Reflektime mbi krizën ‘Covid19’/ Islami, ‘fajtor kujdestar’ në ‘bankën e të akuzuarve’

Nga: Sali Shasivari

Ashtu siç u përmend në shkrimet paraprake, besimi në Zotin Një dhe bindja ndaj Fesë së Vërtetë (Islamit), kanë paraqitur çdoherë pengesë dhe ‘hal në sy’ ndaj atyre të cilët kanë apetite të tepërta të dëshirave, epsheve, interesave, dhe djallëzisë në brendësinë e tyre…!

Së këndejmi, përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, do të shohim tentativa të vazhdueshme dhe luftëra të pakompromis ndaj këtij besimi monoteist dhe kësaj feje të natyrshme, edhe atë, herë përmes akuzave të pabaza dhe shtrembërimit të fakteve, herë përmes falsifikimit të shpalljeve dhe mesazheve hyjnore, herë përmes vrasjes së pejgamberëve të Allahut dhe linçimit të ‘trashëgimtarëve’ të tyre (e që janë për qëllim dijetarët), e, herë përmes luftës dhe persekutimit të besimtarëve…!

I këtillë ishte rasti dhe fati me gjitha shpalljet dhe mesazhet e mëhershme hyjnore përgjatë historisë së njerëzimit…!

Ky ‘trend’ vazhdoi deri në kohën e ardhjes së Muhammedit sal-la-llahu alejhi ve sel-lem, si pejgamber i fundit, dhe zbritjes së Kur’anit Famëlartë, si shpallje e fundit.

Duke marë parasyshë Caktimin Absolut të Allahut Fuqiplotë, që, në procesin e ripërtëritjes së Islamit si fe dhe platformë jetësore për njerëzimin deri në Ditën e Gjykimit, Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem të jetë pejgamber i fundit (me të cilin do të kurorëzohet misioni pejgamberik), si dhe, Kur’ani Famëlartë të jetë shpallje e fundit (me të cilin do të kompletohet shpallja hyjnore); në saje të këtij Caktimi, Allahu i Madhnueshëm vendosi që, jeta e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem të jetë e garantuar deri në përmbushjen e misionit të tij, ndërsa, Kur’ani dhe autenticiteti i tij të jetë i garantuar deri në Ditën e Gjykimit.

Në saje të këtyre dy Vendimeve Hyjnore, dhe në pamundësi të asgjësimit të këtyre dy shtyllave dhe shkaqeve të udhëzimit…; si dhe, duke marë parasyshë faktin se, Islami – si sistem i plotë jete – është tejet i vështirë për t’u manipuluar dhe linçuar, ngase Allahu Fuqiplotë e përsosi dhe e kompletoi atë në të gjitha aspektet (“… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. …” – Kur’an: Sureja El-Maide, Ajeti 3), si dhe e mbrojti dhe garantoi atë nga të gjitha rreziqet dhe sulmet (“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”- Kur’an: Sureja El-Hixhr, Ajeti 9)…; në saje të gjithë kësaj, u ‘shpall luftë’ e pakompromis dhe afatgjate kundër kësaj Feje Hyjnore, luftë kjo, në të cilën, u përdorën – dhe vazhdojnë të përdoren – metoda të ndryshme të propagandës, akuzave, si dhe persekutimit të besimtarëve!

A thua vallë, pse, çdoherë, Islami shpallet ‘fajtor kujdestar’, dhe vendoset në ‘bankën e të akuzuarve’?!

Përgjigjja e shkurtër ndaj kësaj pyetje qëndron te fjala e urtë: ‘Pema që ka kokrra gjuhet me gurë’… Ndërsa, përgjigja e detajuar ndaj kësaj pyetje është tejet e gjatë dhe komplekse. Por, në këtë kontekst, mjafton të përmendim në mënyrë telegrafike faktet që vijojnë:

1. Islami, në thelb të tij ka besimin dhe nënshtrimin ndaj Krijuesit, duke e çliruar – në këtë mënyrë – njeriun nga çdo nënshtrim dhe robëri tjetër…; gjë kjo, e cila bie ndesh me apetitet e ‘tregtarëve’ të fateve njerëzore për dominim social, ekonomik dhe politik ndaj vëllezërve të tyre në njerëzi…

3. Islami ngërthen në vehte përmbajtje, oferta dhe zgjidhje, të cilave nuk mund të ju bëjë dot ballë asnjë filozofi, ideologji apo platformë… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, ‘preventiva është më e mirë se kurimi’…

4. Islami si nocion, koncept dhe përmbajtje, është tejet i gjërë. Ai është fe dhe sistem jete, besim dhe ligj, udhëzim dhe rregulla, moral dhe norma, etj., dhe, si i tillë, ai është tërësi që nuk pranon të ndahet, ngase, t’e ndash atë d.m.th. t’e vdesësh atë. Së këndejmi, një realitet i këtillë paraqet pengesë serioze për të gjithë ata të cilët pretendojnë se duhet të kenë monopol mbi të gjitha çështjet e kësaj jete, dhe se, besimi dhe besimtarët duhet izoluar brenda mureve të zemrës dhe të faltoreve; kjo, konform maksimës së njohur: ‘Jepja Cezarit gjërat që janë të Cezarit; dhe jepja Zotit gjërat që janë të Zotit’… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, kjo fe, meqë nuk pranon të ndahet, ajo duhet luftuar si tërësi…

5. Islami është fe që i lufton bestytnitë, nënshtrimin ndaj krijesave, padrejtësitë, egon, interesat e ngushta, dëshirat dhe epshet e pakontrolluara, trazirat, gjakderdhjen, etj.; gjëra këto të cilat bien ndesh me apetitet e tregtarëve të fateve njerëzore, dhe gjithë atyre të cilët ‘aktrojnë’ Zotin…

6. Islami paraqet antipodë të planeve ogurzeza, të padrejta dhe djallëzore… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, asgjësimi i këtij ‘kundërshtari të denjë’, këtij ‘oponenti potencial’, dhe kësaj ‘alternative’, është prioritet mbi prioritetet…

7. Islami, sa herë që lihet i lirë dhe nuk luftohet, ai përhapet me shpejtësi dhe kaplon mendjet dhe zemrat e gjithë atyre që kanë mendje të hapur, logjikë të shëndoshë, zemër të pastër dhe ndërgjegje të gjallë… Andaj, sipas armiqëve të Islamit, është e domosdoshme lufta e vazhdueshme ndaj tij, edhe atë, nëse jo për zhdukjen e tij të plotë (gjë kjo e pamundur, ngase, mbijetesa e Islamit si fe është garantuar nga ana e Krijuesit të Gjithësisë), së paku të bëhet njollosja e tij, dhe ngadalësimi i hovit të tij…

Këto, dhe shumë të vërteta dhe arsye tjera, bëjnë që, Islami, sikurse përgjatë historisë, poashtu edhe në ditët e sotme, të jetë ‘hal në sy’ për çdo individ, grup dhe ‘bandë’, të cilët, egon, dëshirat dhe interesat e veta i kanë vënë mbi / dhe në llogari të çdo interesi tjetër…!

Në saje të kësaj që u tha, dhe si rezultat i dominimit të kulturës dhe civilizimit perendimor në kohërat më të reja, të shumta kanë qenë tentimet që, problemet e Krishterizmit Mesjetar të gjeneralizohen dhe t’i mveshen Islamit si fe dhe sistem jete…; çdoherë, duke u nisur nga maksima se ‘sulmi është më i mirë se mbrojtja’!

Kështu, ata, në saje të mendësisë kryqtare dhe islamofobe, sikurse në të kaluarën, edhe në të tashmen, u munduan / dhe mundohen të hedhin paralele – në shumë aspekte – në mes Krishterizmit Mesjetar dhe Islamit…

Në këtë aspekt, do të mjaftoj së cituari dëshminë e historianes, autores, dhe komentatores së njohur mediatike – në nivel botëror – në sferën e religjioneve, si dhe në sferën e rolit të religjioneve në botën moderne, e cila ka shkruar mbi 30 libra në lidhje me fetë dhe religjionet (në mes tyre, disa mbi Islamit dhe Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem), shumica e të cilave libra kanë qenë ndër më të shiturat në nivel botëror (‘best-sellers’)… Bëhet fjalë për Dr Karen Armstrong (nga Britania e Madhe, e cila jetën e saj e kishte nisur fillimisht si murgeshë katolike, e që, mëpastaj e braktisi), e cila, në një nga ligjeratat e saj thotë:

“Islamofobia jonë është shumë e vjetër në botën perendimore… Ajo daton që në kohën e Kryqëzatave; kohë kjo në të cilën Evropa kishte filluar të çlirohet nga barbarizmi, i njohur si ‘periudha e errësirës’, dhe kishte filluar – në shekullin e X dhe XI -të rikthehet në arenën ndërkombëtare. Së këndejmi, Islami dhe Hebreizmi ishin shndërruar në ‘hije’ të Evropës, gjegjësisht, në simbol të ‘gjithçkahit që ne shpresonim të mos jemi’, dhe që ‘frigoheshim se mund të jemi’… Kështu, gjatë Kryqëzatave, ishin të krishterët ata të cilët zhvillonin ‘luftëra të shenjta’ brutale kundër muslimanëve (në Tokën e Shenjtë)… Ishte pikërisht kjo kohë – shekulli XII – në të cilën, shkencëtarët evropjanë filluan ta përshkruajnë Islamin si ‘fe e dhunës dhe e shpatës’…; e, që, në realitet, ishte projeksion i brengës së tyre të brendshme (ngase, Jezusi – së paku në bazë të njërit nga verzionet e Biblës – i kishte porositur pasuesit e tij që t’i duan armiqtë, e jo t’i shfarrosin ato), si dhe, projeksion i brengës së natyrës ‘jo-krishtere’ të urrejtjes që kishin ndaj të tjerëve, duke ua hudhur paranojën e ‘fesë së shpatës’ të tjerëve. Poashtu, në kohën kur priftërinjtë mundoheshin ta imponojnë ‘murgërinë’ ndaj klerikëve të cilët ishin tejet ngurrues ndaj një çështjeje të këtillë, pikërisht në këtë kohë, me një smirë dhe armiqësi të madhe të fshehur, Muhammedi (sal-lallahu alejhi ve sel-lem) akuzohej dhe përshkruhej si poligamist dhe i shthurrur moralisht, ndërsa Islami akuzohej si fe e cila inkurajon muslimanët në përmbushjen e instikteve të tyre themelore… Për më tepër, pikërisht në ato kohëra kur Evropa ishte skajshmërisht kierarkike dhe kundër shpirtit biblik për barazi, Islami akuzohej se ju jep shumë të drejta, kompetenca dhe respekt klasave të ulta dhe grave… Në kohën në të cilën ne mundoheshim ta ridefinojmë vetveten, dhe të krijojmë një stil të ri të Krishterimit Perendimor, të ndryshëm nga Krishterimi Lindor Ortodoks… Në këtë mënyrë, Islami u shndërrua në ‘hije’ të Evropës… I këtillë ishte rasti edhe me Hebreizmin… Kështu, gjatë Kryqzatave, shpeshherë ndodhte që, njerëzit të cilët nuk mund të shkonin për të luftuar në Lindjen e Mesme, të njejtët, i sulmonin hebrenjtë që i kishin përreth; kjo, si pjesë e angazhimit dhe orvatjes në suaza të misionit Kryqtar…”! (Shih në YouTube video-ligjeratën e Dr Karen Armstrong, nën titull “Muhammad: A Prophet for Our Time”, të organizuar nga ‘Fondacioni Mosaic’ në SHBA, më 20 Nëntor 2006)

Këto aspekte që u përmendën nga Dr Karen Armstrong janë vetëm disa nga akuzat të cilat janë bërë në të kaluarën – si dhe vazhdojnë të përsëriten edhe në ditët e sotme – ndaj Islamit, edhe atë, me qëllim të njollosjes së tij, si dhe me qëllim të largimit të njerëzve prej tij… Mirëpo, të gjithë ata të cilët mundohen ta luajnë këtë ‘lojë’, harrojnë se, Islami nuk është dogmë, por është fe e përkryer dhe e kompletuar hyjnore, dhe, si i tillë, është vështirë të njolloset dhe të përbaltet aq lehtë…; kjo, ngase, argumentet, faktet dhe realiteti flasin zëshëm…

Për më tepër, akuzat e këtilla nuk i bëjnë kurrfarë dëmi Islamit, ngase, ai, përreth baticave dhe zbaticave, ka arritur të ju mbijetoje shumë mileniumeve dhe shekujve të kaluar, dhe se, i njejti, do të gjejë rrjedhën e tij për te zemrat e njerëzve në vazhdimësi, deri sa të jetë jeta, ngase, është alternativë e vetme e cila garanton mirëqenien në këtë botë, dhe shpëtimin në Botën Tjetër…

Andaj, në momentet kur Islami dhe Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem përbalten, denigrohen, nënçmohen, akuzohen dhe sulmohen me të padrejtë dhe për qëllime meskine dhe djallëzore, është obligim i çdo njeriu të mençur që, të vërtetat në lidhje me Islamin dhe Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem t’i kërkojë nga referencat burimore, e jo të bjerë pre e propagandës dhe dezinformatave mediatike. Kjo, sa i takon atyre të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth Islamit dhe Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

Ndërsa, ata të cilët kanë njohuri të bollshme në lidhje me Islamin dhe Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të njejtët e kanë obligim që:

– Të prezantojnë gjitha aspektet e ndritshme të cilat i ngërthen në vehte Islami si fe universale, dhe Muhammedi sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i cili u dërgua mëshirë për botërat.

– Të prezantojnë rolin e Islamit dhe Pejgamberit të mëshirës në ndryshimin pozitiv të rrjedhave të historisë së njerëzimit, edhe atë, në saje të: fisnikërimit të qenies njeri dhe ngritjes së tij në gradat më të larta, në krahasim me gjitha krijesat tjera…; balansimit të anës shpirtërore dhe asaj materiale…; promovimit të lirisë së bindjes, arsyes, dijes, dialogut, respektit të ndërsjellë…; mbjelljes së dashurisë, vëllazërisë, drejtësisë, solidaritetit, tolerancës…; inkurajimit të gjërave të dobishme dhe pozitive, si dhe parandalimit të veprimeve të dëmshme dhe negative…; ofrimit të zgjidhjeve përkitazi me problemet personale dhe psikologjike, problemet familjare, problemet shoqërore, problemet ekonomike, problemet ambientale…; ndalimit të padrejtësive, racizmit, shfrytëzimit, diskriminimit të çfarëdo lloji, dhunës, gjakderdhjes, luftërave të padrejta…; etj.

– E mbi të gjitha, ajo që është edhe më e rëndësishme, është prezantimi dhe ofrimi i modelit praktik përkitazi me gjitha këto aspekte, veçanërisht në sjelljet tona në përgjithësi, si dhe në raportet tona ndërnjerëzore në veçanti…; kjo, ngase, ‘praktika është verifikim i së vërtetës’.

Ndërsa, sa i takon propagandës, akuzave, planeve, dredhive dhe kurtheve të tyre, “All-llahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi”. (Kur’an: Sureja Ali Imran, Ajeti 54)

Gjithçka që na mbetet neve është të punojmë dhe të japim maksimumin në çdo sferë pozitive dhe produktive… “Dhe thuaj: ‘Veproni, All-llahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët, e më vonë do të ktheheni te njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për atë që vepruat’” (Kur’an: Sureja Et-Tevbe, Ajeti 105)