Anëtarësimet e Myftinisë Tiranë apo shitje biletash…

Nga Gentian Sejrani*

Kohët e fundit ka pasur një diskutim të gjerë mbi nismën e marrë nga Myftinia e Tiranës për fushatën e mbledhjeve të fondeve në formën e anëtarësisë së xhematit pranë xhamive përkatëse. E gjithë kjo fushatë u mbulua nga imamët e Tiranës në formën e hytbeve nxitëse dhe shitjen e disa biletave 300 lekëshe pas faljes së xhumasë, apo edhe të ndonjë vakti tjetër. E gjitha ajo që u shit si anëtarësim doli një bllof të paktën për atë që qarkullon, për dy arsye: e para në statut nuk parashikohet kuotizacioni qoftë mujor, apo vjetor, dhe asnjë nga biletat 300 lekëshe që u shit si biletë anëtarësimi, askush prej tyre që i blenë, nuk u shënuan asgjëkundi, përveç që dihet se sa bileta ka një bllok.

Për sa i përket statutit të KMSH-së, të miratuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, nuk shohim të përcaktuar asnjë nga rregullat e përcaktuar në lidhje me pranimin e përjashtimin e anëtarëve, të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve si dhe rregullat lidhur me kuotizacionet.

Gjithashtu, referuar nenit 49 të statutit, të ardhurat e KMSH-së mund të burojnë vetëm nga:

  1. Të ardhurat vakfnore.
  2. Dhuratat dhe donacionet e ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
  3. Veprimtaritë fitimprurëse sipas legjislacionit islam.
  4. 30% të ardhurave të myftinive sipas pikës a dhe c, te cilët detyrohen ti derdhin në arkën e KMSH-së.

Pra, statuti nuk parashikon kuotizacionet, si të ardhura për buxhetin e KMSH-së. Kjo do të thotë, se kuotizacioni që kërkohet në xhamiat e qytetit të Tiranës, nuk është e bazuar në statutin apo rregulloren e KMSH-së.

Personalisht, do të isha plotësisht dakort që myftinia e Tiranës të bënte thirrje për dhurimin e asaj shume dhe jo ta quante kuotë anëtarësimi, pasi do të hapte debate juridike mbi proceset zgjedhore të bëra deri më tani për organet drejtuese, dhe jo vetëm, të KMSH-së.

Pra kjo nisëm e gjitha në vetvete ha shumë diskutim, qoftë për vlefshmërinë juridike të këtij veprimi, qoftë për anën morale të saj, ku bamirësia nuk bëhet kaq publikisht, sa të rreshtohen pranë arkës së bamirësisë i gjithë xhemati në paradë. Normalisht ka persona që kanë më shumë bileta se sa frymë ka familja e tij dhe kjo nuk e reflekton numrin real të muslimanëve pranë xhamive.

Sigurisht që jemi të interesuar dhe presim përfundimet financiare të kësaj nisme për të hedhur sadopak dritë mbi burimet financiare në buxhetin e KMSH-së.

* Avokat dhe aktivist i shoqërisë civile.