Mytesim Këlliçi – (1866-1924) Ai lindi në Tiranë në vitin 1867
dhe aty mori edhe mësimet e para. Arsimin e mesëm dhe të lartë e mbaron në
Stamboll. Me një formim tashmë të plotë pas këtyre studimeve emërohet myderriz
në Medresenë “Kemal Eldin” të Bursës. Kur u vendos në Shqipëri ka ushtruar
detyrën e myftiut në Kavajë, Durrës e Tiranë. Krahas kulturës së fituar në këto
vite fiton edhe lidhjet me patriot të tjerë shqiptarë. Në fund të shek. XIX ai
kthehet në vendlindje dhe pas kthimit caktohet myfti në qytetet e Kavajës,
Durrësit dhe Tiranës, si dhe në postin e kadiut të Durrësit detyra këto që i
kryen me përkushtim të lartë e ndershmëri. Krahas funksioneve të përmendura më
sipër ai nuk reshti përpjekjet e tij për arsimin dhe shkollën shqip. Në bazë të
vendimeve të marra në Kongresin e Manastirit 1908 dhe të Elbasanit 1906 ai
ndërmori hapat për futjen e abc-së së re. Vajzën e tij Alijen e përgatiti për
mësuese qysh në moshë të re. Ai nuk iu nda jetës politiko-shoqërore dhe ishte
një luftëtar i vendosur për pavarësinë e Shqipërisë. Në korrik-gusht 1912
bashkë me përfaqësues të tjerë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut shkoi në
Shkup për të mbështetur memorandumin prej 14 pikash në kërkim të drejtave
kombëtare të formuluara prej patriotit të madh Hasan Prishtina. Disa ditë
përpara shpalljes së Pavarësisë pati një bisedë me Ismail Qemalin, kur ai po
udhëtonte për në Vlorë. Ndërkohë ai ishte një nga pjesëmarrësit e rretheve
patriotike, që më 26 dhe 27 nëntor 1912 ngritën Flamurin Kombëtar në Tiranë e
Kavajë. Vetëm pas mbarimi të Luftës I Botërore vendoset përfundimisht në
Tiranë, ku arrin kulmin veprimtaria e tij politike kombëtare. Në mbledhjen e
Këshillit Kombëtar (parlamentit të 1920) më 27/03/1920 si më i moshuari i të
gjithë senatorëve zgjidhet kryetar i përkohshëm për të filluar punimet. Ai ka
marrë pjesën në grupin nismëtar të themelimit të “Strehës Vorfnore” në Tiranë,
së bashku me Rauf Ficon, Zyber Hallullin etj. Si
delegat që përfaqësonte Tiranën Kongresi i Lushnjes e zgjodhi atë anëtar të
Senatit dhe anëtar të Komisionit për çështjet politike e juridike. Në 31 janar
1920 ai u zgjodh në Dhomën e Senatit të Parlamentit Shqiptar, ku nënshkroi
protestën drejtuar Konferencës së Paqes. Ndërron jetë në moshën 57 vjeç, 1924[1].
[1] Demneri, I. Rreli, Sh. Tafaj, A.- Tirana personalitete, 3-Intelektualë të hershëm; Tiranë 2009, fq. 34.