SHBA, BE, MB, Franca, Gjermania dhe Italia thirrje Kosovës: Lejoni votimet për referendumin serb

Qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian ka dhënë një deklaratë të përbashkët lidhur me Referendumin Kombëtar të Serbisë në 16 janar.

Në deklaratë thuhet se këto vende mirëpresin referendumin e 16 janarit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e shtetit të së drejtës në vend.

Po ashtu në tekst thuhet se shprehin keqardhjen qeveria e Kosovës nuk ka lejuar OSBE-në të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm.

Kështu, këto vende i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Ne i kemi inkurajuar të gjithë qytetarët serbë që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote kudo që janë në gjendje të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.” – thuhet në deklaratë ndër të tjera.