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 m. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946.

Por më pas ora e Kullës do të pësonte përsëri ndryshime dhe nga viti 1973, ora e saj, u zëvendësua me një mekanizëm të ri, elektrik, impulset e të cilit ushqenin tërë rrjetin e orëve rrugore të qytetit, por pa tingujt e mëparshëm të kumbonës që dëgjoheshin në çdo orë[3]. * Marrë nga libri “Xhamitë e Tiranës” – me autor Roald A. HYSA


[1] Muslimanizmi në Shqipëri në periudhën 1945-1950, dr. Shyqyri Hysi, Sh. B. Mësonjëtorja, Tiranë 2006, fq. 112.

[2] Miho, Koço. Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 8 Nëntori, Tiranë 1987, fq. 94.

[3] Po aty, fq. 98.