Lirohen katër prej kontrolloreve të shoqëruar në polici

Katër nga kontrollorët e trafikut ajror të shoqëruar në polici tashmë janë liruar. Lajmin e bëri të ditur për mediat avokati i punonjësve Rezart Kthupi. Pra, numri i të shoqëruarve nga rreth 30, zbret në 26. Deri tani, asnjë urdhër arresti nuk është prerë për asnjë prej tyre. Kontrollorët e trafikut ajror në Albcontrol janë marrë në pyetje në DVP Tiranë

Shoqërimet e tyre për t’u marrë në pyetje janë bërë me urdhër të Prokurorisë pas kallëzimit që kompania Albcontrol bëri ndaj organizatorëve. Ndërsa, Prokuroria nisi menjëherë hetimet me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Kujtojmë se në aeroportin e Rinasit prej mëngjesit të së mërkurës nuk mund të realizohet asnjë fluturim. Shkak është bërë shpallja e paaftësisë së përkohshme nga ana e kontrollorëve që akuzojnë se u është ulur paga, nuk janë dëgjuar për një vit dhe se u janë pushuar kolegë nga puna.

Një prej kontrollorëve, Pirro Lako, në një prononcim për mediat tha se është shoqëruar në ambientet e policisë që prej orës 23:00 mbrëmjen e djeshme, ndërsa u shpreh se i kanë sekuestruar celularin.