ULLIRI KANIN’JOT- PEMË E BEKUAR NGA ZOTI…

LAD HAXHIRAJ

Pemë e lashtë dhe misterioze, ulliri (Kanin’jot)

I bekuar është, pa dyshim!

Digjet nga zjarri nga rrufeja, e presin barbarët nga injoranca apo krasitësit nga padituria,

ai rilind përsëri duke çelur lastarë nga rrënjët, me një imunitet të paparë tek ullinjtë (varietetet) e tjerë (785 janë në tërë botën).

Ullastra është ekstremisht e fortë dhe rrënjëzon edhe në kushte të nxehta, gati thatësire, duke prodhuar masë vegjetative drunore të bollshme çdo vit, si dhe një numër lastarësh ose kërcejsh të gjelbër, që dalin nga rrënja dhe nëse nuk krasiten, krijojnë me shpejtësi një rritje të dendur tek fundi i pemës.

Ullinjtë e saj janë me tul dhe me bërthamë, tuli i tij përmban qelizat e mezokarpit, të cilat prodhojnë pikëzat e vogla të vajit.

Produkti final i fotosintezës, vaji i ullirit, është një mjedis për grumbullimin e energjisë me efikasitet të lartë për klimën e thatë. Vaji ushqen filizat e ullirit, që mbijnë nga bërthama dhe ndihmon në rregullimin e rritjes dhe të zhvillimit të filizit.

Sapo një ulli ndahet nga pema nënë, enzimat e çliruara brenda tij zbërthejnë vajin në një si tip komposto të ujshme, të pasur me mikroorganizma, një mikromjedis ideal për mbirjen e farave në shkretëtirë.

Ende kjo bujari e ullirit mbetet enigmë!

Për ata që lexojnë Kuranin dhe besojnë një Zot, e dinë shumë mirë, se nga vjen dhe sa e bekuar është: “Pasha fikun dhe ullirin! (Ue tini ue zejtuni)” (Tin 1), betohet Allahu në Kuran.

“Allahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet, as i lindjes e as i perëndimit, (i Mesit të Dheut) e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri.

Dritë mbi dritë. Allahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. E, këto janë shembuj për njerëzit.”

(Nur 35).

Një pemë ulliri prodhon shumë më tepër vaj nga sa kërkojnë farat e tij dhe për më tepër shumica e vajit, që përmbahet në një ulli humbet përpara se fara e tij të mbijë…

Ky në foto është një nga të paktët (30 rrënjë prej 2400), që trashëguam nga të parët tanë pas reformave staliniste të ndarjes së tokës në vitet e “demokërrcitjes”. Në vitin 1994 kur i rimorrëm ky ulli kishte një etiketë “monument natyre, ulli Kaninjot 750 vjeç”, të cilën e hoqën ata që e prenë keqas para pak vitesh (populli rural stalinist). Por ky rilindi për të më treguar mua, që e Mira triumfon edhe pse orvatjet e të liqve nuk reshtin.