I kërkuar për tentativë vrasje në Florida, ekstradohet drejt SHBA-së Arben Bregu

Ekstradohet në SHBA Arben Bregu, 45-vjeçari shkodran i kërkuar për tentativë vrasje në Florida.

Të premten në orët e para të mëngjesit strukturat e Drejtësisë Amerikane, mësohet se kanë mbërritur në Shkodër të shoqëruar dhe nga shërbimet e Policisë së Shtetit, dhe kanë kryer transportimin e të kërkuarit drejt aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar më pas në drejtim të SHBA-së.

Arrestimi i 45-vjeçarit që njihet edhe me emrin Arben Bregu shkaktoi përplasje institucionale mes Gjykatës së Shkodrës dhe Drejtësisë Amerikane, pasi në 17 janar 2021, edhe pse ditë e dielë, gjyqtari Andi Ymeri, vendosi ta lirojë nga burgu i Reçit, të kërkuarin megjithëse ndaj tij kishte një vendim ekstradimi në drejtim të SHBA-së.

Në vitin 2013 sipas autoriteteve amerikane Bregu, është përfshirë në një ngjarje kriminale, pasi ka qëlluar me armë zjarri, duke tentuar të vrasë një qytetar të SHBA pranë një supermarketi.

Bregu është arrestuar në SHBA por ka ikur nga vendi edhe pse ishte në masën e “arrestit në shtëpi” duke falsifikuar pasaportën.

Pas strehimit në Shqipëri lokalizimi dhe arrestimi i tij në Shkodër, është bërë në qershor të 2020 me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Interpol Uashingtonit.

Pas vendimit të datës 23 shtator 2020, për ekstradimin e tij në SHBA, procedura nuk është kryer për shkak të pezullimit të fluturimeve ajrore nga pandemia.

Në janar 2021, nëpërmjet avokatit të tij, Arben Bregu, ka kërkuar lirimin nga burgu, kërkesë që u pranua nga gjyqtari i Shkodrës  Andi Ymeri, i cili urdhëroi lirimin e të kërkuarit.

Pas publikimit të lirimit të Bregut në Ora News në datën 21 janar 2021, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme u vunë në lëvizje, duke vënë në pranga arrestimin e Arben Bregut vetëm 5 ditë që ishte liruar nga burgu. 

Inspektoriati i  Lartë i Drejtësisë ka nisur një verifikim për procedurën e ndjekur me rastin e lirimit te 45-vjeçarit.