Kontrollorët e Rinasit – Ramës: Jemi brenda ligjit, po na shton stresin

Kontrollorët ajrorë të cilët ndodhen në grevë dhe kanë bllokuar fluturimet ajrore në aeroportin e Rinasit, janë prononcuar për mediat si dhe i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama.

Përfaqësuesi i tyre, avokati Rezart Kthupi, deklaroi se nuk e kanë braktisur detyrën. Kontrollorët ajrorë, sipas Kthupit, ndodhen momentalisht në vendin e punës veçse nuk ushtrojnë detyrën.

Ai theksoi se çështja e ngritur nuk ka të bëjë me përfshirjen në debat politik, por me uljen e pagës së kontrollorëve dhe ndryshimin e nevojshëm të procedurave operacionale.

“Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës, kontrollorët vijojnë të shkojnë në vendin e punës por nuk ushtrojnë detyrën. Braktisja e vendit të punës është mos shkuarja në punë pa asnjë arsye. Kjo nuk është një çështje politike, nuk kemi asnjë lloj interesi të përfshihemi në politikë”, – tha avokati Kthupi.

Kërcënimeve të Ramës, se kontrollorët ajrorë duhet të ushtrojnë një orë e më parë detyrën në të kundërt do të përgjigjen para ligjit, avokati iu përgjigj duke thënë se: Qendrimi i punonjësve është konform ligjit dhe kësisoj nuk ka hapësirë ligjore për ndjekje penale.

“T’i shtosh stresin kontrollorëve, do t’i thotë t’i shtosh stresin pilotit që ka në avion qindra pasagjerë”, – vijoi avokat Kthupi teksa komentoi reagimin e kryeministrit si të pabazë, nxitës gjithashtu të reagimit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.