Reflektime mbi krizën ‘Covid19’/ Njeriu, dhe ‘lufta’ e pakompromis ndaj Fesë!

Nga: Sali Shasivari

S’do mend se, njeriu, për nga natyra, është qenie religjioze / fetare… Besimi është pjesë e pandashme e qenies njeri, në çdo kohë, në çdo vend, dhe në çdo rrethanë… “Nëse përshkojmë botën, është e mundur të gjesh qytete pa mure, pa letra, pa mbretër, pa pasuri, pa monedhë, pa shkolla dhe pa teatro; por, një qytet pa tempull, ose që nuk praktikon adhurim, lutje dhe të ngjashme, nuk ke për të parë kurrë”, thoshte filozofi, biografisti, eseisti dhe prifti grek, Plutarku. Bile-bile, edhe ateistët më të mëdhenj kanë deklaruar se, përreth mosbesimit të tyre, ata, kur ndodhen në ndonjë rrezik për jetën, megjithatë, shpresat dhe lutjet e tyre ia drejtojnë një ‘fuqie metafizike’… Kjo, ngase, besimi është thellë i ngulitur dhe i mishëruar në natyrën njerëzore…

Madje, mosbesimi, agnosticizmi, besimet e gabuara, politeizmi, etj., nuk janë gjë tjetër përpos reflektime të thyera dhe të deformuara të besimit të vetëm dhe të vërtetë; forma këto, të cilat marrin trajta dhe ngjyrime të ndryshme, si rezultat i ndikimit të shumë faktorëve të jashtëm, duke filluar nga ndikimi i prindërve, familjes së ngushtë, rrethit më të gjerë familjar, shoqërisë, vendit, rrethanave kohore, kulturës dhe civilimit dominues, etj., e deri te përcaktimet personale – në saje të lirisë së dhënë nga Zoti – përkitazi me bindjet, dëshirat, ambicjet, interesat, etj.

Përndryshe, natyra e pastër njerëzore (Fitrah), dëshmia e dhënë në amshueshmëri (Shehadeti), dhe memorja shpirtërore e parajsës së humbur, secila prej tyre ngërthen në vehte kodin e njohjes, besimit dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit Absolut dhe Zotit të Botërave, Allahut të Madhnueshëm. Në saje të kësaj, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Çdo fëmijë lind me natyrshmërinë e pastër të islamit, mirëpo prindërit e bëjnë hebre, të krishter, ose zjarrputist” (Hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi).

Kjo, ngase, nëse jemi të bindur se Zoti është Një (pasi, në saje të gjitha argumenteve të mundshme logjike, kozmologjike dhe praktike, është absurde ekzistimi i zotrave dhe hyjnive tjera), atëherë, si është e mundur që Zoti Një ta ‘mashtrojë’ njerëzimin, duke ofruar fe dhe alternativa të ndryshme dhe kontradiktore, e, që më në fund, të gjithëve të ju ofrojë shpërblimin e njejtë, gjegjësisht parajsën e premtuar?!

Realiteti është se, Allahu i Lartësuar, me të krijuar njeriun, në natyrën e tij ‘mbolli’ ndjenjën e besimit dhe vlerat e larta morale, me qëllim që të jenë garancë për kultivimin dhe mbrojtjen e natyrës së pastër njerëzore… Thotë Allahu i Madhnueshëm: “Përqëndro vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fé), feja e All-llahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga All-llahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Kur’an: Sureja Er-Rum, Ajeti 30).

Kur filluan devijimet dhe përçarjet në mes njerëzve – si rezultat i dëshirave, epsheve dhe interesave, Allahu i Lartësuar dërgoi udhëzim nga ana a Tij, përmes shpalljeve dhe pejgamberëve. Thotë Allahu Fuqiplotë: “Njerëzit ishin një popull (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) All-llahu dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre Ai u zbriti edhe librin me fakte të sakta për të gjykuar në atë që u kundërshtuan ndërmjet veti. Në atë (libër) kundërshtuan vetëm ata që kishin libër (ithtarët e librit). E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në te (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë), nga zilia ndërmjet tyre, mirëpo All-llahu me mëshirën e Tij i udhëzoi ata që besuan tek e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar. All-llahu e vë në rrugë të drejtë atë që dëshiron”. (Kur’an, Sureja El-Bekare, Ajeti 213)

Mirëpo, duke marë parasyshë faktin se, feja, normat fetare dhe morale, mesazhet me të cilat vinin shpalljet, si dhe udhëzimet me të cilat vinin pejgamberët…, të gjitha këto, shpeshherë binin ndesh me apetitet e pangopura të individëve dhe grupeve të caktuara…; si rezultat i këtyre normave dhe ‘kufizimeve’, të cilat ‘i prishnin llogaritë’ e disa sosh prej njerëzve, të njejtët njerëz, në shenjë revolte, herë mbysnin pejgamberët (realitet këtë të cilin Allahu i Gjithdijshëm e përshkruan në Kur’anin Famëlartë me fjalët: “Ata që mohojnë argumentet e All-llahut, mbysin pejgamberët pa farë të drejte, mbysin edhe njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata lajmëroi për një ndëshkim të dhëmbshëm e pikëllues” – Kur’an, Sureja Ali Imran, Ajeti 21), siç ndodhi me shumë pejgamberë të cilët u vranë nga Beni Israilët; e, herë falsifikonin shpalljet hyjnore, siç ndodhi me shpalljet e mëhershme, gjegjësisht Teuratin (Dhjatën e Vjetër, apo Torën), Zeburin (Psalmet, apo Libri i Psalmeve) dhe Inxhilin (Dhjatën e Re, apo Ungjillin)…!

Ky trend i vrasjes së pejgamberëve dhe falsifikimit të shpalljeve vazhdoi deri në kohën e ardhjes së Muhammedit sal-la-llahu alejhi ve sel-lem, dhe zbritjes së Kur’anit Famëlartë…

Kështu, duke marë parasyshë faktin se, Caktimi Absolut i Allahut Fuqiplotë ishte që, në procesin e ripërtëritjes së Islamit si fe, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem të jetë pejgamber i fundit, si dhe, Kur’ani Famëlartë të jetë shpallje e fundit; në saje të këtij Caktimi, Allahu i Madhnueshëm vendosi që, jeta e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem të jetë e garantuar, duke e pamundësuar vrasjen e tij, deri sa të vijë momenti i vdekjes së caktuar nga ana e Allahut; si dhe, garantoi mbrojtjen e Kur’anit dhe autenticitetit të tij, deri në Ditën e Gjykimit.

Në saje të këtyre dy Vendimeve Hyjnore, dhe në pamundësi të asgjësimit të këtyre dy shtyllave dhe shkaqeve të udhëzimit, filloi lufta e pakompromis dhe afatgjate kundër kësaj Feje Hyjnore…

Në shekujt e parë – pas ripërtëritjes së Islamit me ardhjen e Muhammedit sal-la-llahu alejhi ve sel-lem dhe zbritjes së Kur’anit Fisnik – Islami dhe pasuesit e tij ndërtuan një kulturë dhe civilizim të paparë deri atëherë, duke krijuar atë që quhet ‘periudha e artë e kulturës dhe civilizimit islam’, e cila zgjati mbi një mijë vite, u përhap në pjesën më të madhe të globit, dhe i ofroi njerëzimit shumëçka, në gjitha sferat e jetës, duke filluar nga besimi, normat morale, kodi etik, vlerat e së drejtës, etj., e deri tek fushat e shkencës, artit, zhvillimit, progresit, etj.

Mirëpo, me fillimin e rënies graduale të civilizimit islam, si rezultat i dobësimit të brendshëm dhe sulmeve të jashtme, bashkë me të, filluan të zbehen edhe frytet e këtij civilizimi…

Paralelisht me rënien e civilizimit islam, në rrotën historike dhe civilizuese filloi të ngritet civilizimi perendimor…

Bota perendimore, e cila kishte kaluar plotë dhjetë shekuj në errësirën mesjetare, tashmë kishte filluar të zgjohej nga letargjia dhe obskurantizmi…; sidomos, falë reflektimit të kulturës dhe civilizimit islam…

Ndonëse perendimi dhe perendimorët përfituan, morrën, dhe adoptuan shumëçka nga kultura dhe civilizimi islam, duke përvetësuar shumë libra, njohuri, shkenca, të arritura, etj., gjëja e vetme ndaj së cilës kishin rezervë dhe averzion, ishte Islami si fe, edhe atë, nga njëra anë, për shkak të urrejtjes ideologjike që kishin ndaj kësaj feje të pastër…; dhe, nga ana tjetër, nga shkaku se, parimet, principet, normat dhe rregullat islame paraqitnin kufizime dhe pengesa përballë apetiteve dhe ambicjeve të tyre të shthurrura…!

Nën hijen e kësaj rezerve dhe averzioni që kishin ndaj Islamit si fe, si dhe, nën hijen e përvojës së hidhur që kishin patur shekuj me rradhë me fenë e tyre krishtere, të falsifikuar dhe të manipuluar, dhe me klerikët e tyre të krishterë, të alienuar dhe të korruptuar; elitat dhe bartësit e civilizimit-perendimor-në formim, vendosën të krijojnë një civilizim dhe një botë të re, pa Zot dhe pa Fe…!

Së këndejmi, ata, këtë periudhë e emëruan si periudhë e Humanizmit dhe Renesansës…!

Humanizmi, si një vështrim “racionalist”, ose sistem mendimi që i kushton rëndësi më të madhe çështjeve njerëzore, sesa atyre hyjnore ose mbinatyrore, kishte për qëllim që njeriun ta vëndojë në epiqendër të gjithçkahit, bile-bile edhe të universit në tërësi… Në këtë mënyrë, ata, praktikisht, Zotin e zëvendësuan me qenien njeri, duke e shpall njeriun “Zot”…!

Ndërsa, Renesansa, si lëvizje kulturore, e cila u distancua nga skolastizmi mesjetar dhe ringjalli interesin për mendimin e lashtë grek dhe romak, kishte për qëllim që të zëvendësojë fenë me bindjet e lashta pagane greko-romake… Në këtë mënyrë, ata, praktikisht, bënë ringjalljen e politeizmit klasik…!

Në saje të kësaj, Humanizmi dhe Renesansa ishin dy shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtua fillimisht civilizimi perendimor…!

Me kalimin e kohës, dhe në suaza të këtyre dy qëndrimeve, pasuan shumë deformime dhe devijime…; gjithmonë në shërbim dhe përforcim të dy shtyllave të lartëpërmendura…!

Pas kësaj periudhe, filloi lufta sistematike ndaj fesë…!

Kështu, lufta e dikurshme e kishës dhe klerit fetar ndaj dijes dhe dijetarëve, u shndërrua në luftë të dijes dhe dijetarëve kundër kishës dhe klerit të saj; me përkrahje të plotë nga masat e gjera…!

Rrjedhimisht, menjëherë pas Humanizmit dhe Renesansës, pasuan një sër qasjesh, teorish dhe ideologjish, duke filluar nga Racionalizmi, Natyralizmi, Kapitalizmi, Materializmi, Idealizmi, Socializmi, Komunizmi, Fashizmi, etj., e deri te Psikoanaliza, Relativizmi, Ekzistencializmi, Nihilizmi, Hedonizmi, etj., të cilat, nën pretendimin e çlirimit të njeriut nga Zoti dhe Feja, e xhveshën atë nga çdo lloj vlere dhe shenjtërie; duke krijuar – në këtë mënyrë – njeri pa shpirt, pa ndjenja dhe pa arsye të shëndoshë…!

Përmes krijimit të një bote të këtillë, pa Zot dhe pa Fe të vërtetë, tregtarët e fateve njerëzore arritën që ta nënshtrojnë dhe robërojnë qenien njeri deri në përmasa ekstreme, duke mundësuar manipulimin – me njeriun si individ, dhe me masat e gjera dhe me turmat njerëzore si kolektiv – në gjitha sferat e jetës…!

Kjo, për shkak se, njeriu, kur e humb besimin e tij në Zotin Një, si dhe bindjen e tij të vertetë fetare, ai, bashkë me to e humb edhe lirinë, dinjitetin dhe integritetin e tij; kjo, ngase, liria, dinjiteti dhe integriteti njerëzor, burimin e kanë nga Zoti dhe Feja Hyjnore…

E, për pasojë, ai (njeriu) shndërrohet në objekt dhe kafshatë që lehtë manipulohet dhe kapërdihet…!

I Lartësuar qoftë Allahu, i Cili, në Kur’anin Famëlartë thotë: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni”. (Kur’an: Sureja El-En’am, Ajeti 153)