Turqia dënon sulmin terrorist në Afganistan

Ministria e Jashtme e Turqisë nëpërmjet një mesazhi dënoi sulmin terrorist ndaj një xhamie në Kandahar dhe shprehu ngushëllime për popullin mik dhe vëlla të Afganistanit.

“Mësuam me trishtim të madh se një numër i madh njerëzish humbën jetën dhe u plagosën në sulmin terrorist me bombë që u krye sot gjatë namazit të xhumasë në një xhami në rajonin Kandahar të Afganistanit”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Dënojmë këto sulme çnjerëzore terroriste në Afganistan të cilat kohët e fundit kanë vënë në objektiv veçanërisht xhamitë. Urojmë që mëshira e Allahut të jetë mbi personat që kanë humbur jetën. Urojmë shërim të shpejtë për të plagosurit si dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për popullin mik dhe vëlla të Afganistanit”, thuhet më tej në deklaratë.

Sulmi është kryer nga dy kamikazë

Të paktën 30 persona e humbën jetën dhe mbi 200 të tjerë u plagosën në sulmin me bombë gjatë namazit të xhumasë nga dy kamikazë ndaj xhamisë Fatimiyye që i përket komunitetit shiit në rajonin Kandahar në jug të Afganistanit.

Gjithashtu edhe javën e kaluar në vend ishte kryer një sulm me bombë në një xhami në rajonin Kunduz, ku si pasojë humbën jetën 46 persona.

Përgjegjësinë për sulmin në Kunduz e mori përsipër organizata terroriste DEASH.