4 të vdekur nga zjarri në spitalin Covid të Bukureshtit

4 persona kanë ndërruar jetë nga zjarri i fuqishëm që përfshiu një nga spitalet kryesore të Bukureshtit, Rumani, ku po trajtohen pacientë me koronavirus.

Kjo ngjarje e rëndë vjen 3 muaj pasi një spital në qytetin verior të Piatra-Neamt u shkërmoq nga flakët, dhe për pasojë u regjistruan 10 viktima.

Zëdhënësi i spitalit, Bogdan Toma deklaroi për mediat se ndërhyrja në kohë bëri të mundur evakuimin e 120 pacientëve, ndërkohë që shkaqet e zjarrit janë ende të paqarta.

Paraprakisht dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik.

Rumania, njëra nga vendet më të varfra në BE, po përpiqet ta menaxhojë pandeminë Covid-19 me një sistem të dobët shëndetësor dhe mungesë stafi.

Deri më tani, regjistrohen mbi 721 mijë raste pozitive dhe mbi 18 100 viktima.