Të jetosh me të vërtetën

JUSTINIAN TOPULLI

Të gjithë njerëzit, përgjithësisht dëshirojnë të njohin të vërtetat e jetës, gati për çdo gjë. Ata shpesh interesohen edhe për të vërteta të vogla, kur mendojnë se njohja e tyre iu intereson, ose edhe thjesht për të shuar kuriozitetin që e karakterizon njeriun. Është pra në natyrën e lindur të njeriut, që ai ta kërkojë dhe ta dojë të vërtetën.

Por, po njerëzit, shpesh janë indiferentë për të njohur apo kërkuar të vërtetat e mëdha të jetës, pikërisht, ato që kanë të bëjnë me arsyen e ekzistencës sonë dhe të botës. Kjo, jo se ata nuk duan t’i njohin ato, por se nuk duan t’i nënshtrohen këtyre të vërtetave madhore.

Ka plot njerëz që i njohin dhe i pranojnë të vërtetat e mëdha të jetës, por ata nuk jetojnë sipas tyre. Këta janë njerëz, që shpesh nuk e kuptojnë se janë të dyzuar, apo hipokritë me vetveten. Nëse të parët refuzojnë ta njohin të vërtetën, për shkak se nuk duan t’i nënshtrohen asaj, të dytët refuzojnë ta jetojnë të vërtetën, pikërisht për të njëjtën arsye, se nuk iu pëlqen t’i obligojnë vetvetes, ato që kërkon e vërteta. E vërteta nga ana e saj, nuk bën kompromis me asnjërin, ajo është ekskluzive dhe kërkon me ngulm që të jetosh me të dhe për të.

Kështu që sfida intelektuale e çdo njeriu në këtë jetë, është pikërisht vullneti për t’iu nënshtruar të vërtetës dhe për të jetuar me të dhe për të. Nga kjo mund të kuptojmë edhe arsyen e vërtetë, se pse e vërteta ka kaq shpesh dhe kaq shumë armiq dhe kundërshtarë, të cilët janë në shumicën e rasteve të heshtur.

“Ne ju kemi sjellë të vërtetën, por shumica juaj të vërtetën e urren.” (Kurani 43: 78)

Leave a Reply