Vitin e kaluar në Angli dhe Uells humbën jetën 688 të pastrehë

Në vitin 2020 gjithsej 688 të pastrehë e kanë humbur jetën në Angli dhe Uells, ku 13 prej tyre nga COVID-19.

Sipas të dhënave nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) numri vjetor i vdekjeve të regjistruara të të pastrehëve vitin e kaluar shënoi rënie për herë të parë që nga viti 2014.

Vdekjet e lidhura me drogën përbëjnë 38.5 për qind (265 vdekje) të vdekjeve të të pastrehëve në vitin 2020 ndërsa vdekjet nga vetëvrasjet ranë në 74, duke rënë 38 nga viti i kaluar, 19 persona u zbuluan se ishin nën moshën 25-vjeç dhe afërsisht 90 për qind e atyre që humbën jetën ishin burra.

Kryeqyteti i Britanisë së Madhe, Londra, është ndër rajonet me numrin më të madh të vdekjeve.

Të dhënat përfshijnë personat që ishin në rrugë ose në strehimore të përkohshme në kohën e vdekjes ose më parë.

– “Një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë në një nga shoqëritë më të pasura në botë”

Rick Henderson, drejtori ekzekutiv i Homeless Link, një organizatë jofitimprurëse që ndihmon të pastrehët, tha se 688 vdekje në një vit janë “absolutisht të papranueshme” dhe për në të ardhmen duhet të hetohen për të parandaluar që njerëzit të vdesin shumë herët.

“Diçka e tillë nuk duhet të ndodhë në një nga shoqëritë më të pasura në botë”, tha Henderson duke shtuar se është e rëndësishme që numri i vdekjeve ra për herë të parë në 5 vjet dhe se u regjistruan vetëm 13 vdekje nga COVID-19.

Ai theksoi se strehimoret e përkohshme të ofruara për çdo të pastrehë vitin e kaluar duhet të jenë të hapura edhe në dimër.

– Gjendje dëshpëruese

Polly Neate, drejtoreshë ekzekutive e Shelter, një organizatë bamirëse që ofron strehim për të pastrehët tha se është “dëshpëruese” të shohësh se të paktën 688 persona kanë kaluar ditët e fundit si të pastrehë gjatë pandemisë.

Ajo tha se hapat e qeverisë për të shpëtuar njerëzit nga rrugët kanë reduktuar humbjet e jetëve. “Ne nuk mund të lëmë askënd jashtë në të ftohtë teksa po hyjmë në një dimër të ashpër dhe ende qarkullon virusi. Njerëzit që kanë nevojë për strehim urgjent, të cilët janë larguar nga bashkitë dhe ua mohojnë të drejtat, tashmë janë duke aplikuar në shërbimet tona”, theksoi Neate.