Rajoni edhe këtë vit nën hije të COVID-19 hyn në Ramazan

Në prag të fillimit të muajit të Ramazanit, besimtarët muslimanë në rajon prej disa ditësh kanë filluar përgatitjet për të pritur muajin e Ramazanit.

Edhe këtë vit rajoni, ashtu siç e gjithë bota, muajin e Ramazanit e priti nën hijen e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Në shumë vende nuk do të organizohen iftaret tradicionale me pjesëmarrjen e shumë personave, ndërsa edhe teravitë në disa vende nuk do të falen në xhami për shkak të kufizimeve.

Maqedoni e Veriut

Muslimanët e Maqedonisë së Veriut i kanë bërë përgatitjet e fundit në prag të muajit të Ramazanit. Në këtë drejtim edhe përgatitjet e fundit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe në Bit Pazar kanë përfunduar.

Për shkak të COVID-19, edhe këtë vit ashtu si vitin e kaluar, teravitë do të falen nëpër shtëpi.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas masave të Qeverisë kundër COVID-19, në periudhën kohore nga ora 20:00 deri në orën 05:00, masë që do të zgjasë deri më 20 prill, do të zbatohet orë policore.

Shqipëri

Gjatë ditëve të fundit, tregjet në Tiranë janë më të frekuentuara, ku qytetarët blejnë produktet ushqimore, por edhe produkte të tjera për përgatitjet rreth muajit të Ramazanit.

Në Tiranë, në Tregun “Pazari i Ri”, qytetarët kanë shtuar blerjet ditët e fundit për përgatitjet për të pritur muajin e Ramazanit.

Edhe në qytete të tjera të vendit, tregtarët, pavarësisht COVID-19 kanë marrë masat për të siguruar produktet e ndryshme që kërkohen nga qytetarët gjatë muajit të Ramazanit, duke filluar nga ato ushqimore, por edhe produkte të tjera.

Sipas masave të reja në Shqipëri, do të vazhdojë të mbetet në fuqi kufizimi i lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit, që do të jenë në fuqi për dy javët e ardhshme.

Kosovë

Në prag të Muajit të Ramazanit, rrugëve të kryeqytetit të Kosovës por edhe në super-markete e tregje vërehet një fluks më i madh i qytetarëve.

Kosovarët si zakonisht, në Natën e Ramazanit vizitojnë tregjet për t’u furnizuar me ushqimet e nevojshme për iftaret dhe syfyret e këtij muaji.

Në tregun e gjelbër në Prishtinë, shitësit kanë shpeshtuar shitjen e frutave karakteristike që konsumohen shumë në Ramazan, si hurmat dhe fiku, por edhe produkte të tjera.

Për shkak të COVID-19, Qeveria e Kosovës nga 7 prilli ka mbyllur gastronominë përpos mundësisë së shërbimit “merre me vete”, ndërsa është vendosur orë policore nga ora 22:00 deri në orën 05:00 si dhe shumë sektorëve u është kufizuar numri i punëtorëve.