Dëshmi të reja të represionit brutal ndaj ujgurëve në Kinë

Dokumentet e publikuara sekrete janë pjesë e rrjedhjes më të madhe të të dhënave ndonjëherë nga kampet e riedukimit të drejtuara nga shteti në rajonin Xinjiang të Kinës veriperëndimore. Ato ilustrojnë shtrirjen e persekutimit dhe ndalimit masiv të shumë njerëzve. “Dosjet e Policisë Xingjiang”, për të cilat tani po raporton një grup mediash ndërkombëtare, përmbajnë informacione për rreth 300.000 kinezë të regjistruar nga autoritetet, kryesisht anëtarë të pakicës myslimane ujgure. Fotot, fjalimet dhe udhëzimet zyrtare dëshmojnë se kampet nuk janë “institucione të trajnimit profesional”, siç pretendon qeveria kineze, por kampe të mbajtura nën mbikqyrjen e forcave të mëdha të sigurisë, njoftojnë gazetarët nga 14 kompani mediatike nga e gjithë bota. Në Gjermani janë përfshirë në këtë hulumtim Bayerischer Rundfunk dhe revista “Der Spiegel”.

Rojet e sigurisë me pushkë, karriget për tortura…
Fotografitë e publikuara tregojnë forcat e sigurisë me pushkë në krah. Foto të tjera dokumentojnë se si burra të armatosur me shkopinj çojnë larg një të burgosur me pranga në duar dhe këmbë. Ai mban një thes të zi mbi kokë dhe, në fund të serisë së fotografive, është ulur në një karrige të ashtuquajtur tigër – një karrige speciale që, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, përdoret për tortura në burgjet kineze. Në këto të dhëna përfshihet edhe një fjalim i panjohur më parë nga viti 2017, i liderit të atëhershëm të Partisë Komuniste në rajonin Xinjiang. Aty thuhet se çdo i burgosur që tenton të arratiset qoftë edhe vetëm disa hapa duhet “të vritet me plumb”.

Për shumë persona, autoritetet kanë regjistruar arsyen e ndalimit të tyre atje. Bëhet e ditur se një burrë se bashku me nënën e tij ka dëgjuar për një orë një audio-inçizim, ku përfshiheshin edhe “taksat fetare”. Ata të dy janë denuar me 20 vjet burg “për përgatitjen e një akti terrorist”. Për studimin e librave fetare, një person tjetër u burgos plot 34 vjet pas kësaj vepre dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie. Edhe ai është dënuar për konvertim dhe përgatitje të veprave terroriste. Stërvitja prej 15 ditësh në një palestër fitnesi është interpretuar nga autoritetet kineze të sigurisë si përgatitje për një akt terrorist. Personi për këtë vepër është dënuar me dymbëdhjetë vjet burg.

“Dosjet e Policisë Xinjiang” i janë dhënë antropologut gjerman Adrian Zenz nga një burim anonim. Sipas studiuesit, të dhënat kanë ardhur nga sistemet kompjuterike në Byronë e Sigurisë Publike në qarqet Ili dhe Kashgar në rajonin Xinjiang. Për arsye sigurie, ai ka hakuar sistemet kompjuterike dhe më pas e ka kontaktuar personin. Sipas Zenz, personi i ka siguruar të dhënat pa kushte dhe nuk i është paguar asnjë para. Gjermani i ka përcjellë më pas këto dokumente tek mediat.
Burimi: DW