Njeriu, kjo qënie socialisht e vetmuar….

Nga: Alban Gorishti

Dikur Ademi jetoi në xhenet i vetëm pa asnjë shoqëri, kështu ai vërtitej rreth e rotull pemëve dhe burimeve të xhenetit duke shijuar mirësitë që Zoti i vet i kishte dhuruar. Ai shijonte ujin, tokën, qumështin, mjaltin e xhenetit pa shumë brenga dhe mendime, kalonte kohë duke dëgjuar cicërimat e zogjve, tesbihet e engjëjve, firshëllimën e butë të erës së begatë të xhenetit por diçka i mungonte panoramës. Kështu koha kalonte dhe vetmia e Ademit fillonte e thellohej edhe më tej. Ai ecte krenar në pafundësitë e xhenetit por e tërë ajo hapsirë ishte e paplotë,ai shijonte kënaqësitë që Zoti i kishte dhuruar por pa kuptuar se përse ato mirësi shpesh nuk i hynin në sy përkundër madhështisë së tyre, ai aktivizohej duke e falenderuar Dhuruesin e tyre por zemra e tij rrihte në një inerci të kundërt me atë të ritmit të zakonshëm të aktivitetit brenda një strukture të pavjetërsueshme,siç është ajo e xhenetit.

Edhe pse Allahu e krijoi këtë qënie (Ademin) në mënyrë të përsosur  me duart e tij përsëri ai ndiente një boshllëk në zemër. Edhe pse ishte i paaftë ta shpjegonte atë ndiesi përsëri ishte diçka që shpesh e bënte të mendohej gjatë, nganjëherë psherëtinte dhe nganjëherë angazhohej në frytet e xhenetit në formën e disa veprimeve të pavetëdijshme të cilat ishin pikërisht reflektim i jashtëm i kësaj zbrazëtie që ndiente në shpirt. Ai nuk donte ta pranonte por atij i mungonte një palë nga vet lloji i tij por nga gjinia e kundërt. Kështu Zoti i gjithdijshëm,i cili kishte instaluar boshllëk dhe zbrazëtirë në zemrën e Ademit një ditë para se të zgjohej Ademi krijon për të bashkëshorten e tij, kështu sapo e shikon Ademi Havanë kupton menjëherë se ky ishte Ai boshllëku që i mungonte,kjo ishte ajo pjesa e mangët e tij ,ajo ishte pikërisht ajo që do ti jepte kuptim të plotë qëndrimit në xhenet ,kështu ecejaket e tij nën pemët e xhenetit nuk ishin më të vetme,pasditet afër lumenjve të tij ishin të mbushura me diskutime për qënien dhe eksitencën. Ai u shndërua në një tjetër, në dikë me një butësi të rrallë dhe qetësi vetpërmbajtëse,aq ndikoi kjo prezencë saqë arrinte të dëgjonte edhe madhërimin e zogjve për Zotin e tyre.

Me pak fjalë ai u plotësua, dhe nuk u duk më nëpër vende i hutuar apo i përhumbur siç dukej më parë. Zoti që e krijoi vetëm ai mundet ta kuptonte brengën e tij vetëm ai ia plotësoi boshllëkun e tij, i dha atij atë për të cilën kishte ëndërruar në netët e vetmuara. Kështu Ademi u përkufizua tek Havaja dhe Havaja tek Ademi, ai “hoqi dorë” prej zakoneve të cilat ishin nxitur nga mos ekzistenca e një qënieje si Havaja, kështu burri u burrërua dhe gruaja u feminilizua, u kujtuan se jeta pa njëri tjetrin është jetë në kërkim të qëndrës më të afërt të fitnesit, është rendje në kërkim të një ngushëllimi të pagjetur,është netë të gjata pa gjumë në sy, është dashuri që të kalojnë para sysh por nuk je i aftë ti pranosh, nuk je i disponueshëm ti kërkosh pasi vetmia e kësaj qënie socialisht e angazhuar e mbyt çdo ndjenjë e thellon çdo hendek midis burrit dhe palës, midis gruas dhe origjinës së saj.

Mbi të gjitha largësia prej kësaj dashurie është zhveshje edhe pse i veshur,është ngurtësi edhe pse i rrethuar nga dashuria. Ndaj Allahu njeriun në xhenet e krijoi të veshur me nurin e nderit,virtytit dhe bashkëshortësisë ndërsa ishte njeriu që e zhveshi këtë nur pasi në tokë preferoi të endej i vetëm, pa palën e tij, nëpër amoralitetet e një bote socialisht të vetmuar.Për këtë i Lartësuari tha: O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xhenneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre..” Araf . Ndaj sa herë që njeriu u frikësua nga ky petk, kjo dashuri (bashkëshortja/bashkëshorti) po aq herë ka për tu endur nëpër koridoret e lindjes apo perëndimit i paplotësuar dhe pa një shpatull tek e cila të rëndojë në momente të vështira.

Kjo qënie,njeriu, edhe pse qënie jashtëzakonisht sociale,mundet që të ndihet e vetme edhe pse  ndodhet në një vend të mbushur me qindra të tjerë. Pse? Sepse zemra është ena e Allahut mbi tokë, ndërsa konkretisht ajo plotësohet vetëm me palën -me dashurinë, edhe nëse llogjikisht nuk e pranon këtë realitet,pra për një qënie plotësishte falenderuese,për një qënie që e kupton se misioni i saj është të adhurojë Allahun, plotësimi i saj është i lidhur me mangësinë që buron nga dashuria për palën. Ndaj mos u frikso nga ndjenjat e tua,duaje dikë edhe nëse ndodhesh përtej detit,pasi dashuria për palën është reflektim mirënjohës ndaj dashurisë për Hyun.

Vërejtje: Historia e paraqitur më sipër është pasqyrim artistik i asaj të vërtetës ndaj mundet të gjenden në të elemente që nuk kanë bazë në doktrinën Islame.