Masakra e Prekazit – Publikohen pamje të rralla të Adem Jasharit

Sot është 23-vjetori i rënies së heroit Adem Jashari. Në rrjet po qarkullojnë pamje të papublikuara më parë, ku shihet komandanti legjendar duke u nisur për në luftë.

E realizuar në kullën e Jasharëve në Prekaz, dhe e përpunuar nga Milaim Zeka, video është regjistruar në një natë kur Ademi bashkë me dajën e tij nga Llausha, Osman Geci, dhe me djalin Lulzim Jashari, po nisej për në aksion.

Ademi dhe Osmani duken teksa përshëndeten me familjen, ndërkohë që në makinë i pret Lulzimi dhe drejt tij i shoqëron e ëma, Zahidja. Gjithashtu dëgjohet zëri i Ademit teksa i thotë lamtumirë nënës.

Adem Jashari ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake jugosllave. Forcat policore dhe ushtria jugosllave e sulmuan shtëpinë e tij në mars ’98, ku Adem Jashari ra heroikisht së bashku me 56 anëtarët e familjes së tij.

Ai njihet si Komandanti Legjendar i UÇK-së. Në vitin 2008, Adem Jashari mori urdhërin “Hero i Kosovës”.