Vazhdon kriza në Jemen edhe pas Marrëveshjes së Stokholmit në 2018

Edhe pse kanë kaluar 3 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stokholmit midis qeverisë legjitime të njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe Huthive të mbështetur nga Irani, kriza në vend nuk po zgjidhet ndërsa është thelluar ndikimi i luftës në qytetet Hodeidah dhe Taiz.

Qeveria e Jemenit dhe Huthit u mblodhën më 6 dhjetor 2018 në Stokholm të Suedisë, nën kujdesin e OKB-së ku u nënshkrua Marrëveshja e Stokholmit për shkëmbimin e të burgosurve, armëpushim në Hodeidah dhe në lidhje me portet dhe situatën në Taiz.

Me marrëveshjen e arritur në tetor 2020 për shkëmbimin e të burgosurve mes qeverisë dhe Huthive, u shkëmbyen 1.000 të burgosur mes palëve. Ndërsa asnjë hap tjetër konkret nuk mund të ndërmerrej përveç shkëmbimit të të burgosurve të lartpërmendur, Marrëveshja e Stokholmit mbeti nën hijen e akuzave të bëra nga palët.

– “Marrëveshja e Stokholmit lindi e vdekur”

Vedi Atta, një analist politik që jeton në qytetin Hodeidah në një prononcim për (AA) tha se Marrëveshja “e vdekur” dhe e pasuksesshme e Stokholmit nuk mund të jepte asnjë rezultat dhe se e vetmja gjë që u arrit ishte “sigurimi i të ardhura të mira për zyrtarët e OKB-së që erdhën në Jemen nën flamurin e Marrëveshjes”.

Sipas tij, njerëzit e Hodaidah paguan një çmim të rëndë pas kësaj marrëveshjeje. “Në nivel humanitar, njerëzit e Hodeidah kanë paguar një çmim të rëndë për këtë marrëveshje ogurzezë me jetën e tyre. Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, rreth 500 civilë, gjysma e të cilëve ishin gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 800 tjerë janë plagosur. Disa nga të plagosurit kanë pësuar dëmtime të përhershme. Ndërsa nuk jam duke i përmendur qindra shtëpi të shkatërruara nga artileria dhe raketat”, tha Atta.

Ai theksoi se marrëveshja nuk ka asnjë efekt “de facto” pasi forcat e përbashkëta (forcat e mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) u tërhoqën nga disa rajone në nëntor dhe Huthit pushtuan këto rajone.

Duke argumentuar se njerëzit e Hudeidah nuk e pranuan marrëveshjen, Atta tha: “Marrëveshja legjitimoi praninë e Huthive në Hodeida, praktikat dhe shkeljet e tyre që e kthyen qytetin në një burg të hapur”.

– Dobësimi i qeverisë

Analisti politik jemenas, Hamid al-Rakimi tha se Marrëveshja e Stokholmit u nënshkrua si rezultat i presionit të jashtëm mbi qeverinë jemenase për shkak të situatës humanitare në vend dhe se Huthit e shfrytëzuan marrëveshjen për të vazhduar mbështetjen që morën nga Porti Hodeidah.

“OKB-ja dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë donin të arrinin ndonjë sukses me këtë marrëveshje pas dështimeve të tyre në raundet e mëparshme të dialogut dhe konsultimeve për shkak të mospërputhjes së Huthive”, tha Rakimi.

“Marrëveshja e Stokholmit kufizoi hapësirën e qeverisë për veprim. Presionet ndërkombëtare e bënë më të lehtë për Huthit qëndrimin në Hodeidah, ndërkohë që dislokonin forcat e mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo do të thotë një dobësim ushtarak dhe politik i qeverisë”, tha Rakimi, duke shtuar se kjo situatë është edhe më e keqe se marrëveshja dhe kushtet që e rrethojnë.

– Konfliktet e ashpra

Zonat jugore të Hodeidah kanë dëshmuar përleshje të ashpra midis milicëve Huthi dhe forcave qeveritare në javët e fundit. Për shkak të konflikteve, njerëzit detyrohen të migrojnë në vende të tjera.

Më shumë se 25 mijë civilë u zhvendosën në Hodeidah në nëntor, njoftoi Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

Në një deklaratë të fundit, Misioni i OKB-së për Mbështetjen e Marrëveshjes Hudeidah (UNMHA) i bëri thirrje qeverisë së Jemenit dhe Huthive të mbështetur nga Irani që t’i japin fund luftimeve në jug të Hodeidah dhe të marrin masat e nevojshme për të parandaluar viktimat.

Thuhet se gratë dhe fëmijët, të cilët mbajnë peshën e luftës së vazhdueshme në rrethet jugore të Hodeidah, vazhdojnë të vuajnë.

– Rrethimi në Taiz

Marrëveshja e Stokholmit ka të bëjë edhe me rastin e qytetit Taiz i cili përveç qytetit Hodeidah prej 7 vitesh është nën rrethim nga Huthit.

Marrëveshja parashikonte një kompromis për heqjen e rrethimit në qytetin Taiz duke formuar dy komitete nga Huthit dhe qeveria në mënyrë që qyteti të mund të kthehej në gjendjen e tij të mëparshme.

Megjithatë, nuk ka pasur asnjë diskutim për këtë çështje. Javën e kaluar filloi një fushatë për të hequr rrethimin në Taiz.

Fushata e zhvilluar në mediat sociale bëri thirrje për “presion lokal dhe ndërkombëtar për të hapur rrugët e mbyllura në Taiz me popullsi të dendur dhe për t’i dhënë fund rrethimit të vendosur ndaj qindra mijëra qytetarëve”.

Fushata theksoi se “përfundimi i vuajtjeve të civilëve është një prioritet humanitar dhe e drejtë themelore për të gjithë civilët dhe se civilët nuk duhet të privohen prej saj, pavarësisht nga arsyeja”.

Huthit mbajnë kontrollin e rrugëve dhe hyrjeve në Taiz, me përjashtim të anës jugore, e cila kontrollohet nga forcat qeveritare.