Gjykata e Hagës dënon dy aleatë të Millosheviçit për krime lufte

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara shpallën fajtorë dhe i dënuan me nga 12 vjet heqje lirie dy ish zyrtarë të lartë të policisë së fshehtë serbe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish shefi i policisë së fshehtë të Serbisë, Jovica Stanishiç dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviç, u shpallën fajtor për ndihmë dhe nxitje të krimit të vrasjes, si shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës dhe krim kundër njerëzimit, dhe krimet e dëbimit, transferimit me forcë dhe përndjekjes, si krime kundër njerëzimit, gjatë luftës së viteve të 90-ta në Kroaci dhe Bosnje.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte i kishte shpallur të pafajshëm në maj të vitit 2013.

Por gjykata e apelit me pas tha se ata ishin liruar gabimisht.

Akuza i ngarkonte për për drejtimin e disa milicive më famëkeqe përfshirë grupet me emrin “Skorpionët” dhe “Tigrat e Arkanit”, të njohur për krime të shumta në ish Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.

Jovica Stanishiç si shef i policisë së fshehë të Serbisë në vitet 1990, konsiderohej si personi më i fuqishëm pas ish presidentit serb Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në Hagë në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më tetë qershor gjykatësit e Kombeve të Bashkuara vendosën të lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për ish-komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.