Në mbrojtje të Aksasë, Kudsit, dhe Palestinës/ Shqiptarët, dhe ‘çështja palestineze’!

Nga Sali Shasivari

Gjatë agresionit të fundit i z r a e l i t kundër popullit autokton dhe të pafajshëm palestinez, dhe, karshi hipokrizisë dhe standardeve të dyfishta në nivel ndërkombëtar…; ajo që ra në sy, ishte qëndrimi zyrtar i ‘shqipërive’ tona – në nivel të politikës, diplomacisë, dhe masmediave – kundrejt ‘kapitujve’ më të ri të okupimit, kolonizimit, pastrimit etnik, krimeve, dhe gjenocidit c i o n i s t!

Kështu, për dallim nga establishmentet tjera, të cilat, si zakonisht, dënuan ‘të dy palët’, duke barazuar ‘viktimën’ me ‘agresorin’…; ‘establishmentet’ shqiptare nuk mjaftuan me ‘dënimin e të dy palëve’, por, paradoksi, servilizmi, klientelizmi dhe ‘non-sensi’ i tyre, në disa raste, shkoi një hap më tutje, duke mos e përmend fare agresorin, por, vetëm viktimën; edhe atë, jo në kuptim të viktimës së vërtetë, por në kuptim të ‘agresorit’…; qëndrim ky, sa paradoksal dhe i turpshëm, po aq edhe ‘sui generis’…!

S’do mend se, duke marë parasysh rrethanat politike dhe gjeo-strategjike, si dhe, peshën minimale që përbën faktori shqiptar karshi ngjarjeve të këtilla të përmasave globale… dhe, për hirë të korrektësisë dhe objektivitetit, duhet konstatuar faktin se, askush prej nesh nuk priste që ‘establishmentet’ shqiptare – në nivel të politikës, diplomacisë, dhe masmediave – të merrnin ndonjë qëndrim i cili do të dilte jashta kornizave të qëndrimeve zyrtare të fuqive të mëdha perendimore, prej ku i marin direktivat për çdo çështje, sado e madhe apo e vogël të jetë… Mirëpo, minimumi që pritej në këtë aspekt, ishte që, të njejtët, ose të ‘shuanin’ dhe ‘mosbëzajnë’ ndaj ngjarjeve të këtilla, ose, së paku, të ndiqnin ‘kursin’ e ‘tutorëve’ të tyre perendimorë në ‘dënimin e të dy palëve’!

Mirëpo, meqë ndodhi ajo që nuk pritej…

Karshi një paradoksi dhe turpi të këtillë, secili prej nesh, do të duhej të reflektojë dhe të parashtrojë pyetje të pashmangshme, të llojit: a thua vallë, ku qëndron ‘filozofia’ e një qëndrimi të këtillë ‘sui generis’ shqiptar, modeli i të cilit nuk haset dot në asnjë cep tjetër të botës?! A thua vallë, pse ‘establishmentet’ shqiptare nuk e panë të arsyeshme që, së paku, për hirë të sentimentit njerëzor, kombëtar dhe fetar, si dhe, për hirë të së vërtetës historike, eksperiencës personale, dhe fakteve reale, të marrin qëndrime më të balancuara përkitazi me çështjen në fjalë?! Dhe, a thua vallë, ç’farë tentohet të arrihet me një servilizëm të këtillë, të paparë dhe të padëgjuar në ndonjë vend tjetër të botës?!

Aq sa janë logjike dhe legjitime pyetjet e lartëpërmendura, po aq jologjike dhe jolegjitime janë përgjigjet të cilat i dëgjojmë nga protagonistët e këtyre qëndrimeve paradoksale…!

Mbase, një realitet i këtillë nuk duhet të na habitë, ngase, aty ku mbaron logjika, fillon emri ‘realitet shqiptar’…; dhe se, aty ku mbaron ligji, fillon ‘ligji i xhunglave’ të shqipërive tona!

Së këndejmi, qëndrimi i këtillë i turpshëm i ‘establishmenteve’ të ‘shqipërive’ tona – në nivel të politikës, diplomacisë, dhe masmediave – kundrejt ‘kapitujve’ më të ri të okupimit, kolonizimit, pastrimit etnik, krimeve, dhe gjenocidit cionist, nuk paraqet kurrfarë risie, dhe nuk duhet të na habitë aspak… Kjo, sidomos, kur kemi parasyshë faktin se, këto ‘establishmente’, jo vetëm që nuk arritën – dhe ende nuk arrijnë – ta mbrojnë dhe dëmshpërblejnë popullin e vet shqiptar nga padrejtësitë, okupimi, kolonizimi, pastrimit etnik, krimi, dhe gjenocidi pan-sllavist dhe ultra-ortodoks, por të njejtat ‘establishmente’ ushtrojnë ‘terror’ të vazhdueshëm dhe të paparë ndaj popullit të tyre, në të gjitha sferat e jetës, si në sferën identitare, kulturore, arsimore dhe civilizuese, poashtu edhe në sferën shoqërore, ekonomike, politike, mediatike, etj.; duke i shndërruar ‘shqipëritë’ tona në vende jofunksionale dhe të pabanueshme…!!!

Andaj, në situata të këtilla paradoksale, dhe nën hijen e ‘establishmenteve’ të këtilla të degjeneruara dhe të korruptuara, rëndom, gjitha shikimet dhe pikëpyetjet drejtohen kah sovrani / populli, si dhe roli i elitave dhe masave të tij në kundërshtimin, denoncimin, dhe dënimin e padrejtësive të këtilla…

Mirëpo, e vërteta e hidhur qëndron në faktin se, mungesa e vetëdijes, mungesa e guximit, indiferenca, konformizmi, jo-organizimi, dhe heshtja e elitave dhe masave të gjera të popullit shqiptar, janë faktorët kryesorë të cilët e mbajnë peng këtë popull, konform ngritjes së zërit ndaj padrejtësive në përgjithësi, qoftë atyre të brendshme, apo atyre të jashtme…!

Së këndejmi, nuk duhet të na habitë aspak numri i vogël simbolik i atyre të cilët dolën në sheshet e ‘shqipërive’ tona në mbrojtje të kauzës së drejtë palestineze, në kohën kur, sheshet evropjane dhe ato anekënd globit dëshmonin për protesta milionëshe kundër padrejtësive të këtilla… Kjo, sidomos, kur kemi parasyshë faktin se, populli shqiptar, ka kohë që e ka humbur ‘sensin’ për protestë ndaj padrejtësive që ushtrohen ndaj vet qenies së tij, në gjitha poret e jetës…; padrejtësi këto, të cilat, prekin kafshatën e gojës, nderin, dinjitetin, dhe vetë ekzistencën e tij…!!!

“… Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten. …”. (Kur’an: Sureja Er-Ra’d, Ajeti 11).