Mianmar, rritet në 860 numri i viktimave në protestat kundër grusht shtetit

Në Mianmar që nga grushti ushtarak numri i civilëve që humbën jetën si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë kundër kundërshtarëve të grushtit të shtetit u rrit në 860.

Sipas raportit të Organizatës për Ndihmën e të Burgosurve Politikë në Mianmar (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar 2 viktima tjera civile.

Ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave u rrit në 860, numri i njerëzve në paraburgim shkoi në 4.804, dhe u lëshua urdhër arresti për 1.936 persona.

– 10 ushtarë humbën jetën në sulmin e grupit rebel

Nga ana tjetër thuhet se 10 ushtarë nga ushtria e Mianmarit humbën jetën në përleshjet me një prej grupeve të armatosura etnike Forca e Mbrojtjes së Popullit Kani më 9 qershor e cila është kundër grusht shtetit e që veprojnë në provincën Sagaing.

Një dëshmitar okular i cili foli në mënyrë anonime për gazetën “Irrawaddy” raportoi se në autostradën Monywa-Kalewa në rrethin Kani të shtetit, rebelët zunë pritë një kolonë prej 70 personash nga ushtria e Mianmarit.

Duke pretenduar se 10 ushtarë u vranë në konflikt, dëshmitari deklaroi se të paktën 10 ushtarë tjerë u plagosën.

Administrata ushtarake e Mianmarit nuk bëri asnjë deklaratë që konfirmonte viktimat.

– Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë në arrest.