Thirrje …

Nga Korab BLAKAJ

Lësho sytë mbi atdheun e përflakur

E shih si rënkon

Nuk ka fuqi të qajë e të rënkojë me za,

As të thërrasë

E peshë zemra të çojë

Është fikur

Rënkon e dënesë në shtratin e vdekjes.

Atdheu plak, i thinjuri Atdhe.

Mos e kuptofsh pyete, çke o vatan?

Afroju afër t’ia dëgjosh rënkimin ndoshta mallkimin

Që s’ju gjetën pranë Bijtë që i mëkoi e i rriti.

Po qan atdheu në heshtje

Pa mundur të bërtasë

E zemrat t’i shkundë nga gafleti

Po qan atdheu sa gjiri do t’i pëlcasë

Nga dhimbja që djemt s’i ka rreth veti

Nga eksodet rrugëve të botës

Po qan atdheu plak, po mallkon

Vdekja e tillë po e trishton

Dënesë

E nuk don të vdesë

Nga duart e bijve të tij të pabesë!

Rreth fytit kapur

Si çakejt rreth presë!

Pra vllazën

Vini veshin kësaj gjame

Zemërohuni një herë në emër të Kombit

A në Emër të Zotit po të doni…

Bërtisni njëzëri- Atdheu mbi të gjitha

Mbushni sheshet Bulevardet

E hiqni zvarrë horrat

Hiqni horrat nga pushteti

Që atdheun plak po e shuajnë!

E u bëmë gazi i botës

Rrogtarë të përbuzun të Europës

Hapni rrugë diturisë

Qoftë me vrullin e rinisë

Veç atdheun mos e leni të vdesë

Se në Zotin po ju bëj be’

Në vdektë i ngulfatur nga duart e horrave tanë,

Nuk kemi për të pasur kurrë tjetër atdhe!