‘Covid-19’/ Njeriu, dhe ‘rebelimi’ i tij ndaj Krijuesit!

Nga: Sali Shasivari

S’ka dyshim se, krijimi i njeriut dhe ekzistenca e tij – sikurse edhe krijesave tjera – është rezultat i Dëshirës Absolute të Krijuesit të gjithçkahit… Madje, të shumta janë argumentet praktiko-logjike, shkencoro-analitike, dhe empiriko-historike të cilat flasin mbi këtë të vërtetë të paluhatur…; bile-bile, dëshmi më e mirë mbi këtë të vërtetë të kristaltë është edhe dështimi i të gjitha mendimeve dhe teorive të cilat janë dhënë përkitazi me çështjen e krijimit dhe krijesave, duke filluar nga ato më ciniket e llojit të ‘rastësisë’, e deri te ato pseudo-shkencoret e llojit të ‘evolucionit’…

Realiteti është se, dikur në amshueshmëri, Allahu Fuqiplotë, në saje të Dëshirës së Tij absolute, përreth krijesave tjera, vendosi të krijojë qenien njeri…

Ai fillimisht krijoi shpirtërat e gjithë njerëzimit, duke mbjellur në to natyrën e pastër, ndjenjën e besimit, predispozitën e nënshtrimit ndaj Krijuesit, si dhe vlerat universale; dhe, prej tyre kërkoi të dëshmojnë mbi këto të vërteta, duke marë prej tyre besën që vijon: “Përkujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): ‘A nuk jam Zoti juaj?’ Ata thanë: ‘Po, dëshmuam!’. Të mos thoni në ditën e kijametit: ‘Ne nga ky (dëshmim) ishim të panjohur’”. (Kur’an: Sureja El-A’raf, Ajeti 172)

Mëpastaj, Allahu i Madhnueshëm vendosi që këtë qenie – njeri – ta përcaktojë si zevëndës dhe mëkëmbës të Tij në Tokë… “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!’…” (Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajeti 30); me ç’rast edhe krijoi njeriun e parë, Ademin alejhis-selam… “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj një njeri nga balta;” (Kur’an: Sureja Sad, Ajeti 71).

Madje, Allahu i Lartësuar kishte vendosur që qenien njeri ta fisnikërojë dhe ta ngrejë në gradat më të larta ndaj gjitha krijesave tjera, duke kërkuar nga engjujt që të përulen ndaj tij, në shenjë nderimi… “dhe kur ta kem përsosur atë dhe t’i kem dhënë nga ana Ime shpirt, ju menjëherë përuljuni atij (në sexhde)” (Kur’an: Sureja Sad, Ajeti 72). Mirëpo, në këto çaste, doli në pah simboli i së keqes dhe armiku i njeriut (lexo: mbarë njerëzimit), djalli i mallkuar…; me ç’rast, “Engjëjt të gjithë së bashku iu përulën, përveç Iblisit që ishte kryelartë dhe që u bë prej jobesimtarëve. (Zoti) Tha: ‘O Iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që Unë vetë e krijova? A bëre kryeneçësi, apo ke qenë prej atyre që shesin fodullëk?’ Ai (Iblisi) tha: ‘Unë jam më i mirë prej tij, mua më ke krijuar nga zjarri, e atë e krijove nga balta!’ (Zoti) Tha: ‘Dil pra prej tij (prej xhennetit), ti je i mallkuar. Dhe largimi prej mëshirës Sime ka për të përcjellë deri në ditën e gjykimit!’ Ai tha: ‘Zoti im, më jep afat deri në ditën e ringjalljes!’ (Zoti) Tha: ‘Po, je prej atyre të afatizuarve, deri në kohën e ditës së caktuar!’ Ai tha: ‘Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!’ (Zoti) Tha: ‘Pasha të vërtetën, e Unë e flas vetëm të vërtetën: Unë do ta mbush xhehennemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje!’”. (Kur’an: Sureja Sad, Ajetet 73-85).

Së këndejmi, fryti i parë i misionit djallëzor të Iblisit ishte mashtrimi që ia bëri Ademit alejhis-selam dhe bashkëshortes së tij, Havasë alejhes-selam; ngjarje këtë, të cilën Allahu i Gjithdijshëm e përshkruan në Kur’anin famëlartë me fjalët: “E Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, por mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj). Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose xhennetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në te, e Ne u thamë: “Zbritni (dilni), jeni armik i njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim”. (Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajetet 35-36)

Mbase, nxjerrja e Ademit alejhis-selam – dhe bashkëshortes së tij, Havasë alejhes-selam – nga xhenneti, dhe zbritja e tyre në tokë (për shkak të gabimit të bërë, ndonëse të falur nga Allahu), ishte në suaza të ligjit të Allahut ‘shkak-pasojë’… Kjo, ngase, njeriu ishte destinuar që të jetë zëvendës i Zotit në tokë… Mirëpo, shkaku i vendosjes së tij fillimisht në xhennet, u bë me qëllim të krijimit të ‘memorjes shpirtërore’ për atë botë të humbur (siç e quan Alija Izetbegoviç, Allahu e mëshiroftë), botë ajo, të cilën, njeriu duhet ta synojë në vazhdimësi, ngase, ajo është simbol i paqes, çiltërsisë, bukurisë, mirësisë, dhe pafundësisë…

Me të zbritur në tokë, sfidës djallëzore iu shtua edhe ‘djallëzia’ e brendshme të cilën e ngërthen në vehte qenia njeri; ‘djallëzi’ kjo, e cila, po qe se nuk kontrollohet, ajo arrin të dominojë mbi ‘memorjen shpirtërore’, duke bërë që njeriu të bjerë në gradat më të ulta… “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur. Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve. Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë”. (Kur’an: Sureja Et-Tin, Ajetet 4-6)

Përreth faktit që Allahu i Madhnueshëm – në saje të mëshirës së Tij të pafundtë – i dha njeriut mendje / logjikë, e la atë të lirë në veprimet e tij, dhe i zbriti atij ‘dritë’ dhe udhëzim, gjegjësisht shpallje dhe pejgamberë (me qëllim që mos e lejë njeriun / njerëzimin të hutuar dhe të humbur përballë sfidave të jetës, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne u thamë: ‘Dilni prej atyhit që të gjithë, e juve gjithqysh do t’u arrijë udhëzim prej Meje, e kush e pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen’” – Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajeti 38); megjithatë, njeriu, në saje të harresës, dobësisë së tij, dhe cytjeve të djallit, si dhe në saje të dëshirave dhe epsheve të pafundta, ai, jo rrallëherë, mohon të qenurit krijesë dhe rob i Zotit, devijon nga roli i ‘zëvendësit’ të Zotit në tokë, nëpërkëmb emanetin e të qenurit ‘mëkëmbës’ i Zotit në tokë, dhe humb rrugën e drejtë dhe të shpëtimit; duke rrezikuar – në këtë mënyrë – pozitën dhe mirëqenien e tij në këtë botë, si dhe pozitën dhe fatin e tij në Botën Tjetër… (“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot” – Kur’an: Sureja Ta Ha, Ajetet 124-126)

Në saje të këtij ‘rebelimi’ ndaj Krijuesit dhe udhëzimit të Tij, njeriu, jo vetëm që bën shumë padrejtësi ndaj vetvetes, por, ai bën shumë padrejtësi edhe ndaj vellëzërve të tij në njerëzi (bile-bile, edhe ndaj gjithçkahit tjetër që e rrethon), duke shkaktuar kriza, dhimbje, trazira, konflikte, luftëra, gjakderdhje, etj.

Për më tepër, në saje të cytjeve të shejtanit, nga njëra anë, dhe, si rezultat i dëshirave dhe epsheve të pafundta për ego, autoritet, fuqi, pasuri, dhe përjetësi, nga ana tjetër, ai (njeriu), përpos që ‘rebelon’ ndaj Krijuesit dhe udhëzimeve të Tij, ai, në disa raste, në funksion të së keqes, fillon të ‘aktrojë’ “Zotin”; duke u shndërruar në përbindësh dhe faraon…!

Kështu, përbindëshit e llojit të Nemrudit, dhe faraonët e llojit Ramsis II, nuk paraqesin vetëm figura historike, por paraqesin fenomene që përsëriten përgjatë historisë njerëzore, ndonëse në forma dhe metoda të ndryshme; duke bërë që ky fenomen historik, në kohët e sotme, të shndërrohet në agjendë satanike sistematike…!

Ashtu sikurse mbreti Nemrud – në kohën e Ibrahimit alejhis-selam – që pretendonte se është Zot, dhe se ai vendos se kujt t’ia merr jetën dhe kujt t’ia falë (siç e përshkruan Kur’ani famëlartë: “… Ai tha: “Edhe unë jap jetë dhe vdekje…”! – Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajeti 258), dhe sikurse faraoni Ramsis II – në kohën e Musait alejhis-selam – që thoshte: “… ‘Unë jam zoti juaj më i lartë!’” (Kur’an: Sureja En-Naziat, Ajeti 24), lista e përbindëshve dhe faraonëve – përgjatë historisë më të vjetër dhe më të re të njerëzimit, duke përfshirë edhe ditët e sotme – është tejet e gjatë. Dallimi i vetëm qëndron në atë se, përbindëshit dhe faraonët e kohërave më të reja – si dhe atyre të ditëve të sotme – nuk manifestohen detyrimisht si individë dhe persona të caktuar (me emër dhe mbiemër), por, të njejtët, paraqiten në formë të ideologjive, agjendave, aleancave, korporatave, grupeve të interesit, klaneve, kompanive, ndërmarrjeve, familjeve të caktuara, etj.; ndonëse, koncepti, qëllimi dhe misioni mbetet i njejtë, e, ai është nënshtrimi i masave të gjera, në emër të “interesit të përgjithshëm”, me qëllim të realizimit të interesave të ngushta të qarqeve që u përmendën!

Madje, aleanca e dikurshme e Faraonit (në cilësinë e udhëheqësit politik), Karunit (në cilësinë e pasanikut të korruptuar), dhe Hamanit (në cilësinë e propaguesit dhe realizuesit të urdhërave të Faraonit), duket tejet e ngjashme me aleancën e sotme famëkeqe në mes politikës, parasë dhe propagandës…! Bile-bile, duke marë parasyshë llojet e sofistikuara dhe përmasat e propagandës, manipulimit, kontrollit, nënshtrimit dhe robërimit, ndaj të cilave po ekspozohet njerëzimi i sotëm, mund të konkludojmë se, ‘robërimi’ i dikurshëm klasik ka qenë më i ‘kufizuar’, në krahasim me ‘robërimin’ e njeriut modern; kjo, sidomos, nën hijen e varësisë dhe nënshtrimit politiko-ekonomik, kontrollit dhe dirigjimit kulturo-social, si dhe manipulimit dhe mashtrimit propagandistiko-medial në botën aktuale!

Andaj, a thua vallë, cila është stretegjia të cilën e përdorin ‘djajtë’ në forma njerëzish – të cilët ‘aktrojnë’ “Zotin” – në funksion të nënshtrimit dhe robërimit të masave të gjera?!

Çuditërisht, përreth distancës së madhe kohore, metoda dhe strategjia e cila përdoret për nënshtrimin dhe robërimin e njerëzimit të sotëm, është shumë e ngjashme me metodën dhe me strategjinë që ndoqi Faraoni për nënshtrimin e egjiptianëve të dikurshëm, derisa i shndërroi në ndjekës të verbër në rrugën e shkatërrimit të vetes dhe të vendit të tyre. Kjo metodë dhe strategji konsistonte në frikësimin, përçmimin dhe uljen e vlerësimit, duke i bërë ato që të ndjehen të papeshë dhe të dobët (siç e përshkruan Kur’ani famëlartë: “Dhe ashtu ai e frikësoi popullin e vet, e ata e respektuan, por ata ishin vërtet popull i shkatërruar” – Kur’an: Sureja Ez-Zuhruf, Ajeti 54). Arsyeja që e shtyu Faraonin ta bëjë një manipulim të këtillë me popullin e vet, ishte frika dhe pasiguria e tij personale për të ardhmen; sidomos nën hijen e profecisë së fallxhorëve dhe astrologëve të cilët i kishin treguar se, shkak për mbarimin e sundimit të tij do të bëhej një prej izraelitëve, gjegjësisht, pejgamberi i Zotit, Musai alejhis-selam; andaj, ai tentonte me çdo kusht që populli t’i bindej dhe nënshtrohej atij. Ndërsa, shkaku se pse populli iu bind dhe ra nën ndikim të manipulimeve të Faraonit, ishte si rezultat i asaj se, ai popull ishte i korruptuar, i degraduar, i pacipë, dhe i shkatërruar (fasik)…

S’do mend se, kjo ngjarje vlen për të kuptuar, jo vetëm marrëdhënien e Faraonit me egjiptianët, por edhe marrëdhënien e çdo udhëheqësi politik që i përngjason Faraonit, me popullin e tij. Kjo, ngase, pa mbështetjen e gjerë në popull, Faraoni nuk do të kishte mundur asnjëherë të arrinte atë shkallë të lartë vetëpëlqimi, dhe të rebelohej me aq arrogancë ndaj mesazhit profetik të Musait alejhis-selam.

E, shkaku i gjithë kësaj është i thjeshtë; zemrat të cilat janë të zbrazura nga frikë-respekti ndaj Krijuesit, detyrimisht do të mbushen me frikë ndaj krijesave…; dhe se, njeriu që nuk i nënshtrohet Allahut, padyshim se do t’u nënshtrohet krijesave…

Një të vërtetë të këtillë e rezimoi me pak fjalë shoku i Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ve sel-lem), Rib’ij ibn Amir, i cili, si njeri që ishte edukuar në shkollën pejgamberike, mesazhin islam e përkufizoi si vijon: “Allahu na dërgoi që t’i nxjerrim njerëzit: nga robëria ndaj robërve tjerë, tek robëria ndaj Zotit të robërve; nga ngushtësia e kësaj jete, tek gjërësia e kësaj jete dhe Botës Tjetër; dhe, nga padrejtësia e feve, tek drejtësia e Islamit”.

Andaj, zgjidhni dhe merrni…