MOS TË LËNTË E JOTJA…

Shqiptarët nuk i përmirësojnë pozitat e tyre duke u treguar gjithmonë dorëlëshuar në plotësimin e këshillave të miqve e aleatëve, për të mos u dukur mosmirënjohës ndaj tyre, sepse shqiptarët praktikisht nuk kanë më çfarë të sakrifikojnë që të kënaqen kërkesat serbe në Kosovë e Beograd.

Shkruan: Abdi Baleta

Kjo shprehje idiomatike nuk gjendet e formuluar kështu në fjalorët e gjuhës shqipe, por përdoret në të folmen popullore si ngushëllim e vetëngushëllim ose si nxitje mobilizuese në rrethana të vështira, sidomos në raste kur fillon e të mungon edhe mbështetja që pret nga miq e dashamirë. “Mos të lëntë e jotja” ka kuptimin “mos mehtë e mos shteroftë forca e zotësia jote, dëshira e aftësia tënde për të qëndruar edhe në vështirësi”.

Sot ne, shqiptarët, jemi të detyruar t’i kthejmë përsëri më shumë sytë nga vetja, pas disa dekadash shprese euforike se të tjerët do të na i zgjidhnin deri në fund hallet tona më të mëdha e do të na i lehtësonin punët më të rënda në çdo rast. Kurse tani kemi plot prova të bindemi se duhet të ngulim më mirë në mendje mençurinë e shprehur në fjalët “mos të lëntë e jotja”, sepse edhe miqtë e dashamirët kanë hallet e veta, lodhen nga ngatërresat që bëjnë pa pushim armiqtë e shqiptarëve, madje zhgënjehen dhe nga shqiptarët, që shpesh nuk po dinë çfarë të kërkojnë e si t’i kërkojnë të drejtat e tyre, që nuk i japin në kohë e me kohë mesazhet e tyre të qarta dhe qëndrimet e tyre më të prera.

Këto ndjesi e mendime kam pasur raste t’i shpreh edhe më parë në“Shenja”. Tani m’i nxiti më shumë takimi i datës 13 qershor 2021 në Bruksel midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që pritej me kureshtje të veçantë, si i pari midis tyre dhe i organizuar nën trysninë këmbëngulëse të Bashkimit Europian, për të mos lënë të ftohej shumë atmosfera e takimeve të mëparshme shqiptaro-serbe.

Pritej që takimi të ishte i vështirë dhe joproduktiv, më shumë për të thënë që u mbajt sesa për të krijuar ndonjë atmosferë premtuese. Prandaj, shumica e vëzhguesve e komentuesve takimin e kanë përshkruar si shumë të vështirë, të tendosur, të acaruar, që nuk shënoi kurrfarë hapi premtues për ndonjë drejtim e kahje të re në maratonën e deritanishme të stërzgjatur të bisedimeve midis Kosovës e Serbisë gjatë tri dekadash. Edhe moderatori i këtij takimi, përfaqësuesi i Bashkimit Europian, sllovaku Lajçak, nuk e pati të lehtë të bënte e të paraqiste përshkrimet e rastit për të mbajtur njëfarë atmosfere entuziazmi. Por, nuk kishte se çfarë të thoshte më shumë se në këtë takim palët u panë me njëra-tjetrën, u njohën me platformat me të cilat kishin ardhur dhe dhanë shenjat se bisedimet do të jenë të vështira, por duhet të vazhdojnë.

Në fakt, nuk ndodhi tamam kështu sepse me njëfarë platforme u paraqit vetëm Albin Kurti, ndërsa nga Vuçiqi u dëgjuan vetëm avazet e vjetra kundër shtetshmërisë së pavarur të Kosovës dhe asgjë se mbi çfarë bazash ka ndërmend Serbia t’i shtjellojë qëndrimet e saj në të ardhmen. U pa qartë se presidenti i tanishëm i Serbisë nuk ka asgjë të re për të sjellë në tryezën e bisedimeve ndërkombëtare me Kosovën, madje është i prirë të përsërisë po ato taktika që kanë përdorur gjithmonë përfaqësuesit serbë në bisedime e mëparshme me shqiptarët. Edhe Vuçiqi synon që barrën për të “treguar konstruktivitet para ndërkombëtarëve”  t’ua lërë përfaqësuesve të Kosovës.

Këtë taktikë manipuluese të diplomacisë serbe e ka përshkruar qartë profesori amerikani së drejtës nga Çikago, anëtari i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në Amerikë, Henrri H. Perrit, në librin “The Road to Independence for Kosova. A Chronicle of the Ahtisaari Plan”(2010), ku ka analizuar qartë sjelljen e mëparshme në bisedime: “Stilet e skuadrave negociuese të Beogradit dhe të Prishtinës ndryshonin shumë. Delegacioni serb ishte me më tepër përvojë në diplomaci, por ai kishte mandatin që t’i minonte negociatat sa më shumë të ishte e mundur… Gjatë procesit shqiptarët kosovarë fituan pjekuri… (f. 144)… Delegacioni serb kurrë nuk paraqiti ndonjë projekt të shkruar, madje edhe kur duhej diskutuar një çështje me rëndësi të madhe, si mbrojtja e komunitetit… Shqiptarët zakonisht i sillnin të shkuara në letër qëndrimet e tyre, zakonisht të përpiluara nga konsulentë amerikanë e europianë. Në një rast shqiptarët e Kosovës përpiluan një qëndrim prej 70 faqesh mbi të drejtat e komunitetit, që supozohej se ishte përgatitur nga eksperti i tyre. Kur ekipi i UNOSEK (ekipi i sekretarit të OKB-së) e lexoi atë, nuk e besonte dot nga sa shumë gjëra shqiptarët po donin të hiqnin dorë. Rohan (zëvendësi i Ahtisaarit – shënimi im, A.B.) kujton: ‘Ne u thamë atyre ‘A jeni ju të sigurt se doni ta thoni këtë gjë në dokumentin tuaj?’” (f.145). Nuk ke si mos psherëtish shprehjen “mos të lëntë e jotja”!

Perrit shkruan: “Në përgjithësi, shqiptarët e Kosovës ishin konstruktivë në propozimet e tyre. Ata i merrnin fort për zemër këshillat e bashkësisë ndërkombëtare se duhej të fillonin me propozime serioze dhe të mos futeshin në pazare shumë të rafinuara ngacmuese, që do të përpunoheshin në fund” (f. 147). Në Prishtinë Rohani i kërkoi ekipit kosovar më shumë lëshime lidhur me decentralizimin. Delegacioni i Kosovës shprehu habi për këtë kërkesë, sepse sipas mendimit të tyre ata tashmë kishin pranuar më shumë sesa u takonte për pjesën e tyre të kompromisit” (f.151). Kështu janë zhvilluar bisedimet për Planin “Ahtisaari” në Vjenë, bisedimet për marrëveshjet në Bruksel, nën drejtimin e Baroneshës angleze Eshton dhe të italianes Mogerini. Të tilla bisedime, mesa duket, kërkon Serbia e Vuçiqi të kenë e të vazhdojnë përsëri në Bruksel.

Çfarë mund e duhet të ndryshojë në bisedimet e Brukselit?

Por, tashmë kryeministri i Kosovës e dha të qartë paralajmërimin se kohët kanë ndryshuar shumë, sado që shqiptarët janë vënë nën trysni të forta edhe nga miqtë e aleatët e tyre më për zemër. Kjo është prova e parë e fortë se në politikën e diplomacinë shqiptare po fillon të ndjehet më fort vlera e mençurisë popullore “mos të lëntë e jotja”. Këtë frymë të re e ndjeu shpejt edhe Lajçaku, kur në një koment të tij theksoi se kryeministri i Kosovës ka pozita të forta në shtetin e vet, sepse gëzon mbështetjen e fuqishme të shumicës së madhe të popullit. Kjo do të thotë se fryma e shprehjes “mos të lëntë e jotja” nuk po zë vend tek shqiptarët e Kosovës vetëm sa për ngushëllim, por dhe si mesazh për mobilizim e veprim. Prandaj, në fakt, kemi jo vetëm dëshirë, por edhe njëfarë sigurie të mendojmë se takimi Kurti-Vuçiq i 13 qershorit ka rezultuar tashmë i ndryshëm nga gjithë takimet e bisedimet e mëparshme shqiptaro-serbe që janë bërë në Bruksel. U pa qartë se ky takim ishte pa kuptim, si i organizuar me shumë nxitim, pa ndonjë përgatitje serioze e platformë të përpunuar. Prandaj edhe reagimet ndaj organizimit të këtij takimi nuk mund të ishin të qeta nga të gjitha anët.

Më i inatosur e më i zemëruar nga ky takim doli presidenti serb, meqenëse Albin Kurti “e kishte pyetur 10 herë se kur do ta njohë Serbia pavarësinë e Kosovës” dhe Vuçiq ishte detyruar të përsëriste po 10 herë fjalën “Kurrë”. Madje, Vuçiqi, ndoshta për të qetësuar serbët, ka dhënë dhe shpjegimin se “ai ka qëndruar si i ka hije atij, ka lëshuar deri fyerje ndaj Albin Kurtit, por për këto nuk pendohet aspak”. Kurti, pas takimit, ka sqaruar se në bisedimet e Brukselit ai ka parashtruar disa pika të platformës së tij, për t’u dhënë bisedimeve formatin që duhet, meqenëse bisedimet nuk mund të vazhdojnë më si më parë, siç u ka konvenuar deri tani drejtuesve të Beogradit.

Mjaftojnë vetëm këto ballafaqime qëndrimesh për të kuptuar se, faktikisht, bisedimet e Brukselit në fazën e tanishme janë kot, jo vetëm se janë të parakohshme, por dhe për shkak të perceptimeve diametralisht të kundërta me objektivat për të cilat palët duhet të shkojnë në këto takime e bisedime. Presidenti i Serbisë kishte shkuar në Bruksel për të biseduar me Albin Kurtin sikur të ishte fjala për përcaktimin e një statusi të ri të Kosovës, jo për marrëdhënie midis dy shteteve të pavarura e sovrane, Serbisë e Kosovës, sikur Boreli dhe Lajçaku të ishin jo në pozitat që kanë pasur deri tani, por në pozitat e Ahtisaarit e Rohanit, kur bisedohej në Vjenë për Planin “Ahtisari” mbi përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ja si e ka përshkruar Perrit ballafaqimin e atëhershëm midis palëve serbe e shqiptare: “Pas vizitës së parë që UNOSEK u bëri udhëheqësive të Serbisë e Kosovës, ishte e qartë se të dy palët nuk do të pranonin me vullnetin e tyre një program për statusin. Sesioni i parë (i bisedimeve në Vjenë – shënimi im, A.B.) e përforcoi këtë konkluzion. Përfaqësuesit e palëve, kryesisht, donin të flitej për statusin, ndonëse ata diskutuan edhe për decentralizimin dhe të drejtat e komunitetit. Delegacioni serb e bëri të qartë se Serbia kurrë nuk do të pranojë gjë tjetër, përveç vazhdimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Ata, gjithashtu e bënë të qartë se termi ‘të drejtat e minoritetit’ nuk duhet të përdoret për serbët e Kosovës. Beogradi këmbëngulte në termin të drejtat e komunitetit në vend të kësaj. Edhe delegacioni kosovar e bëri të qartë se kurrë nuk do të pranojë diçka tjetër, veç pavarësisë së Kosovës nga Serbia” (f. 143).

Me të tilla mendësi politike dhe platformë diplomatike të dështuar me kohë kishte shkuar në Bruksel presidenti serb, Vuçiq. Pra, Vuçiqi kishte shkuar me një kërkesë absurde e megalomane që të fshihen, sikur të mos kishin ndodhur kurrë, të gjitha proceset e ndryshimeve të mëdha e të pakthyeshme lidhur me Kosovën, brenda në Kosovë, në Ballkan, në Europë e në botë dhe ligjin për gjithçka ta imponojë Serbia(!). Ky është ai kompromisi që i kërkon Vuçiqi Kurtit. Kjo është zgjidhja që kërkon Serbia nga Brukseli. As Vuçiqi e Serbia, as ndonjë forcë tjetër më e fuqishme se ata nuk mund t’i bëjnë të paqena ato vendime që janë marrë për Kosovën. Është e pabesueshme që dikush që e ka ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe të drejtësisë kur trajton punë të tilla në botë mund të mendojë e vështrojë ndryshe nga sa është menduar deri tani atë që ka shkruar Henrri Perrit lidhur me përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës: “Tejet vendimtare në këtë dinamikë ishte deklarata e Presidentit Bush më 10 qershor 2007 në një konferencë të përbashkët shtypi gjatë vizitës së tij në Tiranë, Shqipëri: “‘Unë jam një përkrahës i vendosur i Planit ‘Ahtisari’, – tha ai. ‘Kur do të marrë fund procesi? Koha është tani… E kam bërë të qartë se së pari ne kemi nevojë të lëvizim dhe së dyti rezultati përfundimtar do të jetë pavarësia’. Kjo deklaratë pa mëdyshje i dha fund çdo pritshmërie zvarritëse se Prishtina do të jepte pëlqimin për ndonjë gjë më pak se pavarësia në një kohë më të shkurtër. Ajo e bëri Beogradin të akuzonte se SHBA-ja i kishte sabotuar bisedimet, duke lënë të lirë Rusinë të pengonte dhe ta mbështeste intransigjencën serbe” (f. 191).

Deklarata “tiranase” e Presidentit Bush (i Riu), në qershor të vitit 2007, dhe konteksti në të cilin e ka vendosur e vlerësuar Henri Perrit janë prova më e mirë e zgjidhjes në mënyrë të pakthyeshme e çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës si shtet i pavarur e sovran, i njohur ndërkombëtarisht. Për shqiptarët dhe miqtë e tyre kjo formulë mbetet si një vulë e pashlyeshme dhe e shenjtë e përkujdesjes amerikane për fatin dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk shkohet përpara duke tentuar të kthesh proceset mbrapa

Nuk është më gjë e lehtë që dikush, qoftë dhe në Amerikë, të tentojë ta fshijë këtë vulë nga analet diplomatike amerikane e botërore, sikurse kanë ushqyer e ushqejnë shpresa Serbia, Rusia e aleatët e tyre. Çfarëdo ndryshimesh ose dhe përmbysjesh të ndodhin në rrjedhat e rrëmujshme të zhvillimeve të turbullta politike e diplomatike në Ballkan, në Europë e në botë, shqiptarët më shumë se gjithkush tjetër duhet ta mbrojnë shenjtërinë e vulës që i vuri Presidenti Bush pavarësisë së Kosovës dhe të mos pajtohen me asgjë, të mos japin shkas për asnjë pritshmëri përmbysëse të re që përpiqen të ngjallin manipuluesit diplomatikë nëpër botë, për të tërhequr shqiptarët në rrymën e zhveshjes së formulës Bush nga shenjtëria,siç e ka stamposur Henri Perrit lidhur me pavarësinë e Kosovës. Prandaj shqiptarët nuk kanë asnjë alternativë përballë qëndresës deri në fund në mbrojtje të kësaj shenjtërie. Sido që të venë punët më tej, detyra e shqiptarëve është të frymëzohen nga mençuria e formulës shqiptare “mos të lëntë e jotja” dhe të mos pranojnë më kurrsesi një zgjidhje e kompromise që dalin jashtë Planit “Ahtisaari”.

Kush dhe pse kërkon t’ia imponojë Kosovës “Asociacionin e Komunave Serbe”?!

Në mënyrë të veçantë shqiptarët nuk mund të pajtohen me djallëzinë e krijimit “Shtetit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë”, që është një komplot për të rihapur varrin për shtetshmërinë e pavarur të Kosovës, të atij varri që kishte qëndruar i hapur për shumë vite deri kur e mbylli më 10 qershor 2007 (në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit) Presidenti Bush me deklaratën që bëri në Tiranë. Serbia dhe aleatët e saj më të ngushtë kanë synuar qysh në fillim që “Asociacionit të komunave serbe në Kosovë” t’i japin funksionet e rolin e një “republika serbska”, si ajo në Bosnje, dhe nëpërmjet kësaj të realizojnë ambicien e pretendimin se Serbia nuk e ka humbur sovranitetin e vet mbi Kosovën, as ligjërisht, as praktikisht.

Tani për këtë “asociacion komunash serbe” ka interes të shtuar për vete edhe Rusia, sepse do një krijesë tjetër, kësaj radhe në Ballkan, në shëmbëlltyrën e “Republikave autonome të Luganskut e të Donjeckut” në Ukrainë. Rusia do t’ iimponojë Perëndimit pranimin e një mekanizmi shtetëror sui generis në Ukrainë, që të ketë të drejtën e vetos në këtë shtet, për të bllokuar çdo vendimmarrje ukrainase, që nuk përputhet me “respektimin e vijave të kuqe” që ka shpallur Putini, sidomos të ndonjë vendimi ukrainas për të hyrë në NATO. Kështu që nuk duhet të mbetet vetëm shqetësim i shqiptarëve, por duhet të bëhet edhe shqetësim i aleatëve të tyre euro-atlantikë, që Rusia do të përdorë Serbinë për të krijuar “republikat e Luganskut e Donjeckut” të saj në Kosovë dhe për ta përjashtuar Kosovën nga mundësitë e integrimit normal në BE e NATO jashtë “kuadratit serb”. Në Bruksel duhet ta kuptojnë më mirë se Serbia e Rusia synojnë që “rifillimin e bisedimeve shqiptaro-serbe (Kurti-Vuçiq)” tani t’i kthejnë në një “Format ballkanik të bisedimeve e të marrëveshjeve të Minskut për Ukrainën, Donjeckun e Luganskun”, ku Ukraina po përpëlitet pa rrugëdalje dhe Rusia po spekulon sipas qejfit.

Nga komentet e Lajçakut kësaj radhe na bëri përshtypje pohimi ledhatues (realist) se ka një realitet tëri në Kosovë, se Albin Kurti gëzon atje mbështetje të fuqishme politike. Pra, po ndjehet se ka një prirje tjetër në filozofinë politike e diplomatike të Kosovës ngjason më shumë me frymën e shprehjes popullore “mos të lëntë e jotja”. Vihet re edhe në Bruksel, edhe në Paris e kryeqytete të tjera se qeveria e Kurtit është për një ndryshim të dukshëm jo vetëm në stil, por dhe në thelb të përfaqësimit të vullnetit dhe mbrojtjes së të drejtave e interesave të popullit e të shtetit të Kosovës në bisedimet e Brukselit. Por, duhet ende kohë e prova të reja për të mësuar nëse në Bruksel po fillon të fryjë ndonjë erë realizmi politik në rivlerësimin e procesit të gjatë e të dështuar të bisedimeve shqiptaro-serbe për të kuptuar më në fund se shqiptarëve nuk u ka mbetur asgjë për të ofruar që të ulin obstruksionizmin e pandërprerë serb në këtë proces bisedimesh, pasi nuk po marrin vesh më se çfarë kërkon diplomacia e BE-së prej tyre.

Diplomacia europiane e Brukselit dhe ajo euro-atlantike në tërësi e kanë për detyrë jo vetëm të na kujtojnë me fjalë rrezikun që vjen nga lojërat e Rusisë e të Kinës në Ballkan, por në radhë të parë të përqendrojnë vëmendjen tek ngatërresat që bëjnë këtu në kurriz të shqiptarëve Serbia dhe Rusia për të rritur numrin “republikave serbska”, për të sjellë këtu skemat ruse të aneksimit territorial, si në rastin e Krimesë, dhe skenarët manipulues si me “republikat autonome të Luganskut e Donjeckut” në Ukrainë. Rusia po bën shumë përpjekje që diplomacive perëndimore t’ua imponojë lojërat, skemat e skenarë, që duhet menduar se mund të marrin përmasa të reja tani pas takimit Bajden-Putin në Gjenevë, më 16 qershor 2021. Kanë filluar të qarkullojnë zërat e parë për mundësinë e rifillimit të një periudhe të re “bashkekzistence paqësore Lindje–Perëndim”, si dikur në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, pavarësisht se liderët politikë rusë e amerikanë deklarojnë se marrëdhëniet midis dy fuqive më të mëdha bërthamore, tani për tani, kanë mbërritur nivelin më të ulët dhe do të duhet kohë të përmirësohen.

Çfarë mund të presin më tutje shqiptarët nga diplomacia e Brukselit?

Prandaj përkrahja e kërkesave serbe për krijimin në Kosovë të “Asociacionit të komunave serbe” për trysni diplomatike mbi qeverinë e Albin Kurtit, ngado që të vijnë, është me shumë rreziqe për Kosovën, është shenjë se Rusia nuk heq dorë nga rikthimi i saj në proceset diplomatike për punët e Ballkanit në dëm të të drejtave të shqiptarëve, duke zhvleftësuar sa më shumë edhe rregullimet e bëra në kuadër të Planit “Ahtisaari”. Manovra të tilla diplomatike, pavarësisht se kush i frymëzon ose i toleron, rrezikojnë më tej paqen, stabilitetin e sigurinë në rajonin e Ballkanit. Diplomacia brukselase dhe euro-atlantike e kanë më të qartë se gjithkush se çfarë pasojash mund të vijnë nga skenarë të tillë dhe duhet të mbajnë parasysh se punët në Kosovë e të Ballkanit nuk duhet të bëhen edhe më rrëmujë sesa janë, që çdo gjë të nisë nga e para sa herë duan Serbia e Rusia, apo sa herë mund të krijohen konjuktura të ndërlikuara në zhvillimet politike në Ballkan, Europë e në botë. Në mënyrë të veçantë nuk mund të pranohet që çështja e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë të dalë jashtë atij trajtimi që i është bërë në përcaktimin e statusit të Kosovës së pavarur në Planin “Ahtisaari” dhe sidomos në anashkalim të Vendimit që mori Gjykata Kushtetuese e Kosovës për ta shpallur Asociacionin si shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Diplomacia brukselase e ka për detyrë të kuptojë se nuk sjell dobi të madhe që Kosova në bisedimet e Brukselit ose në kryeqytete të tjera të vihet vazhdimisht para të papriturash që cenojnë rëndë shtetshmërinë e saj të pavarur e sovrane apo t’i imponohen Kosovës kushte për ta blerë shumë shtrenjtë njohjen e mëtejshme ndërkombëtare të pavarësisë, siç ishte rasti i njohjes nga Izraeli, ose siç ka qarkulluar fjala për një ndërmjetësim francez që Greqia ta njohë Kosovën e pavarur në shkëmbim të njëfarë plotësimi të ri të kërkesave të Serbisë në Veriun e Kosovës. Ngatërresa të tilla asgjë të mirë nuk i sjellin Ballkanit. Dhe, shqiptarët nuk i përmirësojnë pozitat e tyre, duke u treguar gjithmonë dorëlëshuar në plotësimin e këshillave të miqve e aleatëve, për të mos u dukur mosmirënjohës ndaj tyre, sepse shqiptarët praktikisht nuk kanë më çfarë të sakrifikojnë që të kënaqen kërkesat serbe në Kosovë e Beograd. Edhe përfaqësuesit e diplomacisë brukselase duhet të jenë mirë në dijeni të asaj që ka shkruar Herrit Perrit se: “Procesi i sponsorizuar nga OKB, që çoi në Planin “Ahtisaari”, ishte një sukses, por nuk ishte e suksesshme përpjekja për ta miratuar atë në Këshillin e Sigurimit. Plani ishte një mekanizëm tejet i sofistikuar për ta çuar procesin pashmangshëm të tranzicionit të Kosovës drejt një pavarësie sovrane. Ai ishte një kornizë institucionale e pashembullt, gjithëpërfshirëse dhe me hollësitë për të siguruar të drejtat e minoritetit dhe autonominë, duke i lënë në të njëjtën kohë autoritet të mjaftueshëm një qeverie qendrore të zgjedhur të Kosovës që të qeveriste. Por, as Rusia, as Serbia nuk dukeshin të interesuara për meritat e këtij plani, kur çështja u dërgua në Këshillin e Sigurimit” (f.275-276).

Në Bruksel është mirë të mbahen parasysh se si pas njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës u bënë lëvizje të shumta diplomatike, që e çonin ujin atje ku e donin Serbia e Rusia. U shpallën 6 pikat nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, që përmbysnin Planin “Ahtisari” në shumë pjesë kyçe. Edhe pas “mendimit këshillimor” që dha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë se pavarësia e Kosovës ishte shpallur e njohur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së çeli një shteg të rrezikshëm, duke i kërkuar Kosovës të hynte në bisedime të reja me Serbinë për të gjetur zgjidhje që tashmë ishin gjetur. Shqiptarët ranë në një kurth me pasoja të rënda dhe u krijuan situata të vështira për shqiptarët në bisedimet e Brukselit (imponimi i idesë dhe i projektit të “Asociacionit të Komunave Serbe”, projekti për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës e Serbisë etj.).

Të gjitha sa kanë ndodhur deri tani janë mina të vëna për hedhje në erë të shtetshmërisë së pavarur të Kosovës dhe për legalizimin e sendërtimin hap pas hapi të kërkesës më madhore të Serbisë për ruajtjen e njëfarë sovraniteti mbi Kosovën. Vetëm këtë platformë Vuçiqi e quan kompromis të pranueshëm për serbët në bisedimet me Kurtin në Bruksel. Pra, ai po kërkon një kompromis që, siç e ka përmendur edhe Perrit, shqiptarët e kanë pas hedhur poshtë qysh në hapat e parë të bisedimeve nën drejtimin e Ahtisaarit. Nuk i takon Vuçiqit, por Kurtit t’i thotë atij se duke i gjykuar gjërat me mendjen e vjetër më mirë të mos e marrë rrugën për në Bruksel.

Natyrisht, mendësia e vjetër serbe gjallon edhe tani në të folmen diplomatike të Vuçiqit, sepse ndjehet ende një jehonë dhe frymë e “diplomacisë së Grenellit” Bruksel e në Kosovë. Kjo atmosferë është një kujtesë më shumë për vlerën e rëndësinë që ka për shqiptarët thënia popullore “mos të lëntë e jotja”.

#TV_Shenja