Reflektime mbi krizën ‘Covid19’/ Lufta ndaj ‘burimeve të jetës’, tentimi i ‘ndotjes’ dhe ‘shterrjes’ së tyre!

Nga: Sali Shasivari

Në suaza të luftës së pakompromis dhe tentativave të vazhdueshme për krijimit e një bote pa Zot dhe pa Fe, dhe, duke marë parasyshë dritën dhe reflektimin e madh që ka besimi në Zot dhe bindja fetare në jetën e njerëzve…; në dekadat dhe në vitet e fundit, i gjithë fokusi është tek tentativat për ‘ndotjen’ dhe ‘shterrjen’ e ‘burimeve të jetës’, gjegjësisht, burimeve të Islamit (Kur’anit dhe Sunnetit), dhe gjithçkahit që ndërlidhet me to, dhe që rrjedh prej tyre…!

Them ‘burime të jetës’, ngase, ashtu i quan Allahu i Madhnueshëm, kur thotë: “O ju që besuat, përgjigjjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë, …” (Kur’an, Sureja ‘El-Enfal’, Ajeti 24).

Në këtë mënyrë, armiqtë e Zotit dhe të Fesë, pasi arritën t’i falsifikojnë shpalljet e mëparshme, ata menduan se janë në gjendje që të njejtën ta bëjnë edhe me Kur’anin dhe Sunnetin… Si dhe, meqë arritën që ‘t’i ‘vdesin’ fetë tjera, ata pandehën se të njejtën mund ta bëjë edhe me Islamin…!

Mirëpo, pasi u bindën se origjinaliteti dhe autenticiteti i Kur’ani është i garantuar, ndërsa, Sunneti i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem është i pacenueshëm…; dhe se, këto dy burime, është vështirë të falsifikohen dhe ndryshohen, ngase, përpos që janë të dokumentuara me metodat më autentike të mundshme (si asnjë tekst dhe trashëgimi tjetër), ato janë thellë të ngulitura në memorjet, shpirtërat dhe zemrat e besimtarëve, në çdo kohë dhe në çdo vend… Në saje të këtyre të vërtetave, ata (armiqtë e Zotit dhe të Fesë) e drejtuan gjithë ‘arsenalin’ e tyre në drejtim të nxitjes së dyshimeve mbi këto dy burime dhe mbi parimet islame, me qëllim të zbehjes së ndikimit të tyre në jetën e besimtarëve dhe të njerëzve në përgjithësi…!

Tentativat e këtilla janë të kahmotshme, dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite… Dallimi i vetëm qëndron në atë se, dikur, këtë ‘luftë’, armiqët e Zotit dhe të Fesë e zhvillonin të vetëm; ndërsa, sot, kësaj ‘beteje’ famëkeqe i janë bashkangjitur shumë sosh ‘të gjakut dhe fisit’, të cilët, nën preteksin e ‘tradicionales’, ‘reformave’, apo ‘modernizimit’, ata mundohen të ngrejnë lloj-lloj dyshimesh përkitazi me burimet dhe parimet e kësaj feje të pastër…!

Së këndejmi, kjo ‘luftë’ zhvillohet në dy ‘fronte’: në atë jomusliman, dhe në atë “musliman”; si dhe, në dy kahje: në kahjen e ndjelljes së dyshimeve përkitazi me autenticitetin e burimeve islame, si dhe në nxitjen e dyshimeve dhe akuzave ndaj parimeve dhe rregullave islame në përgjithësi…!

Kështu, nga njëra anë, në ‘kampusin’ jomusliman kemi tentativa të vazhdueshme për nxitjen e dyshimeve dhe urrejtjes ndaj Kur’anit Famëlartë dhe Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, në nxitjen e akuzave ndaj parimeve dhe principeve islame, si dhe në shtrembërimin e historisë së Islamit dhe muslimanëve…; ndërsa, nga ana tjetër, në kampusin “musliman”, në pamundësi të prekjes së shenjtërisë së Kur’anit Fisnik, dhe figurës së Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, e gjithë ‘lufta’ është e përqëndruar në nxitjen e dyshimeve ndaj Sunnetit dhe Haditheve të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem (siç është rasti me ‘betejën’ e vjetër/të re ndaj koleksionit të njohur të Haditheve të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, të njohur si “El-Xhamius-Sahih” të Imam Buhariut), në nxitjen e dyshimeve ndaj parimeve islame, si dhe, në njollosjen e shumë dijetarëve dhe librave të tyre…!

Në këtë mënyrë, në momentin që në mesin e jomuslimanëve hasim në shumë tentativa për nxitjen e dyshimeve mbi autenticitetin e teksteve të Kur’anit dhe Sunnetit, si dhe mbi pejgamberinë e Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem…; në mesin e “muslimanëve”, hasim në shumë tentativa për nxitjen e dyshimeve mbi përmbajtjen dhe kuptimin e teksteve të Kur’anit dhe Sunnetit, si dhe shumë teksteve që derivojnë prej tyre…

Për më tepër, stadi i dytë i kësaj ‘lufte’ është tentimi i zëvendësimit të këtyre burimeve me “burime” tjera “alternative” (sipas mendimit dhe vlerësimit të tyre)… Kështu, ne kemi qenë – dhe vazhdojmë të jemi – dëshmitarë të tentativave për promovimin dhe ‘shenjtërimin’ e veprave dhe ideologjive të ndryshme, me qëllim të mbushjes së shprazëtirës së krijuar në zemrat e njerëzve si rezultat i zbehjes, ndotjes, apo shterrjes së burimeve të jetës (Kur’anit dhe Sunnetit)…!

Realiteti është se, të dy ‘kampet’ (ai jomusliman dhe ai “musliman”) janë të vetëdijshëm se, rezultatet e tentativave të tyre do të jenë të kufizuara…; megjithatë, sipas tyre, mjafton lansimi i propagandave, shpifjeve dhe akuzave, si dhe shpërndarja e dyshimeve të ndryshme në formë të ‘flluskave’ shpërqëndruese, të cilat, ndonëse nuk do të jenë në gjendje që t’i devijojnë besimtarët në tërësi, së paku, do të shkaktojnë huti, debate dhe polemika shterpe, duke i defokusuar ata nga çështjet jetike, si dhe nga qëllimet dhe objektivat parësore për ndërtimin e një shoqërie njerëzore të shëndoshë dhe stabile…!

Për pasojë, ata krijojnë një rreth vicioz dhe një proces të pafundtë reagimesh dhe kundër-reagimesh, të cilat, edhepse nuk janë gjithaq të vështira për t’u kuptuar, por të njejtat, janë tejet të vështira për t’u tejkaluar… E, në këtë mënyrë, armiqtë e Islamit dhe muslimanëve fitojnë kohë dhe shënojnë avantazhe të vazhdueshme në garën e tyre të padrejtë… Kjo, ngase, ‘të prishësh, është më lehtë se sa të ndërtosh’, dhe, ngase, ‘e keqja nuk ka rregulla’…

‘Lufta’ ndaj këtyre dy burimeve nuk do të thotë vetëm sulm ndaj dy burimeve të islamit si fe, siç mund të supozohet…; porse, një veprim i këtillë nënkupton sulm ndaj dy burimeve dhe dy platformave të pazëvendësueshme jetësore…

Kjo, ngase, Kur’ani nuk është thjeshtë një libër religjioz (në kuptimin e ngushtë të termit dhe fenomenit ‘religjion’), siç propagohet…; poashtu, edhe Sunneti i Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem nuk është thjeshtë një biografi dhe traditë, siç pretendohet…

E vërteta është se, Kur’ani Famëlartë është shpallje e fundit Hyjnore për njerëzimin dhe botërat, i cili përmbledh në vehte parimet dhe principet kryesore të shpalljeve të mëhershme, duke e plotësuar dhe kompletuar fenë Islame (siç thotë Allahu i Madhnueshëm: “… Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe. …” – Kur’an: Sureja El-Maide, Ajeti 3).

Në këtë mënyrë, Kur’ani Fisnik ngriti të menduarit njerëzor nga stadi i të përqëndruarit rreth bestytnive, legjendave, fanatizmave, mendimeve obskurantiste, etj., në stadin e të bazuarit në lexim, njohuri dhe të vërteta…; duke shkaktuar – në këtë mënyrë – reforma rrënjësore në vetëdijen dhe në historinë njerëzore, edhe atë, përmes shpjegimit të ligjeve dhe ligjshmërive të universit, atyre historike, si dhe atyre ontologjike (siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. …” – Kur’an: Sureja Fussilet, Ajeti, 53).

Po ashtu, ai (Kur’ani Fisnik) është platformë e përgjithshme jetësore, i cili, përpos që definon qëllimin, rolin dhe misionin e njeriut në këtë botë, ai ngërthen në vehte ‘hartë’ dhe udhërrëfyes të përgjithshëm për të gjitha aspektet e aktivitetit njerëzor, në funksion të realizimit të mirësive, interesave dhe sigurisë afatshkurte dhe afatgjate të njeriut në këtë botë, si dhe mbrojtjen e tij nga gjitha të këqijat, dëmet dhe pasiguritë afatshkurte dhe afatgjate të kësaj bote; duke garantuar – në këtë mënyrë – mirëqenien e tij në këtë botë, si dhe shpëtimin e tij në Botën Tjetër (siç thotë Allahu i Gjithdijshëm: “… Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët” – Kur’an: Sureja En-Nahl, Ajeti 89).

Për më tepër, ai (Kur’ani Famëlartë) erdhi si udhëzim i përgjithshëm për njeriun, dhe si mëshirë universale për botërat…; me ç’rast, ai rregulloi raportet e njeriut me Krijuesin (Allahun e Madhnueshëm), raportet e njeriut me shoqërinë (individë dhe kolektiv), si dhe raportet e njeriut me krijesat tjera (botën materiale, botën bimore, dhe botën shtazore)…

Ndërsa, sa i takon Sunnetit të Pejgamberit sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ai paraqet burim të pazëvendësueshëm në funksion të shpjegimit dhe jetësimit të Kur’anit Famëlartë në praktikë; kjo, në saje të të qenurit të Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem komentues autentik i Kur’anit Famëlartë, si dhe shembëlltyrë praktike e parimeve dhe principeve në të cilat fton Kur’ani Fisnik (ashtu siç do të shohim në shkrimin e rradhës)…

Së këndejmi, në momentin që njerëzimi privohet nga këto dy burime të jetës, ai jo vetëm që e humb identitetin, dinjitetin dhe kuptimin e jetës, por në të njejtën kohë, ai shndërrohet në rob dhe në skllav të forcave të errëta, qoftë të natyrës së brendshme (“… epshi është shumë nxitës për të keqen…” – Kuran: Sureja Jusuf, Ajeti 53), apose të natyrës së jashtme (“… E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hudhin në errësira…” – Kur’an: Sureja El-Bekare, Ajeti 257)…