KFOR-i: Kemi rritur patrullimin në gjithë Kosovën, përfshirë veriun

KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në të gjithë Kosovën duke e zbatuar mandatin e tij, thotë në një deklaratë Misioni Paqeruajtës, pjesëtarë të së cilit janë parë sot në zonën neutrale mes kufirit Kosovë-Serbi, dhe po ashtu në zonën ku gjenden Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

KFOR-i thotë se ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në gjithë Kosovën, përfshirë edhe veriun.

“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në deklaratë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot në një konferencë për media se bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme kanë diskutuar me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për situatën e sigurisë. Dje, ai ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s e edhe me përfaqësuesin për Politikë të Jashtme të Komisionit Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Kur u pyet për shtimin e forcave të KFOR-it në veri, Kurti tha se nuk kanë informacione për këtë, ndërsa u shpreh se ai nuk merr vendime pa vlerësimet që u vinë nga Policia e Kosovës.

“Ne diskutuam me gjeneralin Federici, komandatin e përgjithshëm të KFOR’it për situatën e sigurisë. Meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike, madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale e sigurisë.

Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vinë nga Policia e Kosovës mbi rrethanat në të cilat ata ndodhen atje dhe ne shkëmbejmë informacionin me KFOR-in sepse jemi më shumë të pranishëm se edhe vetë KFOR-i.

Unë nuk kam një informacion të tillë të përgatitjes së hyrjes së KFOR’it. Kam biseduar dje edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, Stoltenberg edhe me zv. Presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin për Politikë të Jashtme, zotin Borell”, ka deklaruar ai.