Kërcënim për sulm në një nga spitalet e Kosovës, policia në aksion

Policia e Kosovës, ditën e sotme është ngritur në këmbë pasi  një person ka telefonuar dhe ka kërcënuar se do të sulmonte dikë në spital.

Mediat e Kosovës, bëjnë me dije se ky person, i cili ende nuk është identifikuar ka marrë në telefon policinë dhe i ka thënë se do të sulmonte një person në spital, por megjithatë nuk ka bërë të ditur se në cilin spital do e bënte sulmin.

Menjëherë pas telefonatës, policia është mobilizuar për sigurinë e spitaleve në të gjithë Kosovën për arsye parandaluese.

Zëdhënësi i PK-së për rajonin e Veriut, Besim Hoti, i cili njoftoi për rastin, duke thënë se që nga mëngjesi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndaluar automjetet që hyjnë në zonën ku ndodhet Qendra Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut dhe po i kontrollojnë të gjitha veturat.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të çfarëdo natyre apo vepre penale.

Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend.

Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarr masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve.”