Denatyralizimi i Ekonomisë: Mutacioni Giveaway

Julian SARAÇI *

Zhvillimet e pandalshme teknologjike, shpejtësia dispropocionale e globalizimit dhe rritja e produktivitetit në çdo industri ka prodhuar një denatyralizim të ekonomisë reale; pikërisht ashtu sic ne nuk do e donim duke prodhuar mutacione individuale dhe sociale që përvec dëmit nuk sjellin asgjë tjetër. Në disa rreshta fjalësh dhe në një përpjekje për të kuptuar thelbin e gjësë do të ndalemi në Biznesin e Giveaway; një nga mutacionet e ekonomisë reale.

Koncepti i Giveaway

Giveaway është një koncept biznesi që bazohet mbi një kombinim të llotarisë dhe marketingut duke shfrytëzuar padijen ekonomike dhe matematikore të njerëzve që marrin pjesë. Në thelb, giveaway është një bast që vendoset; ku pjesëmarrësi bën tag, like, apo komente dhe ka një probabilitet më pak se 0.001% që të shpallet fitues.

Pra, probabilisht pjesëmarrësit e kanë të pamundur për të fituar; por ato prapë përpiqen se fundja nuk humbin gjë përvec kohës në rrjete sociale. Sigurisht, dikush mund të shtojë se ka elemente padrejtësie në përzgjedhjen e fituesit apo manipulime të kritereve, por edhe pa këtë prapë është pothuajse e pamundur si një bast për t’u fituar.

Nga ana tjetër, bizneset që ndiqen përfitojnë ndjekëse, numra të mëdhenj profilesh që i ndjekin dhe për këtë ato paguajnë organizatorin e giveaway nga 100 euro në 1000 euro në Shqipëri në varësi të shumë elementëve.

Por, ato nuk e kuptojnë që edhe pse mund të ndiqen nga mijëra, vetëm një pjesë e këtyre mund të jenë të interesuar, dhe një pjesë e papërfillshme mund të kthehet në blerës real. Në fakt, shumica nuk vazhdojnë t’i ndjekin akoma pas përfundimit të giveaway. Pra, edhe si një vendimarrje komunikimi dhe marketing ka pasiguritë dhe dilemat e veta.

Organizatori bën koordinimin midis pjesëmarrësve dhe bizneseve duke marrë një shumë të madhe parash që mund të arrijë dhjetëra mijëra euro në muaj në varësi të madhësisë së giveaway dhe audiencës.

Organizatori paguhet nga kompanitë dhe u premton pjesëmarrësve dhurata, ku në fakt vetëm disa janë fitues. Ky marzh joproporcional dhe jo normal për një logjikë biznesi buron pikërisht nga fakti që bazohet në koncept bixhozi, llotarie apo spekulimi.

Dëmet që sjellin në ekonomi

1. Rrit padrejtësinë sociale pasi dikush paguhet jashtëzakonisht shumë duke mos bërë ndonjë gjë të madhe përvec celularit dhe vetëm se shteti akoma nuk ka mekanizma për ta kontrolluar si veprimtari të rrezikshme të bazuar në llotari, spekulim dhe spektakël. E gjithë kjo bëhet duke abuzuar me besimin dhe padijen e pjesëmarrësve.

2. Parazitizmi i individëve pasi mbajtja e një faqeje me aktivitet kërkon shumë kohë të shpenzuar në rrjete sociale. Pra, të rinjtë mund të fokusohen online me giveaway dhe të neglizhojnë profesione e zanate që zgjidhin probleme të vërteta.

3. Dëmtim i ekonomisë reale, pasi e gjithë kjo energji e kanalizuar në këto veprimtari nuk ka asnjë ndikim direkt mbi ekonominë reale; në fakt nëse do e marrim në total global industrinë e giveaway ka një shpërdorim të madh të burimeve dhe energjive që mund të kanalizohen në industri më productive si prodhimi, bujqësia apo industritë e ngjashme.

4. Sipas studimeve më të fundit, këto lloj qasjesh ndaj jetës në përgjithësi dhe sigurimit të jetesës në vecanti janë provuar që shkaktojnë crregullime psikologjike që reflektohen në nivel individual, familjar dhe social.

Së fundi, kjo mbështetet edhe nga studime të shumta që janë bërë mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe trajtimit të individit si “user” dhe jo si njeri që ndjen dhe mendon. Pra, shton kontributin në përdorimin e informacioneve personale për qëllime politike, biznesi apo edhe kriminale.

Për ta mbyllur, këto lloj mutacionesh rrezikojnë që të krijojnë flluska të mëdha financiare të tejmbushura plot, që në afatgjatë dhe të marra në total jo vetëm dëmtojnë individët pjesëmarrës dhe vetë organizatorët; por rrezikojnë të dëmtojnë ekonominë në kombinim me mutacionet e tjera që kanë sjellë teknologjitë e përparuara të komunikimit, lëvizjet e ideve në cast me anë të globalizmit dhe lakmia njerëzore për pasurim të shpejt.