Reflektime mbi krizën ‘Covid19’/Terrorizmi, prodhim i ideologjive, jo atribut i Islamit!

Nga: Sali Shasivari

Ashtu sikurse në Mesjetë, kur padrejtësitë, dhuna, dhe lufta, nga të qenurit ‘brengë’ e brendshme dhe realitet praktik i ushtruesve të së njejtave, shndërrohej në projeksion akuzues ndaj Islamit dhe muslimanëve; i këtillë është rasti me ‘terrorizmin’ dhe ‘terrorin’ që ushtrohet në ditët e sotme nga ana e shteteve dhe organizatave të ndryshme…!

Kështu, ky ‘terrorizëm’ dhe ky ‘terror’ shtetëror dhe sistematik, në rastet kur pamundësohet ndërlidhja e tij me Islamin dhe muslimanët, mbulohet, maskohet ose emërohet me emra tjerë (shpeshherë ‘mirakëndës, si “demokratizim”, “çlirim”, “ri-edukim”, etj.); ndërsa, në momentin që gjehet çfarëdo mundësie për ndërlidhje dhe asocim me muslimanët, i njejti, i mveshet Islamit, duke propaguar togfjalëshin e njohur ‘terrorizëm islamik’, të cilin e dëgjojmë në vazhdimësi në ditët e sotme; atribut ky, i cili, çuditërisht, nuk përdoret për asnjë fe / apo përkatës të ndonje feje tjetër, përpos Islamit dhe muslimanëve…!

Këto lloj akuzash, dhe, ky lloj asocimi, si fenomen, nuk është diç e re…! Mirëpo, propaganda sistematike kundër Islamit dhe muslimanëve, përmes atribuimit të ‘dhunës’ dhe ‘terrorit’ ndaj tyre, u paraqit në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, edhe atë, menjëherë pas mbarimit të ‘Luftës së Ftoftë’; respektivisht, në suaza të tezës të njohur si ‘Përplasja e Qytetërimeve’, e cila pretendon se, identitetet kulturore dhe fetare të njerëzve do të jenë burimi kryesor i konfliktit në botën e pas Luftës së Ftohtë.

Kështu, shkencëtari politik amerikan, Samuel P. Huntington, besonte se, ndërsa epoka e ideologjisë kishte mbaruar, bota ishte kthyer vetëm në një gjendje normale të gjërave, të karakterizuara nga konfliktet kulturore. Në tezën e tij, ai argumentoi se boshti kryesor i konfliktit në të ardhmen do të jetë përgjatë vijave kulturore. Poashtu, në mes tjerash, Huntington theksoi se, civilizimi islam ka përjetuar një shpërthim masiv të popullsisë, i cili po nxit paqëndrueshmëri, edhe atë, si në kufijtë e Islamit ashtu edhe në brendësi të tij, ku lëvizjet fundamentaliste po bëhen gjithnjë e më të njohura; duke vënë theksin mbi të ashtuquajturin ‘Islamic Resurgence’/‘Rizgjim Islam’ (Këtë tezë, Huntington e hodhi fillimisht në një ligjeratë të tij – në vitin 1992 – në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve; tezë këtë, të cilën, më pas e zhvilloi në një artikull, të botuar në revistën prestigjioze amerikane ‘Foreign Affairs’ të vitit 1993, nën titull “The Clash of Civilisations?”/“Përplasja e Qytetërimeve?”, edhe atë, si kundër-përgjigje ndaj librit të ish-studentit të tij, Francis Fukuyama, me titull “The End of History and the Last Man”/“Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”. Më vonë, Huntington e zgjeroi tezën e tij në një libër me titull “The Clash of Civilisations and the Remaking of World Order”/“Përplasja e Qytetërimeve dhe Rivendosja e Rendit Botëror”, të botuar në vitin 1996).

Së këndejmi, përgjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, filluam të dëgjojmë terme të llojit ‘fundamentalistë islamik’, ‘islamistë radikal’, ‘xhihadistë’, etj.!

Pas ngjarjeve makabre të 11 Shtatorit 2001, dhe fillimit të të ashtuquajturës ‘War on terror’/‘Luftë kundër terrorit’, mediat filluan të promovojnë me të madhe togfjalëshin ‘terrorizëm islamik’…!

Diku kah viti 2005, filluan të propagandohen dhe plasohen lajme të ndryshme, të cilat alarmonin dhe mbjellnin frikë në lidhje me ‘përhapjen e shpejtë të Islamit, ‘islamizimin e evropës në një afat të shkurtër, dhe imponimin e Sheriatit Islam në vendet të cilat do të islamizohen’, etj.; duke dhënë shifra alarmante përkitazi me këto aspekte…; lajme këto, të cilat nxitën – si asnjëherë më parë – sentimentin islamofob në shumë pjesë të botës, dhe të cilat u shoqëruan me sulme të ashpra mediatike dhe sociale ndaj Islamit dhe muslimanëve në përgjithësi!

Mëpastaj, pasuan disa sulme të përgjakshme në disa metropole botërore, të cilat iu atribuan Islamit dhe muslimanëve…; ngjarje këto, të cilat, vazhduan ta rrisin sentimentin anti-Islam dhe anti-musliman…!

E gjithë kjo propagandë, dhe të gjitha këto ngjarje, nxitën paraqitjen e lëvizjeve të ‘ekstremit të djathtë’ në shumë vende të botës…; lëvizje këto, të cilat, jo vetëm që i elektrizuan tejmase shumicën e shoqërive perendimore dhe lindore me parullat e tyre fashiste, por disa sosh prej tyre filluan të korrin vota dhe vende nëpër parlamentet e shteteve gjegjëse, duke u shndërruar në faktorë të rëndësishëm vendim-marrës, ndërsa, në disa raste, disa sosh prej tyre arritën të marrin në duart e veta edhe qeverisjen e disa vendeve!

Në këtë mënyrë, për herë të parë në historinë më të re filluam të dëgjojmë thirrje zyrtare të llojit ‘muslimanët duhet të shporren dhe të kthehen nëpër vendet e tyre’, ‘muslimanët nuk janë të mirëseardhur në vendin tonë’, si dhe shumë e shumë sllogane dhe thirrje të ngjashme islamofobe…!

Ky trend islamofob dhe anti-musliman vazhdon edhe në ditët kur po shkruhen këto rreshta…; ditë këto, në të cilat, sentimentet dhe sulmet islamofobe kanë arritur nivele alarmante dhe shifra rekorde…!

Nën hijen e këtij demonizimi me përmasa linçuese që ushtrohet ndaj kësaj feje të pastër dhe pjestarëve të saj paqedashës dhe të diskriminuar në të gjitha aspektet; si dhe, nën hijen e këtij realiteti të çmendur, ku, muslimanët – në të njejtën kohë – janë ‘të akuzuarit më të mëdhenj’ dhe ‘viktimat më të mëdha’…; është tejet e rëndësishme që, për hirë të realitetit, fakteve, dhe historisë, t’i qasemi kësaj ‘paranoje’, ‘histerie’ dhe ‘çmendurie’ të përmasave botërore, me qëllim që të nxjerrim në pah se, a thua vallë, kush në të vërtetë po ‘aktron’ viktimën’, dhe kush janë viktimat e vërteta…?!

Kjo, sidomos nga fakti se, për dallim nga akuzat tjera që i janë bërë dhe që i bëhen Islamit në vazhdimësi, akuza në fjalë – përmes togfjalëshit “terrorizëm islamik” – është akuzë tejet e rrezikshme dhe tendencioze (ngase janë në pyetje jetëra njerëzish)…; është akuzë jashtëzakonisht e mjegulluar dhe e maskuar (ngase, investigimi i akteve të këtilla bëhet në suaza të shërbimeve sekrete)…; është akuzë tepër e mundshme për manipulim dhe inskenim (në pamundësi të verifikimit dhe vërtetimit të akteve të llojit terrorist)…; si dhe, është akuzë skajshmërisht e përgjithësuar dhe e gjeneralizuar (ngase, kjo akuzë përfshinë në vehte Islamin si fe në tërësi, dhe të gjithë muslimanët, si pjestarë të Islamit)… Madje, akuza e këtillë – dhe aktet e ndërlidhura me të – ngjall frikë, ankth dhe tmerr në zemrat e njerëzve, duke krijuar averzion kronik ndaj Islamit dhe muslimanëve…!

Së këndejmi, para së gjithash, duhet përsëritur dhe ripohuar – për të satën milion herë – faktin se, Islami, është fe e drejtësisë, e paqes, e tolerancës, e solidaritetit, e mirëqenies, etj., dhe, si i tillë, ai (Islami) e dënon padrejtësinë, dhunën, terrorin, gjakderdhjen e të pafajshmëve, etj.; ngase, këto akte dhe veprime bien ndesh me vet nocionin ‘Islam’ (një nga kutimet e të cilit është ‘paqe’), si dhe me natyrën dhe parimet e tij…

Një fakt të këtillë e vërtetojnë dhe argumentojnë të gjitha burimet dhe tekstet islame… Kështu, mjafton ta përmendim Ajetin kur’anor, ku Allahu i Madhnueshëm thotë: “Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. Atyre (beni israilëve) u erdhën të dërguarit Tanë me argumente, mandej edhe pas këtij (vendimi) shumë prej tyre e teprojnë (kalojnë kufijtë në mbytje) në këtë tokë”. (Kur’an: Sureja El-Maide, Ajeti 32), për të kuptuar vlerën – deri në ‘shenjtëri’ – të cilën ia jep Islami mbrojtjes së jetës së njerëzve. Madje, tekstet tjera të ngjashme me këtë – qoftë nga Kur’ani Famëlartë apo Sunneti i Pastër i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem – janë të shumta, mirëpo, për shkak të natyrës së shkrimit, nuk kemi mundësi t’i citojmë të gjitha.

Përndryshe, nëse dikush mundohet të sjellë ndonjë tekst tjetër islam, që, në shikim të parë duket se bie ndesh me faktin e lartëpërmendur, duhet të jesh më se i bindur se, bëhet fjalë ose për moskuptim/keqkuptim të tekstit gjegjës dhe rrethanave të lidhura me të, apose, si i tillë, teksti në fjalë është i pjesërishëm, i cunguar, ose i nxjerrë nga konteksti, ‘fryma’ dhe ‘shpirti’ i përgjithshëm islam…

Me këtë, ne nuk pretendojmë se, përgjatë historisë islame nuk ka patur luftëra dhe vrasje… Kjo, ngase, nga njëra anë, pjestarët e Islamit nuk janë engjuj të pagabueshëm, ndërsa nga ana tjetër, Islami është fe realiste e cila legjitimon luftën vetëmbrojtëse (kur bëhet e patjetërsueshme dhe nuk ka rrugëdalje tjetër), si dhe dënimin kapital (në kushte dhe rrethana të caktuara)… Mirëpo, të gjitha këto, nën rregulla strikte… Në këtë drejtim, mjafton të përkujtojmë udhëzimet, këshillat dhe porositë e Kur’anit Fisnik dhe Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem në raste konfliktesh dhe luftërash, me ç’rast do të shohim se bëhet fjalë për ‘mëshirë’ të paparë, edhe atë, jo vetëm ndaj njerëzimit dhe jetërave të tyre, por edhe ndaj botës bimore dhe shtazore… Rregulla dhe udhëzime këto të cilat u praktikuan në përpikshmëri edhe nga ana e pasardhësve të Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem (siç ishte rasti me udhëzimet, këshillat dhe porositë e Ebu Bekrit radijallahu anhu drejtuar ushtrisë së Usame ibn Zejdit, si dhe shumë e shumë raste tjera)…

Për më tepër, mbase Islami shpeshherë është instrumentalizuar, për qëllime tjera – individuale dhe grupore – të natyrës sociale, politike, ekonomike, etj., megjithatë, po qe se i llogarisim viktimat e gjitha konflikteve dhe luftërave që kanë ndodhur përgjatë historisë Islame, nuk do të arrinte as shifrën e një trazire të vetme të shkaktuar nga ana e ‘idhujve’ dhe ‘ideologjive’ të krijuara nga dora e njeriut (si p.sh. Luftës së Dytë Botërore)…!

Argument më i mirë për këtë që po e themi, është vetë historia e Islamit dhe muslimanëve, si në të kaluarën, poashtu edhe në të tashmen…

Së këndejmi, sa herë që nxiten debate, polemika, akuza dhe sulme ndaj Islamit, Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe muslimanëve, është jashtëzakonisht e rëndësishme që, retrospektiva dhe evokimi i të vërtetave historike të jetë pjesë e pandashme e kundërpërgjigjes ndaj të njejtave; kjo, ngase, ‘e kaluara është bazë e së tashmes’.

Madje, evokimi – me fakte dhe argumente – i historisë së ndritshme të Islamit, Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, dhe muslimanëve në përgjithësi, si dhe ndikimit të tyre në ndryshimin e rrjedhave njerëzore kah më e mira (në të gjitha aspektet dhe poret e jetës), kundrejt historive tjera të errëta të njerëzimit – të cilat prodhuan injorancë, padrejtësi, urrejtje, inkuizicione, gjakderdhje, kryqëzata, eksploatim, kolonializëm, luftëra botërore, dhe shumë fatkeqësi tjera – është metodë e mirë dhe tejet e rëndësishme për t’ia treguar çdokujt vendin e merituar. Kjo, ngase, ‘çdo gjë që është e ndërtuar në themele të korruptuara, konsiderohet e korruptuar’, pa çka nëse në pamje të jashtme duket “e bukur” dhe “tërheqëse”. Kështu:

– Ishin ‘Kryqëzatat’ (1095-1291) ato të cilat shkaktuan miliona viktima (historianët përmendin shifrën prej 1 deri 9 milionë viktima), si dhe shumë dëme tjera…! – Ishte ‘Inkuizicioni’ (shek. XII-XIX) – me gjitha fazat e tij – ai që morri shumë jetë njerëzish, duke përfshirë shumë personalitete të kulturës, shkencës dhe artit…! – Ishte ‘Inkuizicioni Spanjoll’ (shek. XV) ai i cili u bë i famshëm për ‘artin e torturës’, dhe i cili konvertoi me dhunë, persekutoi, dhe dëboi qindra mijëra muslimanë dhe hebrenj nga Andaluzia e dikurshme…! – Ishte vala e parë e ‘ekspeditave’ kolonialiste dhe misionare evropiane, i njohur si Kolonializëm i Kolonëve (shek. XV-XIX), ajo që konvertoi me dhunë, bëri kulturocid (duke zhdukur kultura dhe civilizime të tëra), bëri eksploatim të paparë, si dhe shkaktoi miliona viktima në Amerikën Veriore (kështu, disa studjues nga University College London-UCL, vlerësojnë se, kolonët evropianë, për rreth 100 vjet – që kur arriti Kristofer Kolombo/ Cristopher Columbus në 1492 në brigjet e Amerikës, deri në vitin 1610 – vranë rreth 56 milion njerëz autoktonë në Amerikën e Jugut, Qendrore dhe Veriore, që i bie 10 % të popullatës së përgjithshme botërore të asaj kohe, sa që, nivelet e karbonit ndryshuan mjaftueshëm për të ftohur Tokën, si rezultat i uljes masive të dioksidit të karbonit – CO2 – në atmosferë, në saje të braktisjes së tokave bujqësore dhe ripyllëzimit; shih: https://edition.cnn.com/…/european…/index.html…)…! – Ishte vala e dytë kolonialiste evropjane, i njohur si Kolonializëm Eksploatues / Shfrytëzues (pjesa e dytë e shekullit XIX, deri pas gjysmës së shekullit XX) ajo që shkaktoi kulturocid, skllavërim, bëri eksploatim të paparë të resurseve (kështu, historiani dhe akademiku i njohur guianez, Walter Rodney, në librin e tij të njohur me titull “How Europe Underdeveloped Africa”/”Si ndikoi Evropa në Moszhvillimin/Prapambetjen e Afrikës”, hedh tezën se, ‘gjurmët e varfërisë në kontinentin afrikan kthehen në shfrytëzimin evropian të burimeve afrikane’); si dhe, shkaktoi miliona viktima (kështu, Mbreti Leopold II i Belgjikës, i cili e sundoi Kongon në mes viteve 1885 deri 1908, mendohet se ka vrarë diku rreth 10 milion kongolezë; francezët vranë mbi 1.5 milion algjerianë përgjatë kolonizimit të tyre në Algjeri; etj.) …! – Ishin ideologjitë nacionaliste ato që shkaktuan Luftën e Parë Botërore (1914-1918), e cila rezultoi me vdekjen e rreth 20 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 10 milion ushtarë dhe rreth 10 milion civilë)…! – Ishte ideologjia marksiste, leniniste, bolsheviste dhe staliniste ajo e cila shkaktoi miliona viktima (kështu, vetëm diktatori rus Jozef Stalin mendohet të ketë vrarë diku prej 20 deri 40 milion njerëz, në mesin e tyre shumë muslimanë)…!- Ishte ideologjia fashiste dhe naziste e cila shkaktoi Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), e cila rezultoi me vdekjen e rreth 75 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 20 milion ushtarë, dhe rreth 55 milion civilë…!- Ishin dy kampet dhe ideologjitë e tyre përgjatë periudhës së Luftës së Ftohtë (1945-1989) ato të cilat shkaktuan shumë ‘luftëra të nxehta’ në kurriz të popujve tjerë… Kështu, numri i luftërave dhe konfliketeve gjatë kësaj periudhe tejkalon shifrën 115; luftëra dhe konflikte këto të cilat shkaktuan miliona viktima…!- Ishte ideologjia Komuniste ajo që persekutoi, internoi dhe zhduki miliona njerëz (kështu, vetëm Mao Zedong, Kryetar i Partisë Komuniste të Kinës, mendohet të ketë vrarë mbi 50 milionë njerëz)…!

Faktet e lartëpërmendura janë vetëm një pjesë e vogël nga lista e gjatë e ngjarjeve makabre dhe të përgjakshme kundër njerëzimit, të cilat u nxitën dhe u shkaktuan nga ana e ‘idhujve’ dhe ‘ideologjive’ të ndryshme përgjatë historisë më të re…!

Mbase, kjo tragjedi njerëzore e shkaktuar nga po të njejtët ‘idhuj’ dhe ‘ideologji – apo të ngjashme me to – vazhdon edhe në ditët e sotme, ndonëse, me mjete tjera, dhë nën parulla dhe moto të ndryshme (në disa raste edhe mirakëndëse)…! Kështu, për shembull, mjafton të përcjellësh prapavijën e ngjarjeve të përgjakshme në Palestinë, Siri, Jemen, Libi, Mijanmar, Kashmir, Indi, Sinkiang (Xinjiang – Rajon Autonom i Ujgurëve) në Kinë, si dhe shumë e shumë vende dhe raste tjera, me ç’rast, do të kuptosh se Huntington nuk pati të drejtë kur tha se ‘me mbarimin e Luftës së Ftoftë, epoka e ideologjisë kishte mbaruar, dhe se boshti kryesor i konfliktit në të ardhmen do të jetë përgjatë vijave kulturore’.…! Përkundrazi, ne jemi dëshmitarë të vazhdimit të padrejtësive dhe krimeve të shumta të cilat po ia shkaktojnë njerëzimit ‘idhujt’ dhe ‘ideologjitë’ e ndryshme, mirëpo, kësaj rradhe nën parullën e ‘luftës ndaj terrorit’, ‘demokratizimit’, ‘ri-edukimit’, etj…; dhe se, ndër viktimat kryesore të këtyre padrejtësive dhe krimeve janë muslimanët (mjafton ta soditish hartën e konflikteve aktuale në botë, që ta kuptosh një realitet të këtillë)…!

Kështu, prej Shtatorit të vitit 2001, sipas një raporti të ri nga projekti ‘Costs of War’/‘Kostot e Luftës’ të Universitetit Braun/Brown në SHBA, të paktën 37 milion njerëz janë zhvendosur si rezultat i drejtpërdrejtë i luftërave të zhvilluara nën moton ‘Lufta Kundër Terrorit’ (shih: https://www.nytimes.com/…/displaced-war-on-terror.html)…! Kjo, përreth miliona viktimave dhe të plagosurve të cilat i shkaktuan luftërat e këtilla. Ndërsa, sa u përket dëmeve sociale, psikologjike, kulturore, ekonomike, etj., ‘fol e mos u turpëro’…!

Nën hijen e kësaj që u tha, nuk duhet të na habitë fakti se, pse deri sot, nuk ka ndonjë marrëveshje universale për përkufizimin e ‘terrorizmit’ si nocion dhe akt. Kështu, shtetet dhe qeveritë kanë hezituar të formulojnë një përkufizim të rënë dakord, dhe ligjërisht të detyrueshëm; kjo, ngase, qasja politike ndaj termit ‘terrorizëm’ aktualisht mbizotëron mbi atë juridik dhe moral. Andaj, sisteme të ndryshme ligjore dhe agjenci qeveritare përdorin përkufizime të ndryshme të terrorizmit, në të cilat, shumë kritere të dhunës ose kërcënimit të dhunës zakonisht lihen jashtë atyre përkufizimeve. Në mesin e kritereve që bien jashtë atyre përkufizimeve të ‘terrorizmit’, është: ‘Koha e luftës (përfshirë një luftë të shpallur), ose akte dhune në kohë paqeje, të kryera nga një shtet komb kundër një shteti tjetër komb, pavarësisht nga ligjshmëria ose paligjshmëria e tyre’. (shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Definition_of_terrorism). Mbase, shumëkujt, nuk i konvenon një marrëveshje universale për përkufizimin e termit ‘terrorizëm’ si dhe ‘akteve terroriste’…!!

Së këndejmi, mund të konstatojmë – pa kurrëfarë dyshimi – se, ‘terrori’ dhe ‘terrorizmi’ nuk janë atribute të Islamit, por janë prodhim i ideologjive; dhe se, ishin ideologjitë e devijuara ato të cilat i shkaktuan njerëzimit fatkeqësitë më të mëdha dhe dëmet më fatale përgjatë të kaluarës dhe të tashmes… Ndërsa, në mesin e shumë viktimave – bile në disa raste viktima kryesore – të këtyre fatkeqësive ishin – dhe vazhdojnë të jenë – vetë Islami dhe muslimanët…!

Andaj, a thua vallë, ende mendon se problemi qëndron te Islami?!