Në mbrojtje të Aksasë, Kudsit, dhe Palestinës/ Obligimi ynë karshi ngjarjeve në Palestinën e okupuar…!

(Shkas: Ngjarjet e fundit në Aksa, Kuds dhe Palestinë)

Nga: Sali Shasivari

Nuk është e domosdoshme që të jesh historian, antropolog, arkeolog, teolog, politikan, diplomat, komunikolog, etj., për të kuptuar atë që po ndodh në Palestinë, si dhe, për të dalluar viktimën nga agresori, me qëllim të denoncimit, demaskimit dhe dënimit të agresorit, dhe, në funksion të solidarizimit, përkrahjes dhe ndihmës ndaj viktimës…!

Për gjithë këtë, mjafton që të kesh mendje të shëndoshë, zemër që rreh, ndërgjegje të pastër, dhe, mbi të gjitha, njerëzishmëri…!

Tashmë që terrori sistematik, agresioni barbar, si dhe krimet makabre sioniste po intensifikohen ndaj një popullate të tërë, të okupuar, të shtypur, të izoluar, të përvuajtur, të rraskapitur…

Duke marë parasysh indiferencën e botës në tërësi, faktorëve ndërkombëtarë në përgjithësi, si dhe “botës demokratike” në veçanti…

Duke parë hipokrizinë e turpshme të disa shteteve, politikanëve, individëve të caktuar, gazetarëve, dhe korporatave mediatike, të cilët luajnë rolin e ‘avokatit të dreqit’, me ç’rast po shtrembërojnë faktet, realitetin dhe ngjarjet, duke stimuluar agresorin, dhe, duke dënuar viktimën…!

Karshi një realiteti të këtillë, sa të turpshëm, po aq të dhimbshëm, assesi nuk guxojmë të dorëzohemi…

Po ashtu, para një tragjedie njerëzore të këtyre përmasave, nuk mjafton një deklaratë me fjalë dhe terme mirakëndëse, as një postim apo shprehje e keqardhjes, e as postimi i një duaje / lutje online… Porse, është obligim i gjithsecilit prej nesh që të japim maksimumin e mundshëm, secili nga sfera dhe pozita e vet, në përkrahje të së vërtetës dhe njerëzores…

Andaj, meqë në shkrimin / postimin tim të kaluar pata përmendur në shpejtësi disa hapa konkret dhe të mundshëm në këtë drejtim, në këtë shkrim / postim do të mundohem që të elaboroj në mënyrë më konkrete hapat në fjalë, me shpresë që secili prej nesh ta gjejë vehten së paku në njërën prej tyre…

Së këndejmi, në mesin e hapave konkrete dhe të mundshme të cilat mund të ndërmerren në situata të këtilla, do të veçoja:

1. Shprehja e indinjatës dhe ngritja e zërit të protestës – nëpër të gjitha platformat e mundshme – ndaj asaj që po ndodhë, dhe ndaj gjithë shkaktarëve dhe përkrahësve të një tragjedie të këtillë… Kjo, me qëllim të vetëdijesimit të masave të gjera, qartësimit të çështjeve, si dhe demaskimit të ‘demonëve’ dhe ‘tregtarëve të fateve njerëzore’… Në këtë aspekt, përpos demaskimit të terrorit dhe barbarizmit historik dhe aktual sionist dhe i z ra e l i t, me këtë rast, duhet demaskuar edhe establishmentet politike, korporatat, lobi-grupet e ndryshme, figurat shkencore, fetare, publike dhe mediatike, etj. – qofshin ato perendimore apo lindore, duke përfshirë këtu edhe ato në botën arabe dhe islame – të cilat përkrahin një terror dhe barbarizëm të këtillë në çfarëdo forme…

2. Ndërmarrja e kampanjave për bojkotimin e produkteve që janë të lidhura direkt apo indirekt me shkaktarët e kësaj gjakderdhjeje dhe këtij krimi ndaj njerëzimit…

3. Emërtimi i gjërave me emrat e tyre të vërtetë… Kështu, ajo që po ndodh për momentin në tokat palestineze nuk është thjeshtë: ‘dhunë’ (violence), ‘konflikt’ (conflict) mes dy palëve; ‘përplasje’ (clash) në mes ‘forcave izraelite’ dhe ‘militantëve palestinezë’, etj. … Por, kemi të bëjmë me: ardhacakë dhe kolonizatorë, kundër një popullate autoktone dhe një vendi të uzurpuar dhe kolonizuar; kemi të bëjmë me apartheid që po ushtrohet ndaj popullatës së pafajshme palestineze; kemi të bëjmë me dhunë dhe terror nga një fuqi kolonizuese, e cila është e armatosur deri në dhëmbë, dhe e cila ka mbështetjen e shumë shteteve, kundër një popullate të kolonizuar, të shtypur, të izoluar, etj.; kemi të bëjmë me krime, të cilat arrijnë nivelin e ‘krimeve kundër njerëzimit’ (kjo sipas vlerësimit të organizatave për të drejtat e njeriut), kundër popullit palestinez, i cili mundohet ta mbrojë atdheun, pragun, nderin, dinjitetin, shenjtëritë, etj.;…

4. Nxjerrja në pah e faktit se, I z r a e l i, jo vetëm që është sajesë artificiale, e krijuar nga fuqitë e mëdha përmes një rezolute (Rezoluta 181 e OKB-së), për qëllime dhe interesa të këtyre fuqive të mëdha, por e njejta sajesë, edhe sipas shumë rezolutave të OKB-së, definohet si sajesë kolonizuese, e cila ka bërë – dhe vazhdon të bëjë – shkelje flagrante të shumë konventave ndërkombëtare, në të gjitha aspektet…

5. Shndërrimi i profileve tona – në rrjetet sociale – në platforma për vetëdijësim në lidhje me atë që po ndodh, duke denoncuar krimet historike dhe aktuale të cilat i bëjnë sionistët… Madje, një kampanjë e këtillë duhet të jetë e vazhdueshme dhe konstante, e, jo sa për sy e faqe…

6. Shpërndarja masovike e pamjeve dhe inserteve – qoftë nga e kaluara, apose nga e tashmja – në lidhje me krimet në fjalë… Poashtu, edhe kjo kampanjë duhet të jetë e vazhdueshme dhe konstante, e, jo sa për sy e faqe… Madje, nëse nuk dini çka të postoni, shikoni se çka postojnë të tjerët, duke përfshirë këtu platformat e ndryshme të besueshme informative, në mesin e të cilave edhe disa sosh prej tyre që prezentohen nga ana e hebrenjve ortodoksë, si dhe disa figurave tjera publike hebreje… Për më tepër, insertet e këtilla duhet të përkthehen, të titrohen dhe të përcillen me informatat dhe detajet e duhura…

7. Shkrimi i komenteve protestuese nëpër platformat e korporatave dhe agjencive të ndryshme mediatike, në shenjë revolte karshi ‘territ informativ’, dezinformimit, informimit të njëanshëm, si dhe shtrembërimit të ngjarjeve, realitetit dhe fakteve… Në këtë kontekst preferohet edhe postimi i pamjeve dhe inserteve të lartëpërmendura nëpër hapësirat e platformave të ndryshme mediatike, qoftë edhe në pjesën e komenteve, në shenjë përkujtimi, se, përreth ‘territ’ të tyre informativ të turpshëm dhe skandaloz, ne jemi të vetëdijshëm dhe të informuar në lidhje me atë që po ndodh… Madje, të njejtat komente, duhet të dërgohen edhe në adresë të ‘avokatëve të dreqit’, të cilët manipulojnë me faktet si dhe me ndjenjat e njerëzve…

8. Organizimi i peticioneve dhe kërkesave në emër të individëve, grupeve, shoqatave, organizatave, etj., dhe dërgimi i të njejtave në adresë të institucioneve të ndryshme relevante, duke filluar nga institucionet mediatike, politike dhe diplomatike në vend, e deri te institucionet relevante ndërkombëtare…

9.Organizimi i protestave paqësore para institucioneve relevante, si dhe para përfaqësive diplomatike të shkaktarëve dhe përkrahësve të këtij terrori dhe këtyre krimeve…

10. Denoncimi dhe demaskimi i gjithë atyre, të cilët, përreth përmasave të kësaj tragjedie njerëzore, kanë zgjedhur rolin e ‘avokatit të dreqit’, duke marë anën e ‘më të fortit’, dhe duke injoruar faktet historike, kauzat e drejta, realitetin në terren, si dhe të përvuajturit dhe viktimat e vërteta…

11. Participimi në kampanjat të cilat ndërmerren nga institucionet e ndryshme relevante për ofrimin e ndihmave humanitare dhe medicinale ndaj popullit palestinez…

Është e vërtetë se, mbase, përmes hapave të lartëpërmendur, ne nuk do të mund ta çlirojmë Palestinën, por, më pak që mund të bëjmë, është çlirimi i mendjeve, zemrave, ndërgjegjeve dhe shpirtërave të njerëzve nga prangat e propagandës, të pavërtetave, padrejtësive, etj. E, s’do mend se, këto lloj çlirimesh do të shpiejnë edhe në çlirimin e tokave dhe vataneve…

“Në një kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën është veprim revolucionar”. (George Orwell)