Maqedoni e Veriut, Dita ndërkombëtare e punës – 1 Maji shënohet me protestë para qeverisë

Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL) sot para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut mbajti një protestë me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke shprehur shqetësimin për atë siç tha, gjendjen e dobët ekonomike dhe sociale të punëtorëve, sidomos gjatë pandemisë.

“Rroftë 1 maji” dhe “Drejtësi për të drejtat e punëtorëve”, ishin parullat me të cilat udhëheqja e KSL para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut shprehu publikisht kërkesat dhe pakënaqësitë e saj lidhur me të drejtat e punëtorëve.

Kryetari i KSL, Bllagoja Rallpovski, në një deklaratë për mediat tha se ata do të paraqesin deri tek Qeveria një manifest të 1 Majit me kërkesa konkrete.

“KSL shpreh shqetësim të madh për gjendjen e dobët ekonomike dhe sociale të punëtorëve, veçanërisht gjatë kohës së pandemisë kur shumë punëtorë humbën vendet e tyre të punës. Kjo krizë ka treguar edhe një herë sa është vlera e punëtorit për funksionimin normal të shoqërisë, veçanërisht gjatë një pandemie. Me vlerë të paçmuar janë profesionistët shëndetësorë ndaj të cilëve duhet të tregojmë shumë respekt për këtë vit të kaluar, të cilët kontribuan për të na ndihmuar të gjithë neve, si dhe ato profesione që shpesh nuk janë në fokusin publik, punonjësit e tregtisë, ndërtuesit, punëtorët e mirëmbajtjes së higjienës, zjarrfikësit, policët, punonjësit e medias dhe të tjerët”, tha Rallpovski.

Ai theksoi se të ardhurat e punëtorëve nuk janë të mjaftueshme për një jetë dinjitoze dhe nuk sigurohet një standard minimal jetese për familjet e tyre.

“KSL i mori seriozisht sfidat e reja, ne kërkuam të gjenim zgjidhje për situata të tilla, por fatkeqësisht autoritetet shtetërore përgjegjëse nuk morën masa serioze për të dalë nga kjo situatë. Ne jemi dëshmitarë të shkeljeve të ligjeve, pezullimit të marrëveshjeve kolektive, shkurtimit të të drejtave të punëtorëve që u garantohen atyre dhe më e rëndësishmja, masave të pamjaftueshme të marra për të ruajtur sigurinë dhe shëndetin gjatë një pandemie për të gjithë punëtorët. Punëtorët janë përballur me largime nga puna, mospagim të pagave, ndërprerje të paligjshme të marrëdhënies së punës, shkurtime të paligjshme të pagave, procedura disiplinore të pajustifikuara, mosrespektim të dispozitave ligjore në lidhje me pushimet vjetore, orarin e punës dhe shkelje të tjera në fushën e të drejtës së punës”, shtoi Rallpovski.

Siç deklaroi ai, Maqedonia e Veriut, sipas indeksimit të zhvilluar nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave, “karakterizohet si një vend pa të drejta pune”.

LSM: Një në katër persona të papunë është i ri

Dita Ndërkombëtare e Punës – 1 Maji u shënua me një aktivitet në Shkup edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).

Irena Ivanovska, kryetare e seksionit për Rini në LSM, prezantoi mesazhet e të rinjve. Ajo tha se kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 goditi fuqishëm të rinjtë, duke i vënë ata në krye të kategorive të grupeve të cenueshme.

“Se si ndikoi kriza tek të rinjtë në vendin tonë tregon niveli i papunësisë së të rinjve në vend, e cila është ndër më të lartat në Evropë. Që nga fillimi i krizës shëndetësore në mars 2020, nga numri i përgjithshëm i personave që kanë mbetur pa punë dhe ekzistencë pothuajse 30 për qind janë të rinj nën 29 vjeç, pa llogaritur ata që punojnë në ekonominë informale, që do të thotë se një në katër persona që ka humbur punën është i ri”, tha Ivanovska.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, urime dërgoi kreu i shtetit, gjegjësisht presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev si dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.