“Harrojeni Eli Farën”/ Gazetari zbulon pagën që merr Anila Basha në bashki si këshilltare

Ditët e fundit një lajm i ‘Pamfletit’ pushtoi mediat dhe opinionin publik, pas zbulimit se këngëtarja Eli Fara kishte marrë pagë si drejtoreshë e ngrohjes globale në Ministrinë e Mjedisit dhe se kishte udhëtuar me ministrin Fatmir Mediun 65 herë në BE dhe SHBA. Por, ndërkohë gazetari Adriatik Doçi shkruan se edhe gazetarja Anila Basha, është e punësuar si këshilltare në Bashkinë e Elbasanit, ku merr një pagë rreth 700 mijë lekë.

Postimi i plotë:
Harrojeni Eli Farën, Anila Basha 700 mijë lekë pagë si ‘këshilltare’ e Gentian Llatjes. Bashkia e Elbasanit: E kemi emëruar direkt, pa konkurs për…
Mirë për Eli Farën e ‘ngrohjes globale’ që nuk paskërka prova, po për gazetaren Anila Basha, e cila paguhet nga taksat tona, për ‘këshillimin’ në distancë të kryebashkiakut të Elbasanit, çfarë mund të thoni?! Qindra gra dhe vajza rropaten nëpër fabrika, duke qepur këpucë për 9 orë në ditë, madje edhe për të diela, për 280 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa Anila Basha, duke bredhur nëpër Tiranë për të kapur ‘ndonjë gjobë’, paguhet prej disa vitesh nga Bashkia e Elbasanit, fillimisht si këshilltare e Qazim Sejdinit dhe aktualisht si këshilltare e Gentian Llatjes.
Dhe jo pagë dosido, por të kategorisë III A/1, me vlerë rreth 700 mijë lekë në muaj, më të lartë se paga e kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, meqenëse edhe është ankuar. Se çfarë këshillash i ka dhënë Anila Basha fillimisht Qazim Sejdinit dhe tashmë Llatjes kjo nuk dihet, por ndoshta, kur takohen rastësisht, rrëkëllejnë ndonjë dopjo raki bashkë!
Për ndonjë koleg që i ka merak të drejtat e grave dhe kërkon fakte mbështetëse, kjo është një pjesë e përgjigjes zyrtare të Bashkisë së Elbasanit: “Anila Basha kryen detyrën e këshilltares së kryetarit për marrëdhëniet me median dhe shtypin në baze të kërkesave e detyrave që i ngarkon direkt kryetari i bashkisë… Për emërimin e zonjës nuk ka një praktikë rekrutimi pasi këshilltarët emërohen direkt nga kryetari i bashkisë në baze të nevojave dhe kërkesave që ai ka…”.

#Pamfleti.net