Besimtarët e Xhamisë së Pazarit të Ri dhurojnë gjak

Një grup besimtarësh muslimanë dhurojnë gjak, i cili është shumë i nevojshëm për fëmijët talasemikë në këto momente izolimi nga koronavirusi. Një grup prej tre vetash e më pas edhe dy të tjerë pjesëtarë të xhematit të Xhamisë së Kokonozit e Pazarit të Ri i janë drejtuar ambienteve të Qendrës Kombëtare të Gjakut në Laprakë të Tiranës për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë. Sensibilizimi ka ardhur nëpërmjet gazetares së mirënjohur Rezarta Delisula, e cila i është drejtuar më heret Bankës së Gjakut duke dhuruar edhe ajo vetë. Me gjithë vështirësitë e krijuara në lëvizjen e lirë nga epidemia në të gjithë vendin dhe nga moti me shi besimtarët nuk janë stepur, por kanë vendosur të japin ndihmën e tyre modeste. Duke respektuar rregullat e dhurimit pranë ambienteve të kësaj qendre janë paraqitur vullnetarët e parë, e në ditët në vijim do të sensibilizohet për të vazhduar edhe me grupe të tjera të vogla në ndihmë të fëmijëve, që kanë nevojë për transfuzione të rregullta mujore gjaku.

Çfarë është Talasemia?

Talasemitë janë një grup anemish kongjenitale të karakterizuara nga një defekt gjenetik i sintezës së hemoglobinës (një proteinë në rruazat e kuqe), që ka për detyrë transportin e oksigjenit në të gjitha qelizat e trupit. Një ose më shumë defekte në molekulat e saj bëhen shkak për forma të ndryshme talasemish.  Të konsideruara si çrregullimi gjenetik më i përhapur në botë, statistikat tregojnë se në Amerikë rreth 3% e popullsisë është e prekur nga një mutacion i gjenit të talasemisë, në zonën e Mesdheut 2-18%, në Evropë 0-19%, në Azinë e jugut 0-11%, në Afrikë 0-12%, në Paqësorin Perëndimor 0-13%. Për sa i përket vendit tonë, zonat ku haset më shpesh është ajo e Myzeqesë (Fier, Lushnjë, Kavajë dhe më pak në Vlorë e Durrës). Ky është një problem i rëndësishëm sa shëndetësor aq edhe social. Kur të dy prindërit janë me talasemi minor ose mbartës të talasemisë, kanë 25% mundësi për të lindur fëmijë me talasemi major.

Leave a Reply