Regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij vranë 210 civilë gjatë një viti duke shkelur armëpushimin në Idlib

Sipas raportit të Drejtorisë së Koordinimit të Reagimit Emergjent të Sirisë, gjithsej 210 civilë e kanë humbur jetën brenda një viti në sulmet që regjimi i Bashar Al-Asadit, Rusia dhe grupet terroriste me mbështetje iraniane kanë kryer duke shkelur armëpushimin në Idlib.

Mohammad Hallaj, drejtor i Zyrës së Koordinimit të Reagimit Emergjent të Sirisë, e cila merret me studimin e të dhënave në Idlib, në një deklaratë për (AA) tha se regjimi i Asadit, grupet terroriste me mbështetje iraniane dhe Rusia në vitin e fundit kanë kryer 6.198 shkelje të armëpushimit në Idlib dhe se kanë kryer sulme ndaj vendbanimeve civile dhe vijës së frontit të opozitarëve ushtarakë.

“Në sulmet e kryera brenda një viti nga forcat e regjimit dhe Rusisë kanë humbur jetën 210 civilë, përfshirë 75 fëmijë, 34 gra dhe 16 punonjës të ndihmës humanitare”, tha Hallaj.

“Forcat e regjimit të Asadit kanë vendosur në objektivin e tyre edhe qendra të Mbrojtjes Civile dhe qendra të ndryshme shëndetësore”, tha Hallaj duke shtuar se në këto sulme janë bërë të papërdorshme 19 ndërtesa të shërbimit.

Ai theksoi se regjimi dhe mbështetësit e tij me armë tokë-tokë kanë kryer 5.879 sulme ndërsa avionët luftarakë të Rusisë 291 sulme dhe 28 sulme nga mjetet ajrore pa pilot.

Hallaj shtoi se për shkak të këtyre sulmeve janë detyruar të emigrojnë të paktën 62 mijë civilë.

– Situata në Idlib

Turqia, Rusia dhe Irani, në takimin e zhvilluar në vitin 2017 në Astana vendosën formimin e 4 “zonave të deeskalimit” në territorin që nuk ndodhej nën kontrollin e regjimit të Asadit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane dhe Rusia vazhduan sulmet dhe morën nën kontroll 3 zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Edhe pse Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin, sulmet u intensifikuan sërish në maj 2019. Armëpushimi respektohet në masë të madhe pas marrëveshjes së re që Turqia siguroi me Rusinë më 5 mars 2020.

Në periudhën 2017-2020, rreth 2 milionë civilë për t’u larguar nga sulmet u detyruan të migrojnë në zonat pranë kufirit me Turqinë.