Çështja Tahiri, ja pse gjykata e ktheu çështjen nga e para

Një muaj pasi mori vendimin për të rikthyer në gjykim në shkallën e parë çështjen e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish drejtorit të Policisë së Vlorës Jaeld Cela, Apeli i Posaçëm ka zbardhur edhe arsyetimin e vendimit. Sipas argumentimit të bërë nga Apeli i Posaçëm, theksohet se Prokuroria ka qenë kontradiktore në ngritjen e akuzave. Gjykata, theksohet në vendim 25 faqesh, ngriti akuzë të re për Tahirin, ndërkohë që si ish ministrit , ashtu edhe Jaeld Çelës nuk iu dha mundësia që të mbroheshin për akuzën.

Në vendim thuhet se Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të Kodit të Procedurës Penale, se në këtë rast nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që atribuohet nga Prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe për më tepër, nuk u është atribuar kultivimi i narkotikëve apo dhe përhapja e kultivimit në Shqipëri. E lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit dhe asgjësimit të narkotikëve në datat 13.09.2016 dhe 04.10.2016 dhe 18.10.2017.
Ndër të tjera aty thuhet se “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nuk arrihet të provohet bashkëpunimi mes të pandehurve”.

Kujtojmë se 27 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit ktheu për rigjykim dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtorit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela. Kjo dosje do të nisë gjykimin e saj edhe një herë nga fillimi në Shkallë të Parë, ndërsa trupa gjykuese u shpreh gjatë seancës se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri. Vendimi i Shkallës së Parë që e dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove është rrëzuar tashmë dhe ish-ministri do të nisë betejën nga fillimi me drejtësinë. Ai do të gjykohet për tri vepra penale: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ish-Prokuroria e Krimeve të rënda, tashmë SPAK, duhet të gjejë prova bindëse për gjykatën lidhur me tri akuzat e lartëpërmendura ndaj ish-ministrit Tahiri. Gjykimi në Shkallën e Parë ndaj tij, do të zhvillohet normalisht mbi akuzat e ngritura nga organi i akuzës dhe vendimi pritet të jepet vetëm për akuzat e çështjes në gjykim pa “lindur” ndonjë akuzë e re në përfundim të gjykimit ndaj të pandehurve. Ky ishte edhe shkaku që Apeli riktheu procesin nga e para.