Dy gra muslimane ofrojnë maska falas

Dy besimtare muslimane kanë gjetur mundësinë origjinale të bëhen të vlefshme për të gjithë komunitetin, duke përgatitur e qepur maska dhe duke i ofruar ato falas për të gjithë njerëzit. Ato janë Ardiana Handraj, një artizane nga Shkodra dhe Gjyla Naziri aktiviste shoqërore nga Mitrovica. Nisma e ndërmarrë nga këto dy gra vijnë nga dy qytete të ndryshme me tradita qytetare dhe të vendosura në dy pozicione ekstreme të trojeve shqiptare. Këto dy motra muslimane, që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën janë nisur nga i njëjti shqetësim. Këto të dyja kanë vendosur të jenë të vlefshme për komunitetin dhe t’ju shërbejnë sadopak nëpërmjet aftësive të tyre personale dhe atyre mundësive financiare që ato kanë. Të shtyra thjesht nga dashuria për Zotin dhe për njerëzit ato qepin maska dhe i shpërndajnë më pas falas për të gjithë pa dallim. Ardiana Handraj, një artizane nga Shkodra ka ndërmarrë një nismë personale për të prodhuar maska, po ashtu edhe një aktiviste tjetër nga Mitrovica Gjyla Naziri nuk e humbasin kohën, por qepin maska dhe ua ofrojnë atyre që kanë më së shumti nevojë. Gjyla është në gjendje të qepi rreth 350 maska në ditë, megjithëse çmimet e materialeve me të cilat ajo i qep këto maska kanë pësuar rritje në ditët e fundit. Të dy këto motra muslimane i ofrojnë maskat falas dhe thonë, se në vend që ato para njerëzit t’i shpenzojnë për maska mund t’i shpenzojnë për të blerë ushqime. “Sa blen një maskë të blej një bukë, thashë më mirë të punoj pak për këta njerëz, sadopak kjo është gjë e vogël që mundena me i ndihmu, se dëshira është shumë e madhe me i ndihmu, edhe me shumë gjëra të tjera, por kaq janë mundësitë.”- tregon për këtë iniciativë  Ardiana Handraj nga Shkodra. Pa marrë parasysh harxhimet Gjyla i ka ftuar njerëzit që të lajmërohen e të marrin maska, madje edhe kur del rrugës ajo iu fal njerëzve maska. Në këto kohë vështirësish, të cilat shtohen nga rregullat e izolimit ndaj kësaj pandemie shembulli i këtyre dy motrave është një rreze drite në këto ditë të zymta.

Leave a Reply