“Librezat” e kursimeve dhe premtimet e pa mbajtura.

Nga Alban GORISHTI

Duke kaluar rrugës sytë me zunë një zyrë e cila kishte shkruar mbi reklamën e dukshme në hyrje të saj, kursim kredie, kjo më kujtoi zyrat e vjetra shtetërore në kohët e mëparshme në të cilat njerëzit çonin kursimet e tyre të vogla. Dhe në atë kohë ishte në modë që prindërit tanë të na hidhnin në arkë kursime duke na i shënuar në një librezë të vockël, të cilën na e tregonin herë pas here. Nuk e di pse, por ajo librezë të bënte të ndiheshe i rëndësishëm edhe pse i vogël, dhe nga ana tjetër nuk e di pse herë pas here ata na e tregonin, sikur donin të na thoshin: Shiko unë jam prind i mirë, po kujdesem për ty duke menduar edhe për një të ardhme. Kështu me motrën mburreshim për t’i treguar njëri tjetrit lekët që kishim në librezë, kush nga ne bënte shumën më të madhe. Gjithsesi  këto derdhje ishin sporadike, ndoshta vareshin nga koha dhe gjendja ekonomike. Dihet që në fund vitet 1980 Shqipëria kishte shumë probleme ekonomike. Por gjithsesi si fëmijë ne nuk i kuptonim, por kur rritja e shumës në këto libreza vinte duke u ulur, kureshtja jonë për arsyet e kësaj zbritjeje ishte nganjëherë bezdisëse për prindërit tanë. Realisht pas viteve 90 rritja e shumave në ato libreza u ndal, në kalimin e kohës ato zyra kursimi u mbyllën dhe rrjedhimisht kursimet e vogla të atyre librezave u humbën, duke humbur kështu edhe shpresat tona imagjinare për një të ardhme më të investuar, qoftë nga ana afektive, por edhe ajo ekonomike.

Sot jemi më 2020, shumëçka ka ndryshuar, ne akoma jemi në pikëpyetje për disa siguri, që kanë të bëjnë me gjendjen emocionale të shoqërisë sonë dhe rrjedhimisht të  fëmijëve tanë. Para disa ditësh pashë në TV shkurtimisht prezencën e një personazhi të rëndësishëm, i cili ka të bëjë me anën juridike të një institucioni ligjzbatues, i cili është ngritur për të parandaluar dhe penguar krimet më të dënueshme në shoqëri, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar etj. Realisht si show man ishte mjaft i mirë, fjalët e përzgjedhura, aforizmat e përzgjedhura me kujdes etj., mua më fiksuan në kokë  idenë e një sociologu, gazetari etj., por kurrsesi të një gjyqtari, prokurori etj. Edhe ai dikur besoj se e ka pasur këtë lloj përkujdesje nga prindërit e vet, e kishte edhe ai besoj si shumica e fëmijëve shqiptar, një librezë kursimesh në emër të tijin. Por në bindjen time personale përfaqësuesi me i lartë i një institucioni duhet të jetë në radhë të parë njohës i mirë i fushës që përfaqëson. Përtej të tjerave, përtej formimit të tij personal (i cili nuk është në diskutim), shumë pak fjalori i tij kishte të bënte me terma teknikë apo teorikë rreth atij profesioni, sesa me silabuse dhe fraza metaforike, të cilat me sa pashë e intriguan drejtuesin e intervistës. Por kur flasim për një pozicion të tillë kyç në shoqëri dëgjuesi duhet të mbartet me premtime afatgjata të mbështetura në dijet përkatëse kushtetuese dhe jo me premtime telenovelash, të cilat i mpijnë më tepër mendjet e “alkolizuara” nga shitja e një malli për një tjetër. Çfarë ka ndodhur me ne si popull, si mundet që një popull i munduar mos ta kujtojë më historinë e vet, duke mundur në kthim shumëfish të tjerët? Përgjigjet mundet të jenë të shumta, por mua më vjen ndërmend një përgjigje tani që po shkruaj këto rreshta, libreza e kursimeve, “kursimet” e pa retribuara dhe premtimet e thyera. Por kjo s’ka vetëm të bëjë me prindërit tanë, jo, kjo ka të bëjë me të gjithë shoqërinë e atëhershme, me mënyrën fallse sesi funksiononte, me modelet e shtirur, me shpresat e zbrazura, me fëmijërinë e djegur nga këto dhe me shumë koncepte, që realisht ishin pasoja më e madhe e një shoqërie të zbrazur nga ndjenjat dhe meditimi ndaj hyjnores. Shpesh kemi dëgjuar, ai e bëri punën pa shpirt, pra e bëri punën praktikisht, por askujt s’i pëlqeu ndaj u duk sikur nuk e kishte bërë fare atë punë. Kjo është një gjë e thjeshtë për të kuptuar, se çdo system (si ai komunist), i cili e përjashton zemrën apo shpirtin herët a vonë ka për të përgatitur “fëmijë” të pakënaqur nga shoqëria dhe “librezat” e dala jashtë mode dhe çdo koncept afektiv, që lidhet me këto libreza. Ndaj tek “fëmijë” të tillë koncepte si përgjegjshmëria ndaj fjalëve dhe pozitës që mbajnë mbi supe ka për të qenë një fitore e egos së tyre të lënduar. Mutenebiu pati thënë: “Kuajt e bukur asgjë nuk vlejnë, nëse mbi kurriz fisnikun nuk e mbajnë.” Kam përshtypje se fisnikëria e humbur zor se rifitohet me kalimin e situatave dhe sistemeve, aq më tepër kur këto mbahen nga njerëz që shpirtin e shohin nëpërmjet  syve të interesit dhe përçmimit të parimeve. Sot nëse do të kuptosh situatën morale dhe shoqërore mjafton të bësh një udhëtim nëpër burgjet e Shqipërisë, atje do të kuptosh shumëçka. Realisht ky personazhi i kollarisur, i cili duket si kalorësi i ndriçuar i drejtësisë në sytë e mij është shumë më poshtë sesa ata të burgosur, që ndoshta nuk e kam e pasur luksin të kishin një “librezë” kursimesh dhe as prindër me premtime të mbajtura përgjysmë. Por ata priten vërtet që ai fëmijë të rritej, të shkollohej dhe të mbronte parimet për të cilat i folën shumë librat, që ai lexoi me kërshëri gjatë periudhës, që u formua si përfaqësues i të “mirës” dhe drejtësisë. Dikur në vendet e qeverisur nga gjykatësit islam, shtëpitë e tyre shërbenin si vend pritje për hallexhinjtë dhe palët në konflikt. Sot është bërë klubi destinaconi i preferuar i çdo përfaqësuesi të drejtësisë për të mbyllur çdo pazar me jetën dhe liritë e njerëzve. Ka qenë e njohur, se guvernatori i Othmanit në Kufe nuk ka patur derë në shtëpi dhe i ka pranuar njerëzit në çdo kohë. Kjo tregon se njerëzit e kishin lirinë për të ardhur dhe për t’u takuar me guvernatorin pa ndonjë problem sa herë të kishin arsye! Ai e kishte një dhomë ngjitur me shtëpinë, e cila ishte e hapur për njerëzit, sa herë që dëshironin të vinin dhe ta takonin. “El Vilaje ala el buldan 2/82”

Realisht pyetja sesi mundet të rregullohet i gjithë ky lëmsh pa e shtrirë edhe më tej dëmin është një pyetje, që nuk ka përgjigje të thjeshtë, por nëse do të më pyesnin një përgjigje (apo zgjidhje) do të ma përshkonte zemrën time. Ajo ku kultura fetare të fillojë të mbillet në vend të drogës, krimit dhe “kollareve” antikushtetuese. Minimalisht kultura fetare do të përpiqet t’i japi shpresë edhe pesimistit më të madh të këtij rruzulli tokësor. Dikush prej të parëve tanë  personit që e pyeti, se kishte kryer vrasje dhe a kishte pendim për të, i recitoi ajetet e para të sures Gafir dhe i tha bëj të mira,  që këtej  e tutje dhe mos u dëshpëro.

Allahu thotë në të: Ha, Mim.

 Kjo shpallja e librit është prej Allahut, Fuqiplotit, të Gjithëdijshmit.  I cili fal mëkatin dhe pranon pendimin, dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Tek Ai është e ardhmja e çdokujt.” Gafir 1-3.