Doktrina dhe morali

Nga Hoxhë Justinian Topulli

Fetë në përgjithësi dhe Islami mes tyre, i japin rëndësi të madhe moralit dhe e shohin atë si pjesë thelbësore dhe të patjetërsueshme të besimit. Madje, edhe pse shpesh, sot qëllimisht nuk përmendet ose nuk dihet, duhet të rikujtohet se shumë prej moraleve që trashëgojnë shoqëritë bashkëkohore laike, janë trashëgimi e mësimeve fetare.

Por nëse është kështu, pse atëherë fetë nuk e gjejnë gjuhën e pajtimin mes tyre, madje edhe me jobesimtarët, kur morali është kaq universal dhe i rëndësishëm? Përgjigjja dihet, sepse doktrina është parësore dhe themelore dhe e tejkalon rëndësinë dhe peshën e moralit. Madje morali nga feja shihet si derivat dhe plotësues i doktrinës.

Në ajetet e Kuranit dhe hadithet e Profetit (alejhi salatu ue selam), gjejmë mjaft tekste, të cilat tregojnë për vendin e lartë që sigurojnë në Xhenet njerëzit me moral të lartë, por po ashtu, në to gjejmë se të tillë duhet të jenë besimtarë, përndryshe ata nuk shpëtojnë në botën tjetër, sado të moralshëm të kenë qenë.

Në këtë kontekst, nga Aishja, nëna e besimtarëve (radijAllahu anha) përcillet se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (alejhi salatu ue selam) për një bamirës që kishte jetuar para Islamit:- O i Dërguari i Allahut, Ibn Xhud’ani në kohën e injorancës sillej mirë me farefisin dhe ushqente nevojtarët. A i bën dobi kjo atij?- Jo – tha Profeti- nuk i bën dobi, sepse ai nuk tha një herë të vetme: O Zot, më fal gabimin tim Ditën e Gjykimit. (Muslimi nr. 214)

Kështu pra, morali i lartë edhe pse vlerësohet në këtë botë nga feja, ai kurrsesi nuk mjafton, nëse nuk shoqërohet me doktrinën fetare të besimit, element ky i domosdoshëm për të shpëtuar në botën tjetër. Dhe doktrina është themeli i themeleve të fesë. P.sh. Islami ka në themel të tij monoteizmin, në të gjitha dimensionet e tij, dhe sipas doktrinës islame një idhujtar apo një jomusliman, nuk ka mundësi të shpëtojë në botën tjetër, pavarësisht moralit të tij, me përjashtim të rasteve kur ai nuk ka pasur mundësinë të njohë të vërtetën, por sigurisht, që përjashtimet nuk thyejnë rregullin e përgjithshëm, prandaj konceptin se vetëm besimtari është i shpëtuar, e gjejmë të rrënjosur në të gjitha tekstet fetare. Të ngjashme me njësimin e Zotit në Islam, ka edhe doktrina të tjera, siç është besimi në profetësinë përfundimtare të Muhamedit (alejhi salatu ue selam) dhe të gjitha ato që përfshihen në gjashtë kushtet e besimit. Sikur vetëm njëra prej tyre të mohohet, personi konsiderohet si jomusliman.

Këto koncepte i ka të qarta çdo musliman i ditur, e jo më një hoxhë. Kështu që pohimi i një përfaqësuesi të muslimanëve se, në plan të parë Zoti vendos të qenit njeri, në aparencë nuk përkon me doktrinën islame, madje as me doktrina të tjera fetare, sepse nuk mund të jesh njeri, nëse nuk njeh në radhë të parë Krijuesin tënd. Allahu i krahason në Kuran, shumicën e njerëzve që besojnë në mënyrë të gabuar, me bagëtinë, madje edhe më të humbur se ato.

Kështu që nëse pohuesi i këtyre fjalëve ka pasur për qëllim besimtarët, por për arsye konformizmi social publik, nuk ka dashur të lëndojë jobesimtarët, për të qenë sa më i pranuar prej tyre, kjo është fatkeqësi, sepse nuk praktikohet kështu thirrja islame dhe bie ndesh me praktikën profetike. Por nëse ai e beson vërtet këtë, siç e justifikojnë atë disa njerëz, se fjalët e tij janë të sakta, atëherë kjo është fatkeqësi më e madhe, sepse rrënon fund e krye besimin islam dhe delegjitimon misionin e thirrjes islame.

Një fakt tjetër që duhet përmendur këtu, është se shpesh dialogu ndërfetar, kur nxitet dhe mbikëqyret nga laikët, ka tendencën të shkojë pikërisht te mbitheksimi i virtyteve morale, duke i bërë ato themel të bashkimit dhe pajtimit mes feve dhe mes besimtarëve e jobesimtarëve, e duke i lënë kështu themelet e doktrinës në plan të dytë.

Sigurisht që kjo gjuhë që gëlon në mjedisin e sotëm laik, i cili edhe pse pranon përballjen e drejtpërdrejtë të ideologjive laike, nuk toleron aspak atë të doktrinave fetare, është kthyer në një ligjërim dominues, edhe në predikimet që mbajnë shumë klerikë të feve të ndryshme. A nuk e shihni se si shumë predikues fetarë merren vetëm me çështjet e sjelljes morale, si: mos vidh, mos vrit, mos mashtro etj. dhe harrojnë të vënë alarmin për mosbesimin dhe idhujtarinë moderne që ka pllakosur njerëzimin?! Por a mund të ndreqet dhe përmirësohet morali i njerëzve pa besimin në Zot, besimin në botën tjetër dhe doktrinat që i shoqërojnë këto?! Kush beson se po, ai është viktimë e pikëpamjeve jofetare mbi botën, edhe në qoftë hoxhë apo prift.