TËRNIQI- objektet e kultit duhet të funksionojnë normalisht

Pasi ka kaluar gati gjysma e muajit të Madhnueshëm të Ramazanit me një periudhë të trazuar për të gjithë agjëruesit për shkak të pandemisë ne ju drejtuam Hoxhë Mustafa Tërniqit për të marrë një këndvështrim mbi gjendjen dhe se si po përjetohet ky adhurim nga ai vetë dhe besimtarët. Hasëm në gatishmërinë e plotë të hoxhës, të cilit ia drejtuam pyetjet on-line dhe ai na u përgjigj. Ajo çka e tërheq vëmendjen e besimtarëve në këto momente është edhe hapja e xhamive, gjë për të cilën ai na tha: “Përderisa njerëzit gradualisht po i kthehen normalitetit, atëherë është anormale që objektet e kultit mos të funksionojnë normalisht, kuptohet brenda protokolleve të sigurisë.” Ju kujtojmë këtu, se Hoxhë Mustafa Tërniqi ka qenë ndër hoxhallarët e parë, që kërkoi publikisht hapjen e xhamive, duke iu bashkuar kërkesës së shumë besimtarëve, të cilët i janë drejtuar tre herë me kërkesa konkrete brenda protokolleve higjieno-sanitare për hapjen e xhamive. Kërkesa e fundit ka si nënshkrues 4260 firma dhe i drejtohet Kryesisë së KMSH-së. Për më shumë mund ta lexoni në vijim intervistën me Hoxhë Mustafa Tërniqin. / intervistoi Roald A. HYSA

R.H. -Si mendoni se ka ndikuar e gjithë kjo situatë e pandemisë gjatë muajit të Ramazanit për zhvillimin e riteve?

M.T. -Situata dhe gjendja imponuese e pandemisë padyshim ka ndikuar dukshëm dhe te ritet fetare të cilat jemi mësuar t’i shohim dhe t’i praktikojmë ndryshe në vitet e kaluara. Pikërisht në Ramazan agjërimi ditën dhe teravitë pas namazit të darkës (jacisë) kanë qenë dy gjëra të pandashme për mbarë muslimanët, mirëpo ky vit ishte e shkruar të shkonte kështu. Namazi i përbashkët në shtëpi me familjen ka marrë dimensione të tjera të bukura, por kjo është diçka brenda familjes, ndërkohë që namazi me xhemat në xhami është më i rëndësishëm sado të na duket i bukur namazi me xhemat në shtëpi.

R.H. -Gjatë këtij Ramazani po shohim se ka një gjallërim të veprimtarisë bamirëse, dhe me sa dimë një pjesë e madhe e saj po zhvillohet në formë të padukshme, pra bamirësit po mundohen ta fshehin atë, si e konsideroni?

M.T. -Bamirësia e padukshme ka rëndësinë e vet kur bëhet fjalë për ruajtjen e sinqeritetit për bamirësin dhe ruatjen e dinjitetit për nevojtarin, por dhe bamirësia e dukshme në publik ka rëndësinë e vet, sepse ndërgjegjëson, sensibilizon dhe nxit njerëzit të kontribuojnë e të jenë pjesë e humanizmit dhe e solidaritetit të përbashkët.

R.H. -Si mund të gjallërohet më shumë jeta jonë në komunitet?

M.T. -Vetë Feja Islame është një fe, që i rregullon mirë të dyja raportet atë mes individit dhe Zotit dhe atë mes individit dhe shoqërisë. Praktikat dhe ritualet e Fesë Islame janë më tepër sociale dhe shoqërore, se sa individuale siç janë namazi me xhemat, xhumatë dhe bajramet, sadakaja e fitrit, zekatit dhe sadakatë e zakonshme, haxhi dhe plot adhurime të tjera. Por dhe vetë agjërimi, që duket më tepër një adhurim i brendshëm, që nuk ka lidhje me të tjerët mbaron në kohën e iftarit për të shpërthyer në një formë tjetër në atë që quhet namazi i teravive në xhami. Andaj dhe jeta fetare përtej adhurimeve obligative mund të gjallërohet duke pasuruar jetën e përbashkët sociale dhe shoqërore me sa më shumë aktivitete të ndërsjella, të cilat janë të larmishme dhe çdo njeri sipas rrethanave dhe natyrës së tij e gjen veten aty ku ndjehet më mirë. Natyra e këtyre aktiviteteve do të manifestohej akoma më mire, nëse të gjithë së bashku në një formë apo tjetër do të bëheshim pjesë e hadithit profetik, ku thuhet: “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që iu sjell më shumë dobi njerëzve të tjerë. E nëse do mundej të hapeshin xhamitë të paktën për fundin e Ramazanit do të ndryshonte besoj çdo gjë dhe do të kthehej buzëqeshja e vërtetë në fytyrat e besimtarëve. Përderisa njerëzit gradualisht po i kthehen normalitetit, atëherë është anormale që objektet e kultit mos të funksionojnë normalisht, kuptohet brenda protokolleve të sigurisë.”

Leave a Reply