Turqia ratifikon marrëveshjet me 7 vende, përfshirë edhe Kosovën

Qeveria turke ratifikoi marrëveshjet me shtatë vende në fushat e arsimit, sportit dhe shëndetësisë, sipas informacionit të publikuar në Gazetën Zyrtare.

Midis marrëveshjeve të miratuara ishte marrëveshja e bashkëpunimit për vizat me Azerbajxhanin, e nënshkruar më 25 shkurt të vitit të kaluar.

Më këtë synohet lehtësimi i udhëtimit afatshkurtër midis dy vendeve dhe u jep qytetarëve një periudhë 30-ditore të vlefshmërisë së vizës nga data e hyrjes.

Po ashtu u ratifikua marrëveshja e ekstradimit e Turqisë me Kosovën e nënshkruar më 31 maj të vitit 2011.

Marrëveshja synon të “zhvillojë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e së drejtës penale” dhe “synimet e mëtejshme të drejtësisë dhe rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar”.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet do t’i mundësojnë njëra-tjetrës nivelin më të lartë të bashkëpunimit për ekstradimin e të dënuarve.

Turqia zyrtarizoi gjithashtu marrëveshjen e saj të bashkëpunimit të trajnimit ushtarak me Nigerin, e nënshkruar më 21 korrik të vitit të kaluar.

Pakti është pjesë e përpjekjeve të të dy vendeve për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të tyre miqësore dhe për rritjen e bashkëpunimit ushtarak.

Stërvitjet zbatohen për oficerët, nënoficerët, kadetët, rreshter të specializuar dhe personelin civil të forcave të armatosura të të dy vendeve që pranohen të marrin trajnim, ose marrin pjesë në kryerjen e aktiviteteve të trajnimit dhe bashkëpunimit, në institucionet ushtarake të trajnimit, njësitë dhe objektet, sipas njoftimit.

Midis Turqisë dhe Kazakistanit u ratifikua gjithashtu protokolli i bashkëpunimit doganor.

Protokolli i nënshkruar nga Ministria e Doganave dhe Tregtisë së Turqisë dhe Ministria e Financave e Kazakistanit më 23 dhjetor 2017, synon ndërtimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve të tyre përkatëse doganore.

Marrëveshja për bashkëpunim për çështjet rinore dhe sportive e nënshkruar nga Turqia dhe Gambia më 20 janar të vitit të kaluar u miratua gjithashtu.

Ratifikimi kërkon forcimin e bashkëpunimit midis të rinjve dhe organeve sportive të të dy vendeve, me fokus të veçantë në menaxhimin e sporteve, promovimin e sporteve të femrave, ligjin e sporteve, sportet për personat me aftësi të kufizuara dhe masat anti-doping.

Një marrëveshje tjetër e zyrtarizuar sot ishte pakti i Turqisë me Senegalin për menaxhimin e katastrofave, i lidhur më 28 janar të vitit të kaluar.

Sipas marrëveshjes, të dy vendet do të shkëmbejnë teknologji dhe ekspertizë mbi zvogëlimin, parandalimin, zbutjen, gatishmërinë, reagimin dhe rimëkëmbjen në menaxhimin e fatkeqësive dhe emergjencave, thuhet në njoftim.

Turqia ratifikoi gjithashtu një marrëveshje të nënshkruar me Namibinë më 30 tetor të vitit 2019, që ka për qëllim “krijimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të larmishme në fushën e shëndetit në frymën e solidaritetit dhe miqësisë”.