Pakistani i shqetësuar nga përhapja e Islamofobisë në Evropë

Administrata e Pakistanit njoftoi se është shqetësuar nga përhapja e Islamofobisë në Evropë dhe se “duhet menjëherë të merren masa” në lidhje me këtë.

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Pakistanit thuhet se është zhvilluar nëpërmjet videokonferencës mbledhja e pestë e “Dialogut Strategjik midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Pakistanit”, të bashkëkryesuar nga kryediplomati pakistanez, Shah Mahmood Qureshi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Në deklaratë thuhet se Qureshi përfaqësuesit të BE-së i ka thënë se muslimanët në mbarë botën, përfshirë edhe ato në Pakistan, janë të shqetësuar nga tendenca në rritje e Islamofobisë në disa shtete të Evropës, duke bërë thirrje se “duhet menjëherë të merret masa” në lidhje me këtë.

Më tutje, sipas deklaratës, në mbledhje janë trajtuar edhe çështjet e tjera rajonale dhe globale, përfshirë edhe gjendjen aktuale të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), duke theksuar se të dyja palët kanë ndarë masat për të pakësuar ndikimet negative socio-ekonomike të pandemisë.

Në mbledhje gjithashtu është rishikuar “Plani Strategjik i Angazhimit Pakistan-BE” (SEP), i nënshkruar në muajin qershor. Të dyja palët kanë shprehur kënaqësinë lidhur me avancimin e zbatimit të planit në fjalë.