Idlib, pas armëpushimit mbi 285 mijë civilë kthehen në shtëpi

Idlib

Që nga armëpushimi i cili hyri në fuqi më 6 mars në Idlib të Sirisë, në shtëpitë e tyre janë kthyer 285.403 civilë. Muhammed Hallaj, drejtor i Grupit të Koordinimit dhe Reagimit në Siri i cili merret me migrimet e civilëve në Idlib, tha se si rezultat i ndalimit të operacioneve ushtarake të regjimit të Assadit dhe mbështetësve të tij si dhe arritjes së armëpushimit, vazhdon kthimi i civilëve të cilët më parë ishin të detyruar të migrojnë.

Sipas kësaj, në periudhën pas arritjes së armëpushimit 285.403 civilë ose rreth 57.000 familje janë kthyer në vendbanimet e tyre në Idlib, pjesa rurale e qytetit si dhe pjesa rurale e Halepit.

Ata që janë kthyer në shtëpitë e tyre në masë të madhe kanë nevojë për ndihmat e organizatave joqeveritare.

Civilët gjithashtu duhet të kushtojnë vëmendje në bombat e pashpërthyera.

Pavarësisht këtyre rreziqeve, ata në vend të kampeve të stërmbushura, çadrave të improvizuara zgjedhin kthimin në shtëpitë e tyre.

Në rast të vazhdimit të armëpushimit, pritet që më shumë civilë të kthehen në vendet e tyre.

Gjendja në zonën e deeskalimit në Idlib

Në takimin e mbajtur në Astana më 4-5 maj 2017, Turqia, Rusia dhe Irani u pajtuan për katër zona të deeskalimit në Idlib dhe provincat fqinje (Latakia, Hama dhe Aleppo), por regjimi dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, me mbështetje ajrore ruse, morën nën kontroll tre prej këtyre zonave të deeskalimit, me përjashtim të Idlibit.

Qindra mijëra civilë që ikën nga sulmet kanë emigruar në vendet afër kufirit turk. Gjithashtu, sulmet vazhduan për një kohë të caktuar edhe pas Marrëveshjes së Soçit, e arritur më 17 Shtator 2018 nga Rusia dhe Turqia. Pas një armëpushimi të shkurtër, në maj të vitit 2019, forcat e regjimit filluan operacione tokësore për të pushtuar të gjithë territorin.

Në këto operacione të regjimi dhe përkrahësve të tij, u pushtuan zona të konsiderueshme rreth Idlibit, zona në veri dhe lindje të Hamas, si dhe zonat rurale në jug dhe perëndim të Aleppos. Që prej nënshkrimit të marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë në 17 Shtator 2018, mbi 1.800 civilë janë vrarë dhe afro 2 milionë janë zhvendosur nga sulmet e regjimit dhe Rusisë në zonën e deeskalimit në Idlib.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi më 10 janar se Turqia dhe Rusia kishin rënë dakord për një armëpushim që do të fillonte më 12 Janar 2020, por regjimi i Asadit dhe aleatët e tij vazhduan sulmet në Idlib, duke e injoruar armëpushimin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe presidenti rus Vladimir Putin siguruan një marrëveshje të re më 5 mars. Marrëveshja e fundit e armëpushimit hyri në fuqi më 6 mars 2020.

Edhe përkundër shkeljeve të kohëpaskohshme nga ana e forcave të regjimit, armëpushimi respektohet në masë të madhe.

Burimi AA