Bashkëjetesa produktive dhe Unifikimi i feve

Nga Ilir Curri (Teolog)

Muslimanët janë tolerantë në gjenezë. Parimisht, toleranca, respektimi i besimit të tjetrit e bashkëjetesa në një shoqëri heterogjene sanksionohet nga Islami për pasuesit e vet. Urdhrat kur’anore, porositë profetike, bazat kryesore ku mbështetet e gjithë feja islame janë të qarta edhe në këtë drejtim. Nderimi, respekti, bindja dhe besimi ndaj të gjithë profetëve të Zotit të ardhur para Muhamedit (të Dërguarit të fundit), si kusht nga kushtet e të qënit musliman përbën bazën e universalitetit të vlera që Islami implementon në shoqërinë njerëzore pa dallim.
Çdo thirrje për bashkëjetesën me komunitetet e tjera është e mirëpritur dhe nxitet nga Islami. Përtej kësaj, fshirja e dallimeve akaidnore (credo-s) mes feve bie ndesh me thelbin e misionit që Islami bart për njerëzimin.
Thënë ndryshe, ne (muslimanët) nuk synojmë të unifikojmë mure e godina, por qëllime, mendësi e zemra, për t’i sjell që të gjithë, me anë të ftesës, tek adhurimi i Zotit të botëve, i Vetëm, i Pashoq, pa i qasur Atij paganizma e idhuj. Kjo është përgjigje islame për ftesat politike për krijimin objekteve të përbashkëta të kultit. Teologët muslimanë kudo në botë kanë një mision të përbashkët, promovimin e asaj ftese të hapur që përmendëm, pra qëllimin që mos adhurohet kush tjetër përveç Zotit, për ta çliruar njeriun dhe shpirtin e tij nga çdo lloj robërie.

Përmirësimi, pajtimi, mbjellja e vlerave të bashkëjetesës, zhvillimit, solidaritetit social e të ngjashme, nxitja e përhapjes së dijeve e shkencave, forcimi i moralit e vlerave që sigurojnë vazhdimësinë në paqe të racës njerëzore, këto e si këto janë vlera burimore në Islam duke mirëpritur çdokënd që ka objektiva të tilla.

Iniciativat politike për shkrirjen e tre feve, të cilat bartin thuajse shumicën e potencialeve shpirtërore në botë dhe që konsiderohen promotorët kryesorë të zhvillimit shpirtëror të njerëzimit, janë jo produktive, përkundrazi e dëmshme. Pavarësisht kundërshtive e etiketimeve që kampi i unifikimit do nxjerrë në mbrojtje të tezës së vet, koha do ta vërtetojë pavlefshmërinë e këture iniciativave.
Toka është e gjerë, dhe jeta na ka mësuar se edhe vëllezërit e një nëne e një babai kur ndahen duan shtëpi më vete. Ne aspektin fetar, të gjithë popujt i ka krijuar Zoti e gjithë popujt kanë të njëjtit prindër, Ademin e Havanë (Adamin dhe Evën), ndërsa Zotit i luten në objekte të ndryshme. Kjo është normale, humane e gjithëpranuar e çdo ndërhyrje në këto realitete mijera vjeçare sjell kaos, dëm dhe ç’ekuilibrim balancash, për vendosjen e të cilave aq shume kanë investuar brezat ndër shekuj. Ky konstatim vlen sa në rrafshin teologjik aq edhe në atë social. Ndërsa historia është e ngarkuar me tmerret mesjetare kur politika e gjysmës së botës ka përdorur fenë si kalë për të sulmuar e grabitur gjysmën tjetër.

“House of God” në Berlin. Shtëpi e përbashkët adhurimi për të trija fetë që mbështeten ne Script (Tekst qiellor). Kjo është lëvizje politike e globalizimit të feve, ndryshe një hap më shumë drejt asimilimit të besimit në Zot. Cdo fe ka vulën e vet origjinale dhe fshirja e asaj vule do të thotë asimilim.
“House of God” u pata thënë, më mirë të kishin hapur një “shtëpi kulture” ku njerëzve tu mësohet respekti i ndërsjellë në rrafshin fetar, ndërsa ritet fetare i kryen secili tek Xhamia, Kisha, Sinangoga, sipas besimit përkatës.

Europa, unifikimin e feve e ka qasje politike si gjitha qasjet paneuropiane apo globaliste, ndërsa bashkëjetesën, shoqëri të vogla si e jona e ka jetë. Kontinentit plak duhet t’i eksportojmë eksperiencën tonë jetësore të pranimit të tjetrit, të të jetuarit se bashku në paqe e respekt të ndërsjellë. Edhe pse nuk e mohojmë dot se elemente destruktive me mendësi ateisto-komuniste, nën petkun e patriotizmës (si streha e fundit e maskarenjve) synojnë përçarje, por rastet janë të paperfillshme.

Çdo thirrje globaliste për t’i unifikuar fetë në një fe apo altar të përbashkët është tentativë për krijimin e një feje të re. E bota më pak se kurrë ka nevojë për këtë.
Tre fetë kryesore kanë vlera pafund që i bashkojnë, por vlera më e madhe qendron tek ajo që i dallon nga njera-tjetra. Edhe njëherë, shkrirja e feve në një do të thotë asimilim dhe kjo është tentativa globaliste në fushën e religjionit si në fusha të tjera, edhe pse One House of God është qasje ala One Stop Shop, që trajton diversitetin fetar si të ishte shërbim taksash e detyrimesh a linja fast-food-esh. Jo, miq! Me fetë nuk funksionon kështu.

Islami na mëson respektin për tjetrin që beson a mendon ndryshe, ofron bashkëjetesën në paqe, por duke konfirmuar dallimet e pranuar njëherë e përgjithmonë ato, me një varg të vetëm nga Kur’ani ku Zoti urdhëron dhe thotë:
“Thuaju; Ju keni fenë tuaj e unë kam fenë time!”.