Stambolli mirëpret “Samitin e Medias Turqi-Afrikë”

Ka nisur “Samiti i Medias Turqi-Afrikë”, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës me rastin e 25 majit, Ditës së Afrikës.

Fjalën e hapjes së samitit dyditor në Stamboll e mbajti Fahrettin Altun, Drejtor i Komunikimeve të Presidencës.

Në këtë aktiviet që synon të forcojë bashkëpunimin dhe koordinimin midis anëtarëve të mediave turke dhe afrikane, për të shkëmbyer përvoja dhe për të zhvilluar një perspektivë partneriteti, marrin pjesë 80 anëtarë të shtypit nga 45 vende afrikane, si dhe diplomatë afrikanë, menaxherë të institucioneve publike, përfaqësues të mediave, akademikë, përfaqësues të sektorit privat dhe organizatave joqeveritare.

Në samit do të mbahen seanca mbi sfidat me të cilat përballet gazetaria pas epidemisë së koronavirusit të ri (Covid-19) dhe sfidat si “rrethimi digjital” dhe barazia gjinore në sektorin e medias. Në program, ku gazetarët turq dhe afrikanë do të diskutojnë edhe perspektivën afrikane të medias globale, do të ndahen vlerësime për rendin ndërkombëtar.

Samiti do të përmbyllet me sesione speciale pas prezantimeve të përfaqësuesve të kompanive turke që investojnë në Afrikë dhe të institucioneve e organizatave që kontribuojnë në kapitalin njerëzor të kontinentit. Programi pritet të rrisë ndërgjegjësimin e Turqisë në mediat afrikane dhe të forcojë bashkëpunimin e Turqisë me vendet afrikane në fushën e medias dhe komunikimit.
Burimi: Trt Shqip