Kushtetuesja rrëzon herësin, hapen listat për zgjedhjet e ardhshme

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si antikushtetues pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që flet për herësin, çka lexohet nga juristët si një hapje e mëtejshme e listave për kandidatët për deputetët në zgjedhjet e ardhshme.

Pika e nenit që u shfuqizua parashikonte se “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”.

Në zgjedhjet e 25 prillit, herësin e thyen 3 kandidatë, Fatmir Xhafa, Luçiano Boçi dhe Ornaldo Rakipi.

Kushtetuesja u vu në levizja nga Partia “Bindja Demokratike” dhe partia “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, të cilat argumentonin se neni 163 i Kodit zgjedhor binte ndesh me aktin themeltar të Shtetit.

NJOFTIMI I GJYKATES
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.